Ndërlidhjet

logo-print
Përderisa Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përcaktuar të premten agjendën e punës së Kuvendit Zgjedhor, që do të mbahet të dielën, Lista Ibrahim Rugova, e dalë po nga LDK-ja, ka aplikuar për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit si iniciativë qytetare.


Lidhja Demokratike e Kosovës përfundimisht mund të shkojë me dy lista në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Njëra si listë e LDK-së dhe tjetra si Lista Ibrahim Rugova.

Kryetari aktual i LDK-së, Fatmir Sejdiu, tha se partia që ai drejton po shkon në Kuvendin Zgjedhor – që do të mbahet të dielën - e përgatitur mirë. Por, ai nuk pranoi të konfirmojë nëse do të jetë apo jo kandidat për kryetar të LDK-së.

Shkrimet në media për tërheqjen e tij nga gara ditën e mbajtjes së Kuvendit, për t’i lëshuar drejtimin e partisë Isa Mustafës, kryetari Sejdiu i cilësoi si shkrime në media dhe asgjë më tepër.
Qëndrimin tim e shpreh në Kuvendin e partisë.


“Qëndrimin tim e shpreh në Kuvendin e partisë. Aty do të shihet se si do të shkojë... Me rëndësi është që të jetë një punë e mirë. Do të zgjidhet edhe këshilli i përgjithshëm. Pastaj, prej këshillit të përgjithshëm del struktura tjetër që lidhet me nënkryetarët e partisë dhe anëtarët e kryesisë. Kujtoj se do të jetë një votim i lirë në mënyrën që vendos kuvendi”, tha Sejdiu.

Organet drejtuese që do të dalin nga Kuvendi Zgjedhor i së dielës janë të papranueshme për Listën Ibrahim Rugova, e cila drejtohet nga Ukë Rugova, djali i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Anëtari i kësaj liste, Astrit Haraqija, njëherësh me post edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, tha se LDK-ja duhet t’i rikthehet procesit të brendshëm zgjedhor pas zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit, pasi që zgjedhjet e tashme, sipas tij, nuk ishin të rregullta.

Ne jemi LDK dhe në asnjë moment nuk largohemi prej LDK-së. Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kërkojmë që të mbahen zgjedhje të partisë, me reforma të thella, jo vetëm sa për sy e faqe”.

“Unë do të kërkoja edhe nga kuvendi që t’i masë punët pak më mirë – të krijohet një kryesi teknike, të udhëheqë këtë proces deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 12 dhjetor dhe pastaj të mbahen zgjedhjet partiake, sepse nuk bën ndryshe”,
u shpreh Haraqija.

Lista Ibrahim Rugova është prezantuar në media si një iniciativë qytetare, që i përket spektrit të djathtë politik. Në media dhe opinion është folur edhe për mundësinë e përafrimit të saj me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e proklamuar po ashtu si subjekt djathtist.

Por, Haraqija tha se një gjë e tillë nuk qëndron dhe se kjo listë do të shkojë në zgjedhje si iniciativë qytetare, ndërsa do t’i kthehet LDK-së pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, duke kërkuar zgjedhje të reja në LDK.
Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje, as me AAK-në, as me PDK-në, as me një parti tjetër.


Haraqija tha se lista nuk nënkupton largimin e Ukë Rugovës dhe të përkrahësve të tij nga LDK-ja.

“Ne si listë do të dalim si listë e pavarur, pasi u krijua në kushte të jashtëzakonshme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për këtë situatë të jashtëzakonshme, është dashur ta krijojmë këtë listë. Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje, as me AAK-në, as me PDK-në, as me një parti tjetër. Ne jemi duke biseduar për opsionet e mundshme”, tha Haraqija.

Sidoqoftë, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila sot drejtohet nga Fatmir Sejdiu dhe kryesia aktuale, kanë organizuar procesin zgjedhor nëpër degë e nëndegë. Të dielën, në Kuvendin Zgjedhor, pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i partisë, këshilli i përgjithshëm, si dhe kryesia e re e LDK-së.

Ballafaqimi ndërmjet Listës Ibrahim Rugova dhe kryesisë së re të LDK-së mund të pritet pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG