Ndërlidhjet

logo-print

Korrupsioni, sinjal negativ për investitorët


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Raportet e fundit të mekanizmave ndërkombëtarë, të cilat flasin për një shkallë lartë të korrupsionit në Kosovë, japin një sinjal negativ për investitorët e huaj që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.


Ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë theksojnë se niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë po e dëmton zhvillimin ekonomik të vendit.

Ky nivel i korrupsionit, vlerësojnë ata, pamundëson ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, që, sipas tyre, shihen si potencial më i mirë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Bedri Selmanaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa luftimin e kësaj dukurie nuk mund të pritet përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend.

“Kompanitë e mëdha, të cilat kanë vizion të investimeve, korrupsionin e shohin si problem kryesor. Si probleme tjetër është edhe marrja e lejes për veprimtarinë e tyre, krijimi i kushteve më të mira për investitorët. Sa më shpejt të bëhen këto, do të ndihmohet zhvillimi ekonomik i vendit”,
thotë Selmanaj.

Së fundi, Organizata ndërkombëtare që mbikëqyrë shkallën e korrupsionit në botë, Transparency International, ka shpallur listën e renditjes së vendeve sa i përket shkallës së korrupsionit. Kosova renditet e 110-ta me një vlerësim prej 2.8 pikësh në mesin e 178 shteteve të botës.

Nisur nga ky vlerësim, përfaqësuesi i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, thotë se nuk mund të shihet një situatë më e keqe për investimet e huaja në Kosovë, kur kjo organizatë e rendit Kosovën më të korruptuarën në rajon.
...Kosova është ngufatur nga korrupsioni dhe ky është matës për investitorët...


“Jemi duke paralajmëruar qe një kohë të gjatë se Kosova është ngufatur nga korrupsioni dhe ky është matës për investitorët, që do t’i bëjë ata që të mos hyjnë në Kosovë. Kosova edhe po të ishte vend funksional, vend ku nuk ka korrupsion, gjasat për të përfituar investime të huaja janë tepër modeste”
, shprehet Hoxha.

Hoxha thotë se ky vlerësim përfundimisht dëmton gjasat që Kosova të vlerësohet vend potencial dhe atraktiv për zhvillim të biznesit.

“Më brengos fakti se Qeveria e Kosovës, raportet e mekanizmave ndërkombëtarë i konsideron si një vlerësim ordiner, i cili nuk ka ndonjë implikim real për Kosovën. Raportet e mekanizmave për Kosovën, të cilat çdo herë po tregojnë për një degradim të gjendjes në Kosovë, ndikojnë jo vetëm në investimet e huaja, por edhe në funksionalizmin tonë si shtet”
, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, vazhdimisht ka potencuar se ka një përkushtim të madh në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

Por, eksperti i ekonomisë, Bedri Selmanaj, vlerëson se në Kosovë ende nuk është krijuar një mekanizëm funksional ligjor që do të mund të parandalonte këtë dukuri.

“Çështja e mitos dhe korrupsionit në nivel të ekonomisë globale është edhe te vendet e zhvilluara, por ata e kanë nën kontroll, derisa ne ende nuk kemi arritur që ta kontrollojmë këtë. Sistemi juridik nuk ka arritur t’i ndalojë këto”,
vlerëson Selmanaj, duke shtuar se këto burime janë pikat kufitare në veri të vendit.

Ndryshe, investimet e huaja në Kosovë gjatë kësaj dekade, e konkretisht, pas shpalljes së pavarësisë, janë konsideruar si një si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Mirëpo, në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare thuhet se në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme.

Lexoni edhe këtë: Ndikimi i politikës tek investitorët e huaj
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG