Ndërlidhjet

Shumë të vrarë në sulmin në kishë


Pas sulmit në Bagdad...
Pas sulmit në Bagdad...
Më shumë se 50 njerëz janë vrarë kur forcat irakiane të sigurisë u vërsulën në një kishë katolike në Bagdadin qendror, për të liruar disa pengje që mbaheshin nga personat e armatosur.

Shumica e pengjve janë në mesin e të vdekurve, bashkë me pjesëtarët e forcave irakiane të sigurisë dhe sulmuesit.

Forcat e sigurisë të Irakut kryen një operacion dramatik të shpëtimit në Bagdad, me qëllim që t’i shpëtojnë më shumë se njëqind të krishterët që mbaheshin peng nga islamistët e armatosur.

Forcat e sigurisë u vërsulën në Kishën Asiriane Katolike të Zonjës së Shpëtimit të dielën, pas një rrethimi të tensionuar që zgjati disa orë.

Raportet për numrin e sulmuesve dhe bilancin e të vdekurve janë kundërthënëse. Njoftohet se të paktën 52 njerëz janë vrarë, shumica pengje, pastaj shtatë pjesëtarë të forcave irakiane të sigurisë dhe të paktën pesë sulmues. Dhjetëra pengje të tjera janë plagosur, shumica e të cilëve janë gra.

Nuk është e qartë nëse pengjet u vranë nga sulmuesit apo vdiqën gjatë operacionit të shpëtimit.

Fillimisht, personat e armatosur e sulmuan Bursën e Bagdadit, që ndodhet në afërsi, ku vranë dy roje, përpara se të hynin në kishë, ku e qëlluan për vdekje priftin, i cili po celebronte meshën e mbrëmjes. Pas kësaj, ata i morën peng besimtarët.

Një burrë i krishterë, i cili u lirua nga kisha, e përshkroi skenën kështu:

“Ata hapën zjarr në rrugë përpara se të hynin në kishë. Ne po luteshim brenda. Ata na rrethuan dhe na mblodhën në një sallë. Ata i rrahën besimtarët, na mbajtën peng brenda sallës dhe filluan të na rrahin”.

Grupi militant Shteti Islamik i Irakut, i cili është i lidhur me Al-Kaidën në Irak, duket se e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në një faqe interneti të militantëve. Grupi tha se ai do t’i “zhdukë të krishterët irakianë”, nëse nuk lirohen dy gratë, për të cilat thuhet se po mbahen në kishat kopte në Egjipt, për shkak se janë konvertuar apo duan të konvertohen në Islam.

Ministri i Mbrojtjes i Irakut, Abdul Kader al-Obeidi, e cilësoi si “efikas” operacionin e shpëtimit, përkundër bilancit të lartë të viktimave nga radhët e të krishterëve.

“Shumica e njerëzve që merrnin pjesë në meshë u shpëtuan dhe operacioni u krye me efikasitet të lartë. Të gjithë sulmuesit u vranë. Hetuesit po përpiqen ta zbulojnë kombësinë e tyre”, tha al-Obeidi.

Kjo kishë në Bagdad ka qenë skenë e sulmeve me bomba në vitin 2004, kur nga pesë shpërthime të bashkërenduara në kishat në Bagdad dhe Mosul u vranë 12 njerëz. (v.p.)


XS
SM
MD
LG