Ndërlidhjet

Dilemat rreth regjistrimit


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoni, kanë konfirmuar dallimet që ekzistojnë mes tyre për mënyrën e përfshirjes së mërgimtarëve në procesin e regjistrimit, por nga BDI-ja besojnë se regjistrimi do të jetë transparent. Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Rafis Haliti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka folur edhe për çështjen e dosjeve, si dhe për ndikimin e tyre dhe të regjistrimit në raportet ndëretnike në vend.


Bashkimi Demokratik për Integrim ka pranuar se ka dallime me partnerin e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE, rreth përmbajtjes së Ligjit për regjistrimin e popullsisë, i cili kundërshtohet ashpër edhe nga opozita shqiptare.

Nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se dilemat kanë të bëjnë me mënyrën e përfshirjes në procesin e regjistrimit të shtetasve që jetojnë dhe punojnë përkohësisht jashtë vendit.

“Ne mendojmë se në listën e regjistrimit, adresë zyrtare e çdo personi në Republikën e Maqedonisë, që brenda vitit ka qenë këtu, pasi që ajo kategori e qytetarëve edhe do të regjistrohet, të merret si bazë adresa e vendbanimit në Maqedoni dhe jo ajo ku atje punon, apo edhe ka shtëpi. Kështu që ne po bisedojmë rreth kësaj çështjeje me partnerët e koalicionit”, ka thënë Haliti.

Pas polemikave të shumta mes partive politike për çështjen e regjistrimit, fshihen vlerësime të ndryshme rreth numrit të shqiptarëve në Maqedoni.

Që nga hapja e këtij debati, në opinion kanë qarkulluar shifra të ndryshme se numri i shqiptarëve do të jetë më i ulët, apo më i lartë se 25,17 për qind, sa edhe janë shqiptarët sipas regjistrimit të para 10 viteve.

“Ne duhet të sigurojmë popullatën se ligjin, të cilin do ta votojmë në Kuvendin e Maqedonisë, do të garantojë një regjistrim të drejtë dhe transparent dhe ky është obligimi ynë që patjetër edhe duhet ta bëjmë”
, ka theksuar Haliti.

Ndërkohë, sa i përket çështjes tjetër aktuale në Maqedoni, asaj të dosjeve të zyrtarëve të BDI-së, Haliti është shprehur:

Shkupi

“Kjo që ndodh me dosjet, mendoj se vjen me paramendim nga një qendër, e cila në mënyrë të vazhdueshme u shkakton shqiptarëve probleme të brendshme. Por, sa shqiptarët, ata do të jenë imun ndaj kësaj, këtë do ta tregojë koha”.

“Sidoqoftë, mendoj se subjekti politik shqiptar që ka rënë në ndikimin e kësaj qendre, mendoj se tregon një papjekuri politike të veten, pasi me metoda të këtilla nuk mund të fitojë besimin e popullatës, në këtë rast të asaj shqiptare”.


I pyetur nëse polemikat e këtilla jo vetëm për regjistrimin e popullatës dhe dosjet, por edhe ato rreth projekteve që janë vlerësuar si mono-etnike, si ngritja e përmendoreve maqedonase në sheshin e Shkupit, enciklopedia dhe vendimi për mësimin e maqedonishtes nga nxënësit shqiptarë të klasave të para, kanë ndikuar në përkeqësimin e raporteve ndëretnike, zoti Haliti beson se toleranca ndëretnike ekziston në Maqedoni.

Mirëpo, sipas Halitit, struktura të caktuara brenda institucioneve kanë ndikuar që të ketë lëkundje, por jo edhe prishje të marrëdhënieve ndëretnike. Ai me këtë rast ndalet te vendimi i Ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, për mësimin e maqedonishtes.

“Ishte një hap jo mirë i menduar që nxënësve shqiptarë t’u imponohet mësimi i maqedonishtes. Nuk është e vërtetë se ne nuk e mësojmë gjuhën maqedonase, përkundrazi, ne e mësojmë, por mendoj se respekti duhet të jetë i ndërsjellë dhe këtu mendoj se ne çalojmë”.

“Shqiptarë kanë atë ndjenjë, duke u nisur prej meje, se vazhdimisht neve na imponohet diçka të mësojmë, por jo edhe fqinjët tanë të mësojnë gjuhën tonë dhe këtu mendoj se respekti duhet të jetë i ndërsjellë”
, ka nënvizuar nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti.
XS
SM
MD
LG