Ndërlidhjet

Kosova mund të jetë e lirë vetëm nëse është plotësisht demokratike dhe nëse është plotësisht shtet ligjor, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi. Ky i fundit ka vendosur të ndahet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të marrë pjesë me një subjekt të veçantë politik.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, keni vendosur të ndaheni nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe të garoni me një subjekt të veçantë tuajin. Pse?

BAJRAM KOSUMI
Besoj se konceptet e mia politike, me punën që mund ta bëj, mund t’i ndihmojnë Kosovës, procesit politik në të cilin po ec ajo, e sidomos krijimit të demokracisë së mirëfilltë në Kosovë, nëse krijojmë një subjekt të ri politik, çfarë jemi duke krijuar, një lëvizje që edhe emrin e ka “Për demokraci”.

Kosova ka arritur disa suksese të mëdha, do të thosha historike në periudhën e kaluar dhe tash po hyjmë në fazën kur duhet të krijohet cilësia, duhet të krijohet demokracia e vërtetë.

Kosova mund të jetë e lirë vetëm nëse është plotësisht demokratike, nëse është plotësisht shtet ligjor dhe nëse ekziston një pushtet për interesat e qytetarëve. Në të kundërtën, liria nuk ka kuptim.

Prandaj, kam vendosur, me një grup të madh të bashkëpunëtorëve të mi të hershëm dhe të tanishëm, që të fillojmë një punë me një fokus të veçantë, duke profilizuar edhe konceptin politik, edhe njerëzit, në një subjekt që ka në fokus krijimin e demokracisë së vërtetë në Kosovë.

Të shtunën, në orën 13:00, ne do ta bëjmë publike edhe zyrtarisht lëvizjen “Për demokraci”, do t’i promovojmë edhe njerëzit. Llogarisim të kemi ekipin e parë të themeluesve prej rreth 100 njerëzve.

Një pjesë e njerëzve janë ata, të cilët për dekada të tëra kanë qenë bashkë me mua në të gjitha proceset; ka njerëz të ish-Partisë Parlamentare të Kosovës; ka njerëz me të cilët kemi bërë aktivitet bashkërisht në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës; ka njerëz që nuk kanë qenë fare në parti politike, por që janë të dalluar në shkencë, në aktivitete të tjera, qoftë shoqërore, qoftë në aktivitete të afërta me politikën.

Kryesisht janë emra që kanë një autoritet, kanë një bagazh prapa vetes dhe, më e rëndësishmja, janë emra që kanë një qëllim politik – do të thotë, njerëz që kanë një qëllim politik, e ky qëllim politik po fokusohet në krijimin e demokracisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se keni kohë të mjaftueshme, duke marrë parasysh faktin se nga zgjedhjet na ndan pak më shumë se një muaj?

BAJRAM KOSUMI
Fatkeqësisht, do të jap një përgjigje jo pozitive. Nuk ka kohë të mjaftueshme. Por, më duhet të them se ne kemi qenë në proces të krijimit të një partie politike, e cila do të bëhej gati për zgjedhjet e nëntorit të 2011-ës.

Këto që ndodhën në skenën politike, na kanë zënë në gjysmë të punës dhe, në njëfarë mënyre, obligativisht ne duhet të merremi dhe të ballafaqohemi me zgjedhje të jashtëzakonshme, që janë shpallur në Kosovë. Nuk ka kohë të mjaftueshme. Nuk i kemi bërë përgatitjet e mjaftueshme për këto zgjedhje.

Unë kam pritur që njëherë të përfundojë kjo legjislaturë e Kuvendit. Unë kam qenë deputet i zgjedhur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kam dashur ta përfundoj këtë mandat. E kam përfunduar këtë mandat, janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe tash dua të kem një profil të ri politik dhe të kem një subjekt të ri politik, me të cilin do të garoj.

RADIO EVROPA E LIRË
E keni shqyrtuar mundësinë e koalicionit zgjedhor? Me kë do të hynit në një rast të këtillë?

BAJRAM KOSUMI
E kemi diskutuar dhe kemi menduar edhe për koalicionet zgjedhore, duke pasur parasysh pikërisht faktin që përmendët dhe ju – mungesën e kohës. Do ta shqyrtojmë edhe në të ardhmen. Besoj se është një çështje, së cilës duhet t’i kushtojmë kujdes të veçantë për këto zgjedhje.

Ne kemi mirëkuptim dhe afërsi me të gjitha partitë politike, i konsideroj të gjithë bashkëpunëtorë. Të gjitha partitë janë subjekte që punojnë për të mirën e Kosovës dhe këtu jemi bashkë.

Ne jemi në politikë, jemi në krye të subjekteve politike ose jemi deputetë dhe ministra jo për interesa personale, por për një interes të përbashkët që është procesi i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nisur pikërisht nga periudha e shkurtër kohore deri në zgjedhje, të shumtë janë ata që e kanë ngritur si çështje cilësinë e këtyre zgjedhjeve. Cili është mendimi juaj?

BAJRAM KOSUMI
Edhe unë mendoj se duhet të kemi shumë kujdes, që në këtë situatë të brishtë politike, të krijojmë aq sa është e mundur zgjedhje cilësore. Po them aq sa është e mundur, sepse Komisioni Qendror Zgjedhor vështirë mund të përgatitet mirë për zgjedhje të jashtëzakonshme - ky është një fakt.

Po ashtu, është fakt që në të kaluarën jo gjithmonë ka pasur zgjedhje të rregulla, edhe pse ato nuk janë ndëshkuar sa duhet. Herën e fundit, janë anuluar vetëm në tri komuna, ndërsa ka pasur nevojë që të anulohen edhe më shumë.

Në shumë qendra të vendvotimeve ka pasur keqpërdorime në dy palë zgjedhjet e fundit. Mund të thuhet se është paraqitur fenomeni i keqpërdorimit të votës; është paraqitur fenomeni ku vota e qytetarit të Kosovës ka qenë e sigurt vetëm derisa është futur në kuti, por prej momentit kur është futur në kuti, ajo nuk ka qenë më e sigurt.

Do të thotë, partitë politike duhet të kenë vëmendje që të mos ndodhë në këtë proces të brishtë përsëri ky fenomen. Në një situatë më të qetë politike mund të përballohet, por në situatën çfarë është tash, e brishtë, po të paraqitet fenomeni i keqpërdorimit të votës, besoj se do të jetë e papërballueshme për shoqërinë kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju në përgjithësi zhvillimet e fundit që çuan në rënien e Qeverisë dhe zhbërjen e Parlamentit?

BAJRAM KOSUMI
Është një test, por thelbi është një test i vështirë për demokracinë. Është vështirë, sepse prej elitës politike, prej atyre që do të duhej të ishin ruajtësit më të mirë të Kushtetutës, të rendit dhe të ligjit, kanë ndodhur zhvillime që janë cilësuar si shkelje të Kushtetutës ose ligjit.

Kjo e dëmton demokracinë në Kosovë. Kjo nuk e forcon demokracinë në Kosovë. Demokracinë në Kosovë e forcon angazhimi për sundimin e ligjit dhe të Kushtetutës.

Dëmtimi, shkelja e rëndë e Kushtetutës dhe e ligjit, gjendja e institucioneve pas dorëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ose shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nuk e ndihmojnë, por e dëmtojnë rëndë demokracinë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG