Ndërlidhjet

Gordon: Rol konstruktiv në bisedime

  • Heather Maher

Filip Gordon

Filip Gordon

"Jemi të gatshëm të përfshihemi në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë", tha Filip Gordon, ndihmës i sekretarit të Shtetit për çështjet evropiane, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


Ndihmësi i sekretarit të Shtetit për çështjet evropiane dhe të Evroazisë, Filip Gordon, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë foli për një mori çështjesh, përfshirë dhe Kosovën.

I pyetur për rolin e mundshëm amerikan në bisedimet e pritshme Kosovë-Serbi, Gordon deklaroi:

“Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka rënë dakord për bisedime mes Kosovës e Serbisë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështetëm dhe votuam për rezolutën, pasi mendojmë se BE-ja është në pozitë të përshtatshme për t’i lehtësuar këto bisedime”.

“Të dyja, Serbia dhe Kosova, duan të anëtarësohen në BE dhe ne e mbështesim integrimin e tyre kur t’i kenë përmbushur kriteret. Ne gjithashtu kemi deklaruar se presim që të jemi të përfshirë dhe jemi të gatshëm për një gjë të tillë”.

“Ne kemi marrëdhënie të fuqishme si me Serbinë edhe me Kosovën dhe kemi çfarë t’u ofrojmë. Derisa BE-ja do t’i lehtësojë bisedimet, ne jemi të gatshëm të luajmë një rol konstruktiv”,
tha Gordon për Radion Evropa e Lirë.

Duke folur për Bosnjën, Gordon premtoi se Uashingtoni do të qëndrojë përkrah Bosnjë-Hercegovinës, por theksoi se ato duhet të bëjnë shumëçka vetë, e në veçanti reformat kushtetuese.

“Mbetemi shumë të angazhuar në Bosnjë dhe kjo është arsyeja pse Sekretarja Klinton dëshironte të udhëtonte atje dhe t’ia transmetonte vetë këtë mesazh popullit të Bosnjë-Hercegovinës”.

“Ne e mbështesim Bosnjën si një shtet funksional dhe sovran. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në Bosnjë gjatë gjithë këtyre viteve. Ka pasur përparim të dukshëm, në veçanti në dekadën e parë pas Marrëveshjes së Dejtonit”.

“Ne besojmë se reforma kushtetuese është e nevojshme, por vendi duhet t’i bëjë vetë disa punë. Ndërkohë, sherret mes politikanëve nuk do ta çojnë Bosnjën atje ku ajo ka nevojë”,
tha Gordon.

Diplomati amerikan trajtoi dhe një mori çështjesh që kanë të bëjnë me politikën e jashtme amerikane. Gordon përsëriti qëndrimin amerikan se Uashingtoni kundërshton thirrjet e Rusisë për një pakt të ri të sigurisë evropiane.

“Shtetet e Bashkuara prej disa kohësh kanë qenë të qarta, ashtu siç kanë qenë të qartë dhe disa nga aleatët tanë, se nuk kemi nevojë për një marrëveshje të re. Kemi në funksion disa institucione të mira si dhe parime të mira pune e veprimi”.

“Në këtë kuptim, nuk e shoh se do të ishte produktiv harxhimi i kohës për të negociuar një marrëveshje të re, bisedimet për të cilën do të ishin shumë të vështira. Në këtë kuptim, nuk mendoj se është e nevojshme”,
tha Gordon. (i.b.)
XS
SM
MD
LG