Ndërlidhjet

Tensionet përballë mocionit


Sipas analistëve, tashmë janë të gjitha gjasat që Qeverisë Thaçi t’i merret besimi.

Sipas analistëve, tashmë janë të gjitha gjasat që Qeverisë Thaçi t’i merret besimi.

Paralajmërimet se në ditën e martë, më 2 nëntor, Aleanca Kosova e Re do të parashtrojë në Kuvendin e Kosovës mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale, nga analistët e çështjeve politike po vështrohen në mënyra të ndryshme.

Ata thonë se presin variante të ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve para, gjatë dhe pasi që mocioni i votëbesimit të gjendet para kuvendarëve të Kosovës.

Sipas analistit Driton Lajçi, tashmë janë të gjitha gjasat se Qeverisë aktuale do t’i merret besimi.

“Sipas të gjitha gjasave, marrja e besimit të Qeverisë Thaçi do të rezultojë pozitivisht, sepse aty duhet të jenë 61 vota. Tashmë 40 vota janë të sigurta. Të gjitha partitë opozitare, ndonëse deklarativisht kanë shprehur mospajtime të ndryshme, ato do ta votojnë mocionin e votëbesimit”.

“Qeveria Thaçi do të bie formalisht dhe pastaj do të vijnë ato vendimet, të parapara me Kushtetutë, siç janë: shpërndarja e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme”,
thotë Lajçi.

Por, analisti Arben Qirezi vlerëson se votimi ose jo i mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, do të varet nga vullneti i partive politike.

Sipas tij, një gjë e tillë varet nga fakti se a do të merren vesh subjektet politike për datën e zgjedhjeve, të cilat do të pasonin pas miratimit eventual të këtij mocioni.

“Rezultati i mocionit të votëbesimit, të cilin e ka paraqitur AKR-ja, do të mund të ketë implikime për datën e zgjedhjeve. Ky proces mund t’i detyrojë partitë politike rreth një date të re, nëse mocioni kalon”.

“Prandaj edhe them se, në këtë kontekst, data e zgjedhjeve çon një peshë mjaft të madhe. Unë do të prisja që para se të hidhet ky mocion në Kuvendin e Kosovës, grupet parlamentare të mblidhen dhe të diskutojnë rreth kësaj, në mënyrë që të gjejnë ndonjë pikë të përbashkët”,
shprehet Qirezi.

Analisti Lajçi nuk pret që procesi i paraqitjes së mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë, në Kuvendin e Kosovës të përcillet me tensione ndërmjet partive politike.

“Për ne dhe për opinionin e Republikës së Kosovës, faza e parë ka qenë më emocionale dhe është marrë më afër zemrës. Tash presim një rrjedhë normale. Të gjithë janë duke pritur me padurim që të pushojnë akuzat dhe kundërakuzat se kush është fajtor më shumë e kush më pak dhe të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme”, thotë Lajçi.

Ndërkaq, analisti Qirezi thotë se çështja e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme apo të parakohshme, është çështje e preferencave dhe interesave politike që kanë vetë partitë.

“Në rast se mocioni do të kalojë, atëherë Kosova do të mbetej pa qeveri. Megjithatë, besoj se partitë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, do të jenë aq të kujdesshme sa të mos lejojnë që proceset, në njëfarë mënyre stihike, të drejtojnë procesin politik të Kosovës”.

“Por, ato ta marrin këtë proces politik nën kontroll dhe t’i marrin vendimet e duhura, duke i ofruar sa më shumë pikëpamjet e tyre rreth periudhës që po vjen, e cila në mënyrë të pashmangshme e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja”,
konkludon Qirezi.

Lexoni edhe këtë: Kush do të votojë pro mocionit?
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG