Ndërlidhjet

Rrecaj: Shuarja e KZAP-it, gabim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ish-drejtuesi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Tahir Rrecaj, e konsideron si të gabuar dhe të ngutshëm shuarjen e KZAP-it. Nga ana tjetër, njohësit e proceseve zgjedhore në Kosovë, thonë se një mekanizëm i tillë zgjedhor është dashur të shuhet shumë më herët, pasi që, sipas tyre, institucionet e tilla ankimore janë karakteristikë e shteteve të pas luftërave.


Pas amendamentimit dhe miratimit të Ligjit për zgjedhje në Kuvend, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të pushojë së ekzistuari.
Grupi punues për zgjedhjet, veç tjerash, kishte propozuar që ky organ zgjedhor të mos funksionojë më.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se KZAP-i nuk do të funksionojë më, por, sipas saj, në vend të tij, do të formohet një ekip i veçantë i përbërë nga gjyqtarët, të cilët do të merren me ankesat e mundshme.

“Paneli do të funksionojë në përbërje prej dhjetë gjyqtarësh nga Gjykata e Qarkut dhe me kryesues nga Gjykata Supreme, do t’i pranojë ankesat lidhur me procesin zgjedhor në afat prej 24 orësh, ndërsa në afat prej 72 orësh do të ketë përgjegjësi që të japë përgjigje për ato ankesa”,
thotë Daka.

Zgjedhjet e fundit lokale vunë në pah shumë parregullsi në procesin e votimit dhe, si rrjedhojë, ato u përsëritën në disa komuna. KZAP-i ishte ai që luajti rolin kryesor në shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike.

Shuarjen e këtij trupi e përshëndet Mazllum Bajraliu, njohës i proceseve zgjedhore në Kosovë. Siç thotë Baraliu, një mekanizëm i tillë zgjedhor është dashur të shuhet shumë më herët.
Një institucion i tillë ankimor i zyrës elektorale (KZAP-i), është karakteristikë
e shteteve në periudhën e parë të tranzicionit...


“Një institucion i tillë ankimor i zyrës elektorale (KZAP-i), është karakteristikë e shteteve në periudhën e parë të tranzicionit, pas luftërave, gjegjësisht konflikteve që mund të ndodhin në ato shtete. Ne atë periudhë e kemi kaluar që moti, ka kaluar një dekadë e sipër dhe është dashur më herët të ekzistonte dhe kjo punë t’u lihej institucioneve gjyqësore”
, shprehet Baraliu.

Megjithatë, Baraliu shprehet skeptik për punën e panelit prej 10 gjyqtarësh, i cili do të funksionojë në kuadër të Gjykatës së Qarkut dhe asaj Supreme, pasi që, siç thotë ai, sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të mos jetë sa duhet funksional.

“Aty ka një mosazhuritet total. Ka një prani të korrupsionit. Dhe, unë druaj që tash, meqë orientimi drejt gjykatave të qarkut, të cilat edhe ashtu janë të ngarkuara me lëndë dhe të cilat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme kadrovike, pra gjyqtarë edhe në shkallën e dytë në Gjykatën Supreme do të mund të ketë mosefikasitet”,
vlerëson Baraliu.

Vendimi e Grupit punues për shuarjen e KZAP-it, si organ i pavarur për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave, është i parakohshëm dhe i gabuar konsideron Tahir Rrecaj, ish-drejtues i KZAP-it.
Do të paraqesë vështirësi jashtëzakonisht të shumta, lidhur me shqyrtimin e këtyre ankesave dhe parashtresave...


“Do të paraqesë vështirësi jashtëzakonisht të shumta, lidhur me shqyrtimin e këtyre ankesave dhe parashtresave, duke pasur parasysh faktin që për zgjedhjet lokale ne kemi pasur diku mbi 600 ankesa të paraqitura për parregullsitë lidhur me procesin zgjedhor”.

“Tani bëhet fjalë për zgjedhjet e përgjithshme, ku edhe interesimi i partive politike dhe subjekteve tjera është shumë më i madh, unë pres që të ketë numër edhe më të madh të ankesave dhe një fushatë, e cila do të jetë edhe më e ashpër sesa ajo që ka qenë në zgjedhjet e kaluar”
, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Tahir Recaj.

Rrecaj thotë se, pavarësisht se është aprovuar Ligji për gjykata, reformimi në sistemin e drejtësisë ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, në kuadër të gjykatës themelore, e cila ende nuk është formuar, parashihet që të jetë një degë administrative, që në këtë rast do të shqyrtonte ankesat e një procesi zgjedhor.

“Në atë kohë do të ishte shumë e pranueshme që ajo degë administrative pranë gjykatës themelore të merret me shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave, për shkak se çështjet e shqyrtimin të ankesave dhe parashtesave, janë çështje administrative dhe ato duhet të shqyrtohen në një procedurë administrative”
, thekson Recaj.

Sido që të jetë, amendamentimet në Ligjin për zgjedhjet, njohësit e sistemeve zgjedhore i kanë konsideruar si sipërfaqësore.

Lexoni edhe këtë:
Reforma zgjedhore - nisje e gabuar?
XS
SM
MD
LG