Ndërlidhjet

“Troja” proteston me “të rinjtë e getos”


 "Troja"

"Troja"

Rok-grupi i njohur “Troja” nga Kosova ka paralajmëruar se përmes një koncerti, me sloganin “Të rinjtë e getos”, do të shfaqë protestën dhe pakënaqësinë për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Bujar Berisha, vokalist i këtij rok-grupi, thotë se koncerti do të mbahet më 6 nëntor në Prishtinë dhe me performancë artistike, kritikat do të dërgohen në adresë të faktorëve që kanë ndikuar që Kosova të izolohet si një geto. Edhe disa qytetarë të Prishtinës shprehen të pakënaqur me mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave si dhe hapat e ngadaltë drejt integrimeve evropiane.


Mospërfshirja e deritashme e Kosovës në liberalizimin e vizave, i bën kosovarët, sidomos të rinjtë, të ndihen të injoruar, të braktisur, si dhe ta përjetojnë Kosovën si një geto të izoluar.

Kjo për rok-grupin “Troja”, është një prej shkaqeve për të mbajtur një koncert, përmes të cilit do të dërgohen mesazhe kritikuese dhe protestuese ndaj atyre faktorëve që kanë bërë që Kosova të izolohet, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bujar Berisha, vokalist i këtij rok-grupi të njohur kosovar.

Në mediat elektronike kosovare tashmë është duke u emetuar audio-klipi me moton e koncertit të rok-grupit "Troja", që do të mbahet më 6 nëntor në Prishtinë.

Berisha thotë se slogani i koncertit do të jetë “The young ghettopians”, apo “Të rinjtë e getos”, e që në një mënyrë ironizon reklamën tashmë të njohur “Kosova the Young Europeans” apo “Evropianët e rinj të Kosovës”, e cila ishte financuar nga Qeveria e Kosovës.

Kemi ardhur në përfundim duke i parë reklamat ‘Young Europeans’, ato janë financuar prej shtetit dhe nuk kemi asgjë kundër tyre, ka qenë reklamë shumë e mirë, por në praktikë, ajo nuk ka funksionuar”.

“Fatkeqësisht, njerëzit që e kanë udhëhequr vendin këtu, këto vite, e kanë njëfarë retorike të njëjtë ‘do t’ju fusim në Evropë’ dhe u bë më refren aq i lodhshëm. Kështu që, duhet t’ia nisë dikush dhe të thotë ‘boll më me atë farë terminologjie’, se nuk jeni duke na futur në Evropë, por jeni duke na çuar askund hiq”,
thotë Berisha.

Ndryshe, Berisha thekson se koncerti, me të cilin përmes artit do të shprehin pakënaqësinë, është formë e protestës së qytetëruar, sepse, sipas tij, askush nga të rinjtë nuk dëshiron që protesta për mospërfshirje të Kosovës në liberalizimin e vizave, të bëhet në forma të vrazhda.

“Qytetarët e Kosovës, në këtë rast, në njëfarë mënyre janë në një lloj getoje. Nuk na është ofruar as udhërrëfyesi. Janë ato standardet. Edhe sikur sot të ndodhte kjo, ne edhe 5 ose 6 vjet nuk do të jemi fare në atë farë projekti. Ne, së pari protestojmë ndaj Qeverisë sonë. Por, nuk do të thotë se është vetëm Qeveria jonë. Janë edhe ndërkombëtarët”.

“Fundja, të bëhemi të sinqertë, tash e 12 vjet, është bashkësia ndërkombëtare këtu që ishte ligj dhe shtet. U bënë 10 vjet të regjimit të Millosheviqit, si dhe këto 12 vjet të tjera. Po bëhen 22 vjet. Unë i kam gjithsej 33 vjet dhe dy të tretat e jetës sime, jam duke e pritur ‘babadimrin’”
, thekson Berisha.

Në anën tjetër, edhe disa qytetarë të Prishtinës, shprehin zhgënjimin e tyre për, siç thonë, hapat e ngadalshëm drejt integrimeve evropiane, si dhe mospërfshirjen e Kosovës në liberalizmin e vizave.

Basri Mekolli shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës ka qenë e ngathtë në këtë drejtim.

“Ne tashmë jemi në geto, por duhet të bëjmë çmos që të dalim nga kjo humnerë, në të cilën gjendemi momentalisht. Ndoshta ne nuk jemi syçelë dhe me vetëdije të lartë që të reagojmë në çdo mangësi të vogël, por i lejojmë qeveritarët që të sillen në këtë mënyrë, si monarkë dhe askush nuk bën asgjë”,
shprehet Basri Mekolli.

Ndërsa, Ardiana Beka thotë se mospërfshirja e Kosovës në liberalizmin e vizave më së shumti hendikepon të rinjtë kosovarë.

“Ka mbetur vendi i vetëm në Ballkan që e ka këtë problem. Të gjitha vendet tjera e kanë zgjidhur, vendet fqinje po mendoj, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia... Do të thotë vetëm ne kemi mbetur”.

“Ndoshta edhe rrethanat e ndryshme politike, institucionale, nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Po shihet kjo nga skandalet e fundit, do të thotë, është në vendin e fundit në rajon për luftë kundër korrupsionit etj. Ndoshta edhe këto janë arsyet pse vetë vendet evropiane nuk kanë dëshirë që ne të dalim njëherë atje
”, thotë Ardiana Beka.

Ndryshe, zonja Beka e vlerëson të qëlluar idenë, të cilën e ka zgjedhur rok-grupi “Troja” për të protestuar.

Ndërkaq, vokalisti i këtij grupi, Berisha, thotë se të gjithë ata, në adresë të të cilëve shkojnë kritikat, nuk duhet t’iu qasen atyre në mënyrë negative.

Sidoqoftë, rok-grupi “Troja” tashmë është bërë i njohur për publikun kosovar me këngët “Amaneti i Klounit” dhe “Mbretëresha kohë”, tekstet e të cilave përmbajnë tone mjaft kritikuese ndaj zhvillimeve të dukurive negative në jetën politike dhe sociale në Kosovë.

“Kritika nuk do të thotë gjithmonë se është negative. Le ta marrin pozitivisht. Në pano është emri i grupit i shkruar me shkronja të bardha. Do të thotë, pa dashur asnjë sekondë që ta anashkalojmë atë që ka bërë bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkësia Evropiane për ne. Për të gjitha të mirat OK. Por, për këtë (liberalizimin e vizave) po ndihemi disi të zhgënjyer. Mund të të gënjej se jemi të lumtur në këtë aspekt, por... ‘janë do fjalë që nuk po muj me i thanë’ (varg nga teksti i këngës ‘Amaneti i Klounit’)”
, përfundon Berisha.

Lexoni edhe këtë:
Vizat liberalizohen më 2011(?)
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG