Ndërlidhjet

Dërgesat nga jashtë, 3 miliardë euro në pesë vjet


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Dërgesat e emigrantëve në Kosovë, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë shënuar rritje prej 1.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Por, krahasuar me vitet paraprake, ka pasur një trend të rënies së dërgesave nga jashtë, thonë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike theksojnë se për shkak të situatës se rëndë socio-ekonomike, pjesa më e madhe e remitancave përdoren për konsum.


Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, në gjysmë-vjetorin e parë të vitit 2010, dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë shënuar vlerën në 225.8 milionë euro, krahasuar me 222.8 milionë euro të periudhës së njëjtë me vitin paraprak, apo rritje prej 1.3 për qind.

Mentor Geci, drejtor i Drejtorisë së Statistikave në Bankën Qendrore të Kosovës, thotë se rreth 70 për qind e remitancave vijnë përmes kanaleve formale, ndërsa pjesa tjetër vjen në forma tjera, si në formë të parave të gatshme, apo dërgesa në mall.

“Struktura e remitancave sipas kanaleve të dërgimit si dhe sipas shteteve prej nga vijnë, mbetet kryesisht e njëjtë. Rreth 70 për qind e remitancave vijnë përmes kanaleve formale, që do të thotë përmes bankave komerciale dhe agjencive për transferin e mjeteve, përderisa pjesa tjetër vjen në forma tjera, si në formë të parave të gatshme dhe remitanca në mall”.

“Ndërsa, sa i përket shteteve, remitancat vijnë kryesisht nga vendet e Evropës perëndimore si nga: Gjermania, Zvicra, Anglia, Austria etj
”, thotë Geci.

Pjesa më e madhe e dërgesave nga jashtë në Kosovë, përdoren për konsum, ndërsa një pjesë tjetër për investime, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti për çështje ekonomike, Ymer Havolli.

Sipas Havollit, shkalla e lartë e varfërisë dhe papunësisë ka bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë të varen ekskluzivisht nga paratë e dërguara nga familjarët e tyre që jetojnë dhe punojnë në vendet të ndryshme të Evropës.

“Nëse merren parasysh faktorët e ekonomikë që mbretërojnë në Kosovë, siç që është papunësia dhe varfëria dhe një numër i madh të diasporës kosovare që është jashtë, është një numër i konsiderueshme i popullatës në Kosovë që është i varur ekskluzivisht nga remitancat që vijnë nga shtetet e jashtme”.

“Një pjesë tjetër e popullatës ndihmohet, ndërsa pjesa tjetër ndihmohet në aspektin e ngritjes së kapacitetit në edukim, dhe një pjesë tjetër e popullatës në Kosovë, apo bizneset, kanë investime, të cilat në kohën e fundit nuk janë aq shumë të dukshme, megjithatë ka një lëvizje”
, shprehet Havolli.

Ndryshe, që nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2009 diaspora kosovare, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka dërguar në Kosovë 2 miliardë e 798 milionë euro.

Të dhënat e kësaj banke tregojnë se që nga viti 2004 deri në vitin 2008, ka pasur një trend të rritjes së dërgesave nga jashtë.

Ndërsa, në vitin e kaluar remitancat kanë rënë për 30 milionë euro. Por, cilat janë arsyet pse kanë rënë dërgesat e emigrantëve, viteve të fundit?

Eksperti Ymer Havolli thotë se, përveç krizës globale financiare që kishte përfshirë shumë vende botërore, ai konsideron se janë zbehur lidhjet emocionale të emigrantëve kosovarë për familjet e tyre në Kosovë.

“Nëse marrim parasysh që prej viteve të para kur kanë filluar, t’i quajmë (kushtimisht) ‘kurbetxhinjtë’ e parë të Kosovë të lëshojnë vendin, tash kemi gjeneratën e tretë. Gjenerata e para kanë pasur një lidhshmëri më të madhe me Kosovën dhe kanë ndihmuar më shumë”.

“Tashmë kemi arritur te gjenerata e tretë dhe këto lidhje emocionale me familjet dhe anëtarët tjerë të familjes, kanë filluar të zbehen. Dhe, ky është njëri prej faktorëve që kanë filluar të bien remitancat”
, shpjegon Havolli.

Sidoqoftë, sipas statistikave zyrtare, konsiderohet se afër 25 për qind e popullatës, ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG