Ndërlidhjet

logo-print

Pollozhani: Lustrimi në Maqedoni, shaka e hidhur


Fotgrafi ilustruese

Fotgrafi ilustruese

“Kjo që po ndodh me lustrimin, është një lojë shumë më e madhe se loja që po zhvillohet këtu në terrenin e Maqedonisë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoni.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, fillimisht si i komentoni polemikat rreth çështjes së dosjeve në Maqedoni?

SHPËTIM POLLOZHANI

Lustrimi u shndërrua në një proces tejet delikat politik, pasi procesi nuk zhvillohet në institucione, aty ku e ka vendin, por në rrugë. Unë mendoj se procesi i lustrimit, por edhe Komisioni i lustrimit, u degradua skajshmërisht me vetë faktin që në fillim Ligji për lustrim ishte shumë i mangët, domethënë kishte shumë mangësi.

Komisioni për lustrim nuk mund të hyjë në asnjë arkiv të asnjë institucioni në shtet, as në atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, as në atë të kryetarit të shtetit, askund. Pra, Komisioni me institucionet komunikon përmes postierit, saqë dhe postieri mund të humbë një deklaratë të një institucioni se ndokush ka qenë ose jo bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, apo ka ose jo dosje.

Pra, çdo gjë që në fillim ka qenë joserioze, gjë që dëshmon Ligji për lustrim në Maqedoni është sjellë sa për t’i hedhur hi syve faktorit ndërkombëtar se janë sjellë ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, në fakt punët kanë marrë tatëpjetën. Vetë fakti që kryeministri propozon të hartohet një ligj tjetër për lustrim apo të bëhen ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual, tregon se ligji ekzistues ka dështuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni ju për këto dosje, të cilat janë dorëzuar në formë të fotokopjeve në Komisionin për lustrim, ndërkohë që partitë shqiptare vazhdojnë akuzat nga më të ndryshme mes tyre mbi vërtetësinë e këtyre dokumenteve?

SHPËTIM POLLOZHANI

Po, ky është edhe qëllimi. Dosjet shqiptarëve ua dha ndonjë njeri nga institucionet ose i konstruktoi kopjet apo fotokopjet... thjesht janë një lloj konstrukti.

Përderisa kemi vetëm fotokopje, pra nuk kemi asnjë origjinal dhe nuk kemi dëshmi të një institucioni relevant ndërkombëtar se këto dosje janë autentike, çdo gjë ngel në kuadër të spekulimeve. Unë mendoj se e gjithë kjo është edhe si rezultat i mosveprimit të sistemit vlerave në shoqërinë shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë është e qartë se dosjet shkaktuan trazira të mëdha në skenën politike shqiptare, apo në përgjithësi te shqiptarët. Ka vlerësime se në çështjen e dosjeve janë të involvuara edhe shërbimet e huaja sekrete. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

SHPËTIM POLLOZHANI

Unë mendoj se një ish-ambasador i Serbisë në Maqedoni ka qenë dhe shef i shërbimeve sekrete në Serbi. Fatkeqësisht, disa herë kam dëgjuar edhe nga vetë goja e ish-udhëheqësve të shërbimeve sekrete maqedonase se shërbimet sekrete serbe veprojnë më lehtë këtu se në vetë Serbi.

Si mund të arsyetohet fakti se një gazetar i mediumit maqedonas, u akuzua për bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe dhe brenda tri orësh siguroi një certifikatë nga MPB-ja se nuk është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete?!

RADIO EVROPA E LIRË
Ku e shihni më konkretisht lidhshmërinë mes shërbimeve sekrete serbe dhe politikanëve në Maqedoni?

SHPËTIM POLLOZHANI

Unë këtu më shumë e shoh lidhjen mes shërbimeve sekrete serbe dhe atyre maqedonase. Ne, shqiptarët, jemi viktima dhe më duhet të theksoj se kjo që po ndodh gjithmonë ndodh për të harxhuar, për të shterur tërë energjinë tonë pozitive, pasi që energjia jonë pozitive ka arritur masën kritike kur duhet ndonjë gjë të bëhet, sepse me gjendjen nuk janë të kënaqur të gjithë.

Sidoqoftë unë jam skeptik në të gjitha aspektet, por, megjithatë diçka patjetër do të lëvizë. Më duhet të theksoj se ata, të cilët janë të pastër, nuk kanë pse të mërziten, unë i porosis të flenë rehat.

Por, edhe ata të cilët nuk janë të pastër, kanë shumë arsye të mërziten, sepse kësaj punës së lustrimit do t`i lidhet koka, siç thotë populli. Por, më duhet të theksoj se e gjithë kjo që ndodh me lustrimin, është një lojë shumë më e madhe se loja që po zhvillohet këtu në terrenin e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësues të ndryshëm të partive politike kanë dhënë edhe vlerësime të këtilla se çështja e dosjeve jo vetëm që synon destabilizimin e skenës politike shqiptare, por edhe të Maqedonisë në përgjithësi. Prisni ju të ketë destabilizim?

SHPËTIM POLLOZHANI

Destabilizim nuk pres nga popullata shqiptare në Maqedoni, por unë pres një esëllim, të kthjellohen njerëzit dhe të dinë kë votojnë, të dinë kë po e zgjedhin. Mos të zgjedhin më me katunde e fise që i përkasin një mentaliteti primitiv, feudal, por të vënë sistemin e vlerave, të kërkojnë programe dhe të kërkojnë përgjegjësi.

Gjithë këto dyshime që vijnë tani për të kaluarën e politikanëve aktualë vijnë nga fakti se ata nuk kanë rezultate dhe ky është argumenti kryesor që i ngarkon ato. Kurse, këto kopje, fotokopje dosjesh duhet të dëshmohen dhe unë mendoj se kjo është një lojë që nuk gatuhet vetëm në Maqedoni, por është më e gjerë.

Pra, besoj se nuk do të ketë destabilizim në vend, ngase populli shqiptar në një farë mënyre e di se me një unitet politik mund t’i zgjidhë të gjitha problemet.
XS
SM
MD
LG