Ndërlidhjet

logo-print

Çka është dialog teknik e çka politik?


Prishtinë

Prishtinë

Data, formati dhe temat e bisedimeve me Serbinë nuk janë caktuar ende, ndërkohë që shtrohet dilema se çka do të jetë teknike e çka politike. Një ditë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se dialogu i vërtetë që prek tema politike, do të fillojë pas zgjedhjeve. Analistët në Kosovë thonë se temat politike nuk mund të evitohen.


Deklaratat e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare deri më tani kanë qenë që me Serbinë do të bisedohet vetëm për çështje teknike. Por, një ditë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas zgjedhjeve të ketë bisedime për temat me peshë politike.

“Dialogu i vërtetë do të fillojë pas zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë. Bisedime mund të zhvillohen edhe tash, por gjithmonë duke u ikur ndikimeve që mund të kenë temat me peshë politike”, ka thënë Kuçi.

Analisti Agron Bajrami thotë për Radion Evropa e Lirë se asnjëra çështje që do të diskutohet me Serbinë, nuk është thjesht problem teknik.

“Nuk ka çështje mes Kosovës e Serbisë që është çështje teknike. Të gjitha janë politike në një masë të caktuar. Çështja, e cila është përzgjedhur për të nisur dialogun - ajo e të zhdukurve - nuk mund të quhet çështje teknike; jetët e njerëzve nuk janë çështje teknike”.

“Kjo e tregon injorancën, të cilën, jo vetëm politikanët kosovarë, por edhe ata në Serbi dhe në Bruksel e tregojnë për njeriun dhe jetën e tij në Kosovë”,
thotë Bajrami.

Në të vërtetë, edhe vetë Bashkimi Evropian i ka cilësuar temat e para si çështje praktike, që do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve. Ndër to mund të hynin çështja e të zhdukurve, ajo e transportit, qarkullimi i lirë i mallrave e njerëzve dhe tema të tjera.

Sidoqoftë, analisti Driton Lajçi thotë se, ndonëse ka përpjekje për të evituar termin politik, në bisedime do të trajtohen tema me natyrë të tillë.

“S’mund të jenë ekskluzivisht teknike, sepse vendimet do të jenë edhe të karakterit teknik e politik, sepse vendimet e Qeverisë janë politike e teknike. Por, kjo duhet bazuar në kornizën e bisedimeve”,
thekson Lajçi.

Bisedimet me Serbinë janë aktualizuar që nga miratimi i rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, edhe pse në Kosovë kjo temë nuk ka qenë në rend të ditës.

Agron Bajrami thotë se Qeveria, deri më tani, është munduar të minimizojë rolin e dialogut, kryesisht për shkak të problemeve të brendshme, të shkaktuara nga dorëheqja e Sejdiut nga posti i presidentit, e më pas edhe dalja e ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeveritar. Por, e vërteta, sipas Bajramit, duket ndryshe.

“Tash shohim, në bazë të deklaratave zyrtare nga Brukseli, se Qeveria, derisa na thoshte neve se nuk do të ketë dialog para zgjedhjeve, duket se është pajtuar që të ketë dialog para zgjedhjeve. Kjo shkon në përputhje me ato paralajmërimet që i kemi pasur më herët, se dialogu duhet së paku të fillojë në këtë kohë - sepse kjo i nevojitet Serbisë për ta marrë statusin e kandidatit”, thotë Bajrami.

Qeveria në Beograd
Marrja e strategjisë për liberalizimin e vizave, sipas Bajramit, do të jetë e shumta që Kosova do ta fitojë, nëse fillon dialogun para zgjedhjeve. Sidoqoftë, ai thotë se dialogu me Serbinë nuk duhet të refuzohet, por duhet kërkuar qartësimin e tij.

“Përderisa nuk e kemi të qartë, ose përderisa pretendojmë dhe aktrojmë se ky dialog është vetëm teknik dhe se nuk ka të bëjë me çështje politike, mendoj se e gënjejmë vetveten dhe e fusim veten në një situatë të rrezikshme, sepse nuk duhet harruar se në një moment të kohës, vitin e ardhshëm, sigurisht veriu do të hidhet në tavolinë të bisedimeve, në një apo formë tjetër”.

“Nëse vazhdojmë të sillemi kështu me neglizhencë si shtet dhe jo vetëm si qeveri, mendoj se do të jemi para një akti të kryer, ku rezultati nuk do të na konvenojë fare”,
thekson Bajrami.

Ndërkohë, as subjektet politike në Kosovë nuk kanë qëndrim unik në lidhje me dialogun, meqë disa janë për atë që dialogu të fillojë pas zgjedhjeve, të tjerat që ai për çështje teknike të nisë që tani. Kriza institucionale ka komplikuar edhe më tej situatën.
XS
SM
MD
LG