Ndërlidhjet

Para mocionit


Prishtinë
Prishtinë

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës thonë se do të marrin vendim nesër nëse do të mbështesin apo jo mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale. LDK-ja dhe AAK-ja konsiderojnë se mocioni është një lojë e PDK-së, që është realizuar përmes AKR-së si iniciuese.



Partitë politike në Parlamentin e Kosovës preferojnë të presin ditën e nesërme për t’u pozicionuar përfundimisht në lidhje me votimin e mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Përderisa Aleanca Kosova e Re, si nismëtare e mocionit, dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë janë deklaruar tashmë se e mbështesin këtë mocion, grupet tjera parlamentare, përfshirë edhe partinë në pushtet, PDK-në, thonë se nesër do të vendosin përfundimisht se si do të votojnë.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka mbetur e vetme me pakicat në Qeveri, thotë se mbështet nismat ligjore-kushtetuese që e nxjerrin vendin nga kriza aktuale.

Ndonëse nuk e tha qartë se PDK-ja do të votojë pro mocionit, zëdhënësi i kësaj partie politike, Blerand Stavileci, pohoi se PDK-ja mbështet një zgjidhje sa më të shpejtë - qoftë ajo edhe mocioni.

“Mocioni ka qenë një nga ato rrugëdaljet që kanë pasur rrugën e vet kushtetuese e ligjore, të cilave ne u jemi referuar vazhdimisht prej fillimit”.

“Deri më tash, nuk kemi ende një qëndrim definitiv, mirëpo mbështesim çdo nismë - një prej tyre është edhe kjo (mocioni) - që ka për qëllim daljen nga kriza institucionale”,
theksoi Stavileci.

Një qëndrim refuzues ndaj tekstit të mocionit ka paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës. Arsyetimin se kriza institucionale ka pasuar dorëheqjen e presidentit Sejdiu pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe daljen e ministrave të LDK-së nga Qeveria, LDK-ja nuk e konsideron të drejtë.

Eqrem Kryeziu, nënkryetar i parë i LDK-së, tha se mocioni është një lojë e kurdisur e PDK-së dhe AKR-së.

Kryeziu tha se LDK-ja do të mblidhet të martën para seancës dhe aty do të vendoset se si do të veprojë në raport me mocionin e votëbesimit.

“Nuk kemi ndonjë qëndrim. Për shkak të aktivitetit zgjedhor brenda LDK-së, praktikisht anëtarët e Kryesisë janë në terren dhe sot nuk patëm mundësi të tubohemi. Do ta mbajmë para seancës një takim dhe aty do të merret vendimi për qëndrimin tonë”, tha Kryeziu.

Ngjashëm me LDK-në, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, çështjen e mocionit e sheh si një kurdisje të partisë në pushtet, PDK-së, dhe asaj në opozitë, AKR-së.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se vendimi lidhur me votimin e këtij mocioni do të merret nga grupi parlamentar. Ky mocion, sipas tij, është përgatitur nga PDK-ja dhe është realizuar nga AKR-ja.

“Vetë partia në pushtet e ka përgatitur, prandaj nuk duam të jemi pjesë e lojës. Normalisht, ne si deputetë kemi obligim që të kemi përcaktimin tonë dhe këtë do ta kemi nesër, pas takimit si grup parlamentar, pas konsultimeve që do t’i bëjmë”, tha Isufi.

Për miratimin e mocionit janë të mjaftueshme 61 vota të deputetëve. Mosbesimi ndaj Qeverisë çon deri te shpërndarja e Parlamentit dhe caktimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të caktohen në një afat më të shpejtë se 30 ditë apo më larg sesa 45 ditë nga shpërndarja e legjislaturës.

Marrë parasysh faktin se Kosova po shkon në zgjedhje të shpejta, seanca e nesërme mund të shënojë fillimin jozyrtar edhe të fushatës zgjedhore, pasi secila parti politike pritet të paraqesë edhe argumentet e veta në lidhje me Qeverinë, funksionimin e saj dhe arsyet që çuan deri te çështja e votëbesimit.

* * *

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehin mendime të ndryshme nëse duhet votuar mocioni i votëbesimit të Qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG