Ndërlidhjet

Demokratët e Obamës drejt humbjes

  • Heather Maher

Presidenti Barak Obama (Foto arkivi)

Presidenti Barak Obama (Foto arkivi)

Amerikanët votojnë të martën për 435 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 37 nga 100 ulëset në Senat. Në shumë shtete votohet dhe për guvernatorin.

Shumica e vëzhguesve besojnë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë një ndryshim themelor i baraspeshës së pushtetit në Kongres. Demokratët e presidentit Obama fituan në zgjedhjet e 2008-ës duke marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Anketat e opinionit vlerësojnë se republikanët do të fitojnë shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, çfarë do t’u japë atyre fuqi të mëdha në miratimin e çdo ligji. Në Senat besohet se demokratët do të ruajnë një avantazh të lehtë.

Parashikimet paraqesin ndryshim të madh krahasuar me fitoren e 2008-ës të presidentit Obama dhe të demokratëve në Kongres. Platforma e “shpresës për ndryshime” mobilizoi në mënyrë të pazakontë zgjedhësit amerikanë në vitin 2008.

Në më pak se dy vjet, optimizmi është fashitur. Sipas Brus Kein, ekspert zgjedhor dhe profesor në Universitetin Berklei, fakti që demokratëve iu dha shumë pushtet në zgjedhjet e kaluara, u shoqërua dhe me pritshmëri të lartë nga publiku.

Mospërmbushja e pritjeve, e kombinuar me problemet ekonomike, ka krijuar përshtypjen se Obama dhe demokratët nuk dhanë ato që premtuan.

“Ekonomia doli të ishte një problem shumë më i vështirë sesa menduan njerëzit e Obamës. Ata menduan se mund ta ulnin shkallën e papunësisë përmes paketës së ndihmës dhe masave të tjera, por ashtu siç e panë dhe vende të tjera në botë, ky është një problem shumë më i ndërlikuar”.

“Përfundimisht, papunësia ka mbetur në shifra të larta. Tek e majta ekziston përshtypja se paketa e ndihmës nuk ishte e mjaftueshme. Ndërsa, e djathta e shumë nga ata që i takojnë politikisht qendrës mendojnë se paketa e ndihmës nuk ishte orientuar si duhet”, sqaron Kein.

Sipas një ankete të Nju Jork Tajmsit, shumë nga amerikanët që votuan për Obamën në vitin 2008, do të votojnë për republikanët në zgjedhjet e së martës. 57% e të anketuarve kanë thënë se janë të gatshëm të votojnë për një kandidat pa ose me pak përvojë politike.

Mbi 25% thanë se ata do të votonin kandidat që ka qëndrime relativisht ekstreme. Te ky grupim i fundit futen të ashtuquajturit e lëvizjes së njohur si “Tea Party”.

Kjo lëvizje nuk është organizatë zyrtare politike, që të ketë degën e mbledhjes së fondeve apo të ketë një seli qendrore. Strukturat joburokratike të kësaj lëvizjeje kanë funksionuar në avantazh të saj. Ajo ka tërhequr vëmendjen e shumë amerikanëve që vlerësojnë se struktura qeveritare është fryrë së tepërmi.

Në vija të përgjithshme, pjesëtarët e lëvizjes “Tea Party” besojnë në një strukturë qeverie më të vogël në numër dhe janë konservatorë nga pikëpamja sociale. Shumica e pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje janë të lodhur me të gjitha partitë politike, jo vetëm me demokratët.

Emrin, lëvizja e ka marrë nga viti 1773, kur kolonët amerikanë hodhën në det sasi të mëdha çaji për të protestuar taksat e vendosura nga Britania. Lëvizja e kishte zanafillën në Boston.

Një nga fitoret më befasuese të kësaj lëvizjeje ishte në shtetin Dealuer, ku 41-vjeçarja Kristin O’Donëll, pa përvojë politike, mundi në garën për Senat kundër-kandidatin veteran me 18 vjet në Kongres.

I pyetur nëse Obama ka dështuar që t’i përmbushë ato që premtoi në fushatë, vetë presidenti amerikan thotë:

“Nëse i kthehemi sërish, ne kemi ndërtuar një agjendë dhe e kemi çuar atë përpara. Kjo agjendë po sjell ndryshime në jetët e njerëzve. A është e mjaftueshme? Jo. Besoj se shumica e demokratëve presin që populli të shohë më shumë përparim”, tha Obama.

Me gjithë vështirësitë apo humbjen e paralajmëruar të demokratëve në Kongres, është ende herët të thuhet se Obama në garën e ardhshme presidenciale do të jetë jashtë loje. (i.b.)

Lexoni edhe këtë:
Newsweek: Apatia në Amerikë
XS
SM
MD
LG