Ndërlidhjet

Institucione jofunksionale


Seanca, në të cilën u votua mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Kosovës.
Seanca, në të cilën u votua mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Kosovës.
Kosova aktualisht ka institucione jo funksionale, thonë analistët në Prishtinë. Qeveria në dorëheqje dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, sipas tyre, janë paraparë me Kushtetutë që të mos krijohet një boshllëk total në hierarkinë më të lartë të institucioneve të shtetit, por ato nuk do të mund të kryejnë funksione deri në krijimin e institucioneve të reja.


Pas shkarkimit të Qeverisë dhe shpërndarjes së Parlamentit, institucionet aktuale si Qeveria në dorëheqje, ushtruesi i detyrës së presidentit dhe Kryesia e Kuvendit, nuk do të funksionojnë, por vetëm do të mbulojnë boshllëkun e krijuar, thonë analistët.

Analisti Ramush Tahiri vlerëson se vetë shpallja e zgjedhjeve për datën 12 dhjetor është tregues për nevojën e zgjedhjeve të shpejta dhe krijimin e institucioneve të reja, pasi që organet më të larta të shtetit aktualisht nuk funksionojnë.
Institucionet nuk do të funksionojnë, faktikisht.


Institucionet nuk do të funksionojnë, faktikisht. Ato vetëm do ta mbajnë gjendjen çfarë është dhe do të kenë tendenca që të mos përkeqësohet gjendja. Por, askush nuk ka synim se do të merren vendime të rëndësishme apo do të bëhen aktivitete të rëndësisë së veçantë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Tahiri.

Shqetësime të vazhdueshme në Kosovë mbeten çështjet më tepër të ndjeshme, si veriu i Kosovës dhe sundimi i ligjit, duke marrë parasysh se shteti më i ri ende është në fazën e konsolidimit.

Ramush Tahiri thotë se për Kosovën është fat që në fushën e sundimit të ligjit kur institucionet e Kosovës nuk mund të funksionojnë, si në këtë rast, boshllëku plotësohet me mekanizmat ndërkombëtar, si KFOR-i dhe EULEX-i.

“Te ne është mirë se e kemi edhe KFOR-in dhe EULEX-in dhe zakonisht veprimet që kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe destabilizimin nga aspekti i sigurisë koordinohen me faktorin e jashtëm, i cili është i pranishëm në Kosovë, sepse Kosova në njëfarë forme është pavarësi e mbikëqyrur”
, thekson Tahiri.

Ndërkohë, analisti Halil Matoshi thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht Kosova është pa institucione legale.

Ushtruesi i detyrës së presidentit ka edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës dhe shumë shpejt do të hyjë në fushatë zgjedhore, thotë Matoshi. Kurse, Qeveria në dorëheqje, pavarësisht këtij interpretimi kushtetues, sipas Matoshit, është një qeveri e rrëzuar në Parlament.

Matoshi shpreh besimin se për Kosovën do të ishte zgjidhje më e mirë të kishte një qeveri teknike deri në konstituimin e institucioneve të reja.

Me institucione të tilla, Matoshi numëron edhe disa pasoja, të cilat, sipas tij, do t’i kushtojnë Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.
...në kontekstin e jashtëm një gjendje e tillë do t’u japë një argument të fuqishëm pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën...


“Kosova mbetet mbrapa me çështjet e miratimit të buxhetit të shtetit, ndërkaq në kontekstin e jashtëm një gjendje e tillë do t’u japë një argument të fuqishëm pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe këtë argument do ta përdorin në raport me aleatet e Kosovës, që, megjithatë, lobojnë për njohjen e Kosovën dhe për futjen e saj në proceset e integrimeve, posaçërisht atë të liberalizimit të vizave”, thotë Matoshi.

Ndërkohë, lidhur me bisedimet me Serbinë, si një proces që po ashtu do t’i presë institucionet e reja, Matoshi nuk sheh ndonjë problem, pasi që takimet e para, nënvizon ai, janë paraparë të zhvillohen në nivele ekspertësh.

“Presidenti serb, Tadiq, e pati përmendur që me Kosovën mund të fillojnë bisedimet në nivele të ekspertëve dhe tema e parë, agjenda e parë do të jenë të pagjeturit apo të zhdukurit e luftës dhe mendoj se në nivel ekspertësh Kosova, edhe pa institucione, mund ta ndërtojë një grup ekspertësh që të bisedojë rreth kësaj problematike”,
nënvizon Matoshi.

Analistët urojnë që Kosova, pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, të mos vonojë me ndërtimin e institucioneve të reja, pasi që vetëm atëherë, sipas tyre, do të hetohen pasojat e vërteta të këtij vakuumi.

Lexoni edhe këtë:
Qeveria në votëbesim
XS
SM
MD
LG