Ndërlidhjet

Fundi i një koalicioni të panatyrshëm


Foto arkivi
Foto arkivi
Proceset, si: afirmimi ndërkombëtar i Kosovës, zhvillimet e brendshme ekonomike dhe dialogu me Serbinë, mund të ngecin deri në krijimin e institucioneve të ardhshme, vlerësojnë analistët kosovarë.

Ndërsa pritet votimi i mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, analisti Migjen Kelmendi i quan demokratike zhvillimet rreth mocionit. Por, ai shpreh druajtjen e lënies në gjysmë të proceseve në Kosovë.

“U dha një kah që i afekton me siguri proceset e nisura, sidomos dialogun, i cili tashmë kishte shtruar rrugën e nisjes... Kam frikë se këto zhvillime mund t’i vonojnë dhe ndikojnë proceset e nisura në Kosovë”.

“Për mua, këto janë akte shumë demokratike, akte që i parashohin ligjet në fuqi dhe kushtetuat... Nuk do ta quaja krizë, por më shumë situatë testi, në të cilën institucionet e brishta të Kosovës janë vënë”,
thotë Kelmendi.

Kriza e shkaktuar që nga dorëheqja e presidentit Fatmri Sejdiu, e pasuar nga largimi i ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës, pritet të përmbyllet me mocionin e mosbesimit.

Nëse Qeverisë nuk i jepet besimi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, njëherësh ushtrues detyre i presidentit, ka bërë të ditur se shumë shpejt do ta shpërbëjë Kuvendin dhe do të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar për proceset e lëna në gjysmë.

“Procesi do të jetë i shpejtë dhe nëse ka zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk shoh arsye për brengosje”, thotë ai.

Por, në anën tjetër, të gjitha zhvillimet në institucionet qendrore, që nga dorëheqja e Sejdiut dhe largimi i LDK-së nga koalicioni, për Migjen Kelmendin kanë një përgjigje - luftën për pushtet.

“Po e shohim një luftë për pushtet, e cila, fatkeqësisht, po i afekton interesat shtetërore. Në anën tjetër, krejt ideja rreth mocionit është një lloj farse e iniciuar nga PDK-ja dhe e suportuar nga sateliti i saj, AKR, e që në esencë e ka një qëllim shumë të thjeshtë - sa më shpejt të hyhet në zgjedhje, në mënyrë që, në përgjithësi, të mos zhvillohen kushtet e domosdoshme për të pasur zgjedhje fer dhe të lira”, thotë Kelmendi.

Në tërë këtë situatë, Shkëlzen Maliqi sheh me optimizëm. Ai thotë se koalicioni PDK-LDK kurrë nuk ka qenë i natyrshëm. Për këtë arsye, ai pret qeverisje më të mirë pas zgjedhjeve.

“Ka qenë një koalicion jo shumë i natyrshëm. Ka qenë koha që kjo të sqarohet dhe që qeveria e ardhshme, çfarëdo që t’i ketë kompozicionet, të jetë më shumë programore, jo vetëm të premtojë, por edhe taksativisht të numërojë pesë pika, ku do të angazhohet më së shumti”, thotë Maliqi.

Shoqëria civile është shprehur e shqetësuar për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjes dhe pamundësisë për të zhvilluar një proces zgjedhor të lirë, demokratik dhe të drejtë.
XS
SM
MD
LG