Ndërlidhjet

FP: Obama pas 2 nëntorit


Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

“Foreign Policy”

Kur presidentët amerikanë kanë pësuar humbje të thella në zgjedhjet për në Kongres, që njihen si votimet e mesmandatit, ata kanë pasur tendencën t’iu kthehen problemeve ndërkombëtare.

Duke pasur ndikim të kufizuar te Kongresi, ata kanë pasur më shumë hapësirë manovrimi në politikën e jashtme dhe njëherësh kanë pasur rastin që të duken tepër të vendosur si burrështetas.

Edhe presidenti Obama duket se do të përballet me humbje të konsiderueshme në zgjedhjet e së martës. Pyetja është se a do të ndjekë ai të njëjtën rrugë si paraardhësit e tij në kushte të ngjashme? Mbi të gjitha, ai është një president në kohë lufte me një çmim Nobel për paqe.

Problemi i vërtetë i Obamës është fakti se ai nuk ka ndonjë mundësi gjysmë të gatshme për të arritur sukses në politikën e jashtme.

Bota që trashëgoi ky president, së paku në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore, nuk përcaktohet nga fitoret ushtarake të SHBA-ve apo nga marrëveshjet që shënojnë fundin e konflikteve.

Bota ku i duhet të veprojë presidentit Obama nuk është bardhë e zi, por gri e me plot hije. Përmendim këtu aleatët e korruptuar, armiqtë e vendosur, që janë të vështirë për t’u përkufizuar e klasifikuar, konfliktet asimetrike dhe shtetet e dështuara apo në rrugë drejt dështimit.

Nuk ka heronj apo rezultate përfundimtare. Në këtë kuptim, pavarësisht nëse zgjedhjet e së martës nxjerrin fitues republikanët, duke iu dhënë atyre drejtimin e të dyja dhomave të Kongresit, Obama ka hapësirë për të vepruar nëse shfaqet ndonjë mundësi në planin ndërkombëtar.

Është e qartë se Obama në planin e brendshëm do të hasë në shumë rezistencë gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit të tij.

Në politikën e jashtme, pengesat kryesore Obamës nuk do t’i vijnë nga Kongresi, por nga grupet fisnore në Irak, Iran e Afganistan, pavarësisht sa të vogla mund të jenë ato. Do të jenë pikërisht këto grupime që do të formësojnë suksesin apo dështimin.

Nëse do të jetë i mençur sa duhet, presidenti do të mbajë një retorikë e ambicie relativisht modeste.

Me gjithë përqendrimin e të gjithëve rreth faktit se si do ta ndryshojnë politikën e Obamës zgjedhjet e mesmandatit, fati i politikave presidenciale në Afganistan, Irak, Iran dhe rreth konfliktit izrealito-palestinez, do të varet nga politikat e vetë këtyre vendeve e grupimeve.

Shumë më pak e ardhmja e politikave në këto pjesë të botës do të varet nga ajo që thonë drejtuesit e demokratëve apo republikanëve në Kongres.

Në këtë botë të re, ku fiset e vogla kanë në dorë pushtet të madh, mundësitë e Shteteve të Bashkuara janë të kufizuara. Ne jemi shndërruar në një Guliver të kohëve moderne, të mbërthyer nga grupime, interesat e të cilave nuk janë dhe tonat.

Le të marrim rastet e Pakistanit e Iranit. Do të jenë zhvillimet e brendshme politike në këto vende ato që do të përcaktojnë dhe politikën e tyre të jashtme.

Në këtë kuptim, opsionet e Obamës janë jo pak të zymta. Ruajtja e stabilitetit të Pakistanit apo parandalimi i Iranit që të prodhojë armë bërthamore, do të varen shumë më pak nga aritmetika e numrave në Kongres dhe shumë më tepër nga ngjarjet në terren, mbi të cilat Uashingtoni ka shumë pak ndikim.

Duke thënë këto, duhet të theksojmë se mënyra se si do ta zhvillojnë lojën republikanët në Kongres, do të ndikojë në mënyrën e perceptimit të Obamës jashtë vendit.

Aleatët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara do ta studiojnë me kujdes shkallën e dobësimit të presidentit nga këto zgjedhje. Natyrisht, bazuar në analizat e tyre do t’i marrin edhe vendimet dhe do t’i përcaktojnë qasjet për çështje të ndryshme.

Në këto kushte, Obama mund të tundohet nga ideja që t’iu kushtojë më shumë kohë çështjeve të jashtme e më pak atyre të brendshme. Për një president në kohë lufte e me një çmim Nobel për paqen, kjo duket alternativë më se e logjikshme.

Por, ndonëse në disa raste marrja me republikanët mund të qëllojë të jetë më e vështirë sesa bisedimet me Hamid Karzain, presidenti duhet të merret me ta, pasi kjo është më e mira për Shtetet e Bashkuara. (i.b.)
XS
SM
MD
LG