Ndërlidhjet

Është evidente se në skenën politike të Kosovës tashmë po shpërfaqen fraksione të ndryshme brenda partive si dhe aderime nga njëra parti në tjetrën, thonë analistë të çështjeve politike. Sipas tyre, këto janë procese, të cilat nuk i bëjnë mirë Kosovës e as skenës politike të saj.

Analisti Ismajl Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se të gjitha këto lëvizje janë të përqendruara në kontekstin e vrapit për të arritur, siç thotë ai, tregun e turbulluar të skenës politike në Kosovë.

Ismajl Hasani
“Destabilizimi institucional dhe çrregullimet shoqërore krijojnë edhe tregun e turbullt në skenën politike, në të cilën njerëzit, me ose pa ‘background’, vrapojnë pas atraksioneve, paraqiten me fraksione, me lëvizje të ndryshme partiake, me aderime prej një partie në partinë tjetër etj”.

“Për mendimin tim, ky është proces që nuk i bën mirë një shoqërie, e sidomos Kosovës në këtë fazë”,
thotë Hasani.

Analisti Ardian Arifaj, nga Klubi për Politikë të Jashtme, vlerëson se lëvizjet brenda skenës politike janë më shumë një reflektim i mungesës së demokracisë brenda vetë partive politike. Një gjë e tillë, sipas tij, reflektohet me pakënaqësitë e anëtarëve të caktuar të partive, të cilët kanë ambicie për t’u ngjitur më lart në hierarkitë e partive.

“Shpeshherë detyrohen ta braktisin partinë dhe shpeshherë reflektohen me përçarje dhe fragmentarizëm brenda vetë partisë. Normalisht, kjo reflektohet negativisht edhe në gjithë skenën politike kosovare”.

“Partitë nuk mund të jenë të forta, nuk mund të artikulojnë mirë programe dhe nuk mund të angazhohen mirë, sepse mbesin parti të dobëta, për shkak të dobësisë që e kanë vetë përbrenda. Është një pasojë e mënyrës se si janë ndërtuar partitë te ne, rreth një emri, rreth një lideri e jo rreth ideve dhe programeve”,
shprehet Arifaj.

Të dy këta analistë nuk presin që në partitë e deritashme të ketë ndryshime në konceptin e tyre. Ata thonë se janë partitë e reja ato, të cilat janë futur rishtazi në skenën politike kosovare, që mund të sjellin ndryshime pozitive.

Megjithatë, sipas analistëve, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim esencial në radhitjen e partive në skenën politike të Kosovës. Analisti Hasani thotë se aktaulisht është e vështirë të parashikohet ndonjë ndryshim.

“Me tronditjen e fundit që ka ndodhur me rënien e Qeverisë Thaçi dhe postimin e zgjedhjeve nacionale për dhjetor, në vend të datës që ishte caktuar, nuk mund të priten lëvizje të mëdha, në kuptimin e paraqitjes së befasive në skenën politike”.

“Por, megjithatë, konsideroj se te disa subjekte politike mund të paraqiten lëvizje të lehta, në kuptimin pozitiv ose në kuptimin negativ”,
thotë Hasani.

As analisti Arifaj nuk pret ndryshime të mëdha në radhitjen e partive në skenën politike. Sipas tij, është vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ajo që mund të shënojë kthesë pozitive në kuptimin e demokratizimeve brenda vetvetes.
Tërmeti’ më i madh mund të vijë prej LDK-së, nëse ata arrijnë të kenë një demokraci brenda partisë, e që do të reflektohej pozitivisht te votuesit...

“Nuk shoh se do të ketë ndonjë ndryshim të madh. Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë e merr një numër të njëjtë të votuesve. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e hendikepuar që këtë herë nuk e ka liderin e partisë në Kosovë, për të udhëhequr fushatën. Partitë tjera, besoj se kanë për të mbetur njëjtë”.

“Kush ka para më shumë për fushatë, do të ketë mundësi të fitojë më shumë vota dhe të bindë më shumë njerëz që të votojnë për të. Kush ka më pak para, do të ketë më pak njerëz që ta votojnë. Nuk besoj që partitë e reja dhe partitë e vogla do të mund të bëjnë ndonjë ‘tërmet’ në skenën politike”.

“‘Tërmeti’ më i madh mund të vijë prej LDK-së, nëse ata arrijnë të kenë një demokraci brenda partisë, e që do të reflektohej pozitivisht te votuesit. Në këtë mënyrë, mund të ketë ndryshim të radhitjes së partive në Kosovë”,
konkludon Arifaj.

Lexoni edhe këto:
Institucione jofunksionale
Proces demokratik apo i orkestruar?!
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG