Ndërlidhjet

Regjistrimi i popullsisë më 2011


Prishtinë
Prishtinë

Zhvillimet e fundit politike në vend dhe zgjedhjet e ardhshme nuk do të pengojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, thonë autoritetet përgjegjëse. Sipas tyre, ky proces do të zgjasë 15 ditë, duke nisur nga data 1 prill e vitit të ardhshëm.


Pavarësisht situatës politike në vend dhe ndryshimeve që do të pasojnë në institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve të ardhshme, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të realizohet në pjesën e parë të prillit 2011, thotë për Radion Evropa e Lirë ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri.

Kohërat kanë ndryshuar, Kosova ka bërë kthesë të madhe pozitive me pavarësimin. Regjistrimi do të mbahet dhe do të ketë sukses, sepse çdo shtet e ka obligim ta kryejë këtë punë, andaj edhe ne”, thotë ministrja Tahiri.

Sipas saj, Ministria e Administratës Publike ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë proces. Tahiri bën të ditur se për realizimin e këtij projekti, Organizata Botërore për Monitorimin e Regjistrimit ka dhënë dritën e gjelbër.
Ne kemi marrë dritën e gjelbër që në pranverën e vitit të ardhshëm, pra nga data 1 deri më 15 prill, 2011, të mbajmë regjistrimin...

Organizata Botërore për Monitorim, organ ky që është kompetent për të vlerësuar shkallën e përgatitjes së shteteve për regjistrim, ka dhënë vlerësim pozitiv për përgatitjet e Kosovës. Ne kemi marrë dritën e gjelbër që në pranverën e vitit të ardhshëm, pra nga data 1 deri më 15 prill, 2011, të mbajmë regjistrimin”, thekson Tahiri.

Edhe kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrim të Popullsisë, Rifat Blaku, thotë se situata politike në vend nuk duhet të pengojë procesin e regjistrimit.

Sipas Blakut, në pranverën e vitit të ardhshëm, shumica e shteteve të Bashkimit Evropian do të bëjnë regjistrimin e popullsisë, andaj, shtoni ai, Kosova nuk bën të dështojë në këtë projekt.
Duhet bërë përpjekje që ky projekt kurrsesi të mos dështojë...

Duhet bërë përpjekje që ky projekt kurrsesi të mos dështojë. Natyrisht, ka shumë punë... Ne jemi vonuar pak në disa përgatitje, por ka ende kohë që ato të mënjanohen, të korrigjohen dhe në bashkëpunim më Eurostat-in dhe institucionet tjera t’ia dalim”, shprehet Blaku.

Ministrja Tahiri nuk e përjashton mundësinë që banorët serbë të veriut të Kosovës të kundërshtojnë pjesëmarrjen në këtë proces, ndonëse, sipas saj, po bëhen përpjekje të vazhdueshme që regjistrimi të realizohet në tërë territorin.

Sa i takon pjesëmarrjes, ne i ftojmë të gjithë qytetarët dhe komunitetet të marrin pjesë në këtë regjistrim. Një pjesë e komunitetit serb, që graviton në pjesën veriore të Kosovës, ka ende hezitime”.

“Por, unë jam e bindur se edhe ata do të ndjekin modelin e serbëve të tjerë, të cilët janë integruar tashmë në institucione dhe janë të kënaqur që po japin kontribut në ndërtimin e shtetit të Kosovës”,
thotë Tahiri.

Kostoja e regjistrimit të popullsisë vlerësohet të jetë mbi 10 milionë euro. Deri më tash, Qeveria ka ndarë 3.9 milionë euro, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë 2.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të sigurohet nga donacionet.

Regjistrimi i fundit i popullsisë kosovare është bërë para 30 vjetësh nga pushteti i atëhershëm serb.

Lexoni edhe këtë:
Bojkoti serb dhe mbajtja peng e proceseve
XS
SM
MD
LG