Ndërlidhjet

Obama: Kërcënohemi sërish nga Al Kaida


Barak Obama
Barak Obama

Autoritetet në tri kontinente po hetojnë dërgimin e dy pakove me lëndë shpërthyese nga Jemeni drejt Shteteve të Bashkuara.

Jemeni ka nisur hetimet në kërkim të militantëve të rrjetit terrorist të Al Kaidës që besohet se qëndrojnë pas dërgesave. Pakot ishin adresuar për në dy qendra hebreje në Çikago të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë 24 orëve të fundit autoritetet jemenase kanë ngritur pika kontrolli në pjesë të ndryshme të kryeqytetit Sana. Fillimisht, lënda shpërthyese në një prej dërgesave u diktua nga autoritetet në Dubai në një qendër të kompanisë FedEx. Pakoja kishte si destinacion një sinagogë në Çikago.

Pakoja e dytë u zbulua në bordin e një ngarkese të kompanisë UPS, në një aeroplan mallrash në aeroportin britanik të East Midlands, në veri të Londrës. Zyrtarët thanë se në pako u gjet kutia e ngjyrës së printerit e mbushur me lëndë shpërthyese dhe tela.

Presidenti amerikan Barak Obama tha se autoritetet kanë zbuluar një “kërcënim të besueshëm terrorist” drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara.

“Natën e shkuar dhe në orët e para të ditës së sotme specialistët e shërbimeve tona të zbulimit dhe të rendit, në bashkëpunim me miqtë dhe aleatët tanë, identifikuan dy paketa të dyshimta të nisura për në Shtetet e Bashkuara, në adresë të dy qendrave hebreje në Çikago”,
tha Obama.

Këshilltari i Obamas për çështjet e sigurisë, Xhon Brenan, tha se dyshimet kryesore bien mbi degën e Al Kaidës në Jemen, e njohur si Al Kaida në Gadishullin Arabik.

Grupi në fjalë përbëhet nga militantë jemenas e sauditë dhe ka marrë përgjegjësinë për sulmin e dështuar në një aeroplan udhëtarësh ditën e Krishtlindjeve të kaluara.

Kur flas për Al Kaidën nuk kam parasysh vetëm atë në Afganistan, por dhe degët e saj, përfshirë atë në Jemen. Kjo e fundit jo thjesht e ka bërë të qartë me fjalë se synon të bëjë diçka brenda territorit amerikan, por e ka treguar me rastin e Ditës së Krishtlindjeve me Umar Faruk Abdulmutullab, që në fakt janë të gatshëm të veprojnë”, tha Brenan.

Ai sqaroi se eksplozivi në pako ishte në formë të tillë që përdoret për sulme, duke hedhur poshtë zërat se në dërgesa nuk kishte fare lëndë shpërthyese.

Policia në Dubai tha se eksplozivi i gjetur mbante vulën e Al Kaidës. Hetimet paraprake dëshmojnë se bëhet fjalë për eksplozivin e fuqishëm industrial PETN.

Presidenti Obama tha se zbulimi i pakove nxjerr në pah nevojën e të qenët vigjilent kundër terrorizmit.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se do të forcojë procedurat kontrolluese në aeroporte në veçanti për mallrat. Ndërkaq, dy kompanitë, me anë të të cilave ishin bërë dërgesat, FedEx dhe UPS, kanë pezulluar aktivitetin në Jemen.

Jemeni, që përkon dhe me origjinën e familjes së Bin Ladenit, gjatë viteve të fundit po shihet si epiqendra e terrorizmit që buron nga islami radikal.(i.b)
XS
SM
MD
LG