Ndërlidhjet

Kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Haxhiev, për Radion Evropa e Lirë bëri të ditur se dy dosjet e dorëzuara nga profesori Shpend Lushi janë të falsifikuara dhe nuk janë origjinale.

Haxhiev tha se pas hulumtimit që i kanë bërë organet përgjegjëse, dosjet e koduara “Mama” dhe “Vujko”, janë të falsifikuara dhe me ndodhi të pavërteta.

“Pas kontrollit të detajuar të këtyre dosjeve nga Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim, Agjencia e Zbulimit dhe Arkivi i Maqedonisë, këto institucione shtetërore kanë ardhur në përfundim se dosjet e dorëzuara nga qytetari Shpend Lushi, nuk janë të përpunuara sipas standardeve të shërbimeve sekrete, andaj edhe nuk mund të jenë të besueshme”, tha kryetari i Komisionit për lustrim, Tome Haxhiev.

Haxhiev shtoi se së shpejti Komisioni do të prononcohet edhe për vërtetësinë e dy dosjeve tjera, “Ibar” dhe “Strellac”.

Por, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi, theksoi se dosjet ku ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së, aktualisht drejtues të Bashkimi Demokratik për Integrime, apostrofohen si bashkëpunëtorë, janë të vërteta dhe ato mund të vërtetohen nga dëshmitarë të gjallë.

“Po, janë të vërteta, topi si luan, për shkak se kemi akterë të gjallë, të cilët i shohin ngjarjet kur i lexojnë aty dhe vërtetojnë. Ka plot aktorë, dëshmitarë të gjallë, që vërtetojnë ato që shkruajnë aty. Shumë më pengon ky fjalor poshtërues dhe denigrues, e ju jeni të vetëdijshëm se ditëve të fundit paraqiten lloj-lloj fëlliqësirash, prej Ali Ahmetit e më poshtë”.

"Është problem i tyre, por kërcënimet që nxjerrin në publik se do të ndodhin vrasje, gjak…dua t’i qetësoj qytetarët, shqiptarët sidomos, se nuk do të ndodhë asgjë",
theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Njëherësh Thaçi kërkoi largimin nga skena politike të emrave të ndërlidhur me dosjet, sepse, sipas tij, “ata tashmë janë politikisht dhe kombëtarisht të vdekur”.

Nga ana tjetër, analisti politik, Alajdin Demiri, thotë se përplasjet vetëm brenda bllokut politik shqiptar sa i përket lustrimit, kanë të bëjë me tendencën e strukturave shtetërore maqedonase që të dëmtohet indi politik shqiptar, për t’u tërhequr vëmendja nga problemet kyçe, me të cilat përballet Maqedonia si shtet.

“Tash bëhet zhvendosja e vëmendjes nga një situatë e rëndë, në të cilën ndodhet Maqedonia, si në aspektin e procesit të integrimeve në NATO dhe BE, ashtu dhe krizën e thellë ekonomike, të cilën jemi duke e shkelur të gjithë ne si qytetarë të këtij vendi. Pra, e gjithë kjo bëhet të zhvendoset vëmendja me një spektakël tjetër – hapja e dosjeve".

“Më parë kishim rritjen e motivimit të maqedonizmit me projektin 'Shkupi 2014', gjithashtu dhe aferat e ndryshme korruptive dhe skandale të tjera, tani erdhi në radhë lustrimi me pretekst se ligji e kërkon”,
vlerësoi Alajdin Demiri analist nga Tetova.

Sipas tij, spektakli medial që po bëhet me procesin e lustrimit, ka qenë qëllim edhe i strukturave udhëheqëse shtetërore të dala nga kontrolli - realizimi i mirëfilltë i procesit të lustrimit dhe krijimi i përplasjeve politike brenda partive politike shqiptare.

Demiri, gjithashtu, theksoi se është absurde paraqitja e shqiptarëve si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të UDB-së dhe për vetë faktin, ngase siç shprehet, “substanca shqiptare ka qenë nën rend dhe shtypje të fortë nga ish-sistemi, që do të thotë se në një mënyrë, sistemet e ndjekjes së ish-regjimit kanë qenë të përsosura vetëm për shqiptarët".
XS
SM
MD
LG