Ndërlidhjet

Republikanët fituan në Dhomë, demokratët në Senat


Presidenti Obama i ka telefonuar zotit Boehner dhe i ka shprehur gatishmërinë për të punuar me të dhe me republikanët për të mirën e popullit amerikan.
Presidenti Obama i ka telefonuar zotit Boehner dhe i ka shprehur gatishmërinë për të punuar me të dhe me republikanët për të mirën e popullit amerikan.
Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara e ka marrë kontrollin në Dhomën Përfaqësuese, e cila deri tash dominohej nga Partia Demokratike e presidentit Barack Obama. Demokratët kanë mbajtur shumicën në Senat, ndërsa lëvizja më e re në SHBA, Tea Party, ka fituar së paku tri vende në këtë institucion.


Partia Republikane e ka marrë kontrollin në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet kombëtare, që u përshkuan me votuesit e zemëruar, që dolën kundër Partisë Demokratike të presidentit Obama.

Republikanët i morën 40 vende në Dhomën Përfaqësuese me 435 ulëse, për të siguruar shumicën, dhe kanë gjasë të fitojnë edhe së paku 24 vende. Demokratët pritet t’i humbasin 60 vende.

Në Senatin me 100 vende, Partia Demokratike e mbajti shumicën me dallim të vogël, megjithëse humbi së paku pesë ulëse.

Lëvizja më e re politike në Shtetet e Bashkuara, Tea Party, me orientime kundër establishmentit, ka dalë si forcë serioze politike, pasi anëtarët e saj fituan tre vende në Senat dhe disa në Dhomën Përfaqësuese.

Rezultatet paraqesin ndryshim masiv nga situata e para dy vjetëve, kur Barack Obama dhe Partia Demokratike e tij morën pushtetin në një valë të optimizmit të votuesve.

Dy vjet të kontrollit demokratik në Shtëpinë e Bardhë, në Senat dhe në Dhomën Përfaqësuese, nuk kanë sjellë ndryshimin për të cilin kishin votuar shumë amerikanë.

Në zgjedhjet e fundit, recesioni ekonomik dhe papunësia pothuajse dyshifrore ndikuan në votues që të largohen nga Obama dhe partia e tij politike, për të cilën votuesit e mbështetën shpresën e tyre në vitin 2008.

John Boehner
Njeriu, që do të bëhet kryesues i ri i Dhomës Përfaqësuese, John Boehner, nga shteti Ohajo, u tha mbështetësve republikanë se “fitues realë” të zgjedhjeve ishin amerikanët.

Në një fjalim emocional të përcjellë me lot, Boehner vlerësoi se rezultatet paraqesin “hedhje poshtë të politikanëve që refuzuan ta dëgjojnë popullin”.

Ai theksoi se republikanët dhe aleatët nga Lëvizja Tea Party do të shkojnë kah “një qeveri më e vogël, që do të kushtojë më pak, porse do të jetë më tepër përgjegjëse”.

Më tutje, ai theksoi:

“Derisa shumica jonë e re do të shërbejë si zëri juaj në dhomën e popullit, ne duhet ta mbajmë në mend se është presidenti ai, i cili e cakton agjendën për qeverinë tonë. Populli amerikan e ka dërguar një mesazh të pagabueshëm për të dhe ai mesazh është - ndryshoje kursin”.

“Ne shpresojmë se presidenti Barack Obama tash do ta respektojë vullnetin e popullit, do ta ndryshojë kursin dhe do të përkushtohet për bërjen e ndryshimeve, që po kërkohen. Deri në masën që ai është i gatshëm ta bëjë këtë, ne jemi të gatshëm të punojmë me të”,
tha John Boehner.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Obama i ka telefonuar zotit Boehner, mbrëmë vonë, dhe i ka thënë se është i gatshëm për të punuar me të dhe me republikanët, për të gjetur terren të përbashkët për të mirën e popullit amerikan.

Barack Obama pësoi diçka si disfatë personale, pasi vendi i tij, derisa ishte anëtar i Senatit, nga shteti Ilinois, u fitua nga kandidati republikan.

Demokratët, derisa e shihnin se po rrezikoheshin nga disfata, kërkonin nga mbështetësit e tyre që të votonin në vendvotimet që ende ishin të hapura.

Para mbështetësve demokratë në Uashington, foli Nency Pelosi:

“Ne e udhëhoqëm vendin në drejtim të ri. Nën udhëheqjen e presidentit tonë të madh, Barack Obama, ne e çuam vendin në drejtim të ri”.

“Ne nuk do të tërhiqemi në politikat e dështuara të së kaluarës. Ne po luftojmë për klasën e mesme. Faleminderit që jeni pjesë e kësaj lufte”,
tha Nency Pelosi. (f.b.)

* * *

Në ditën e zgjedhjeve:

XS
SM
MD
LG