Ndërlidhjet

Qasja ndërkombëtare ndaj strukturave paralele


Mitrovicë

Mitrovicë

Udhëheqësit e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës thanë se nuk u takon atyre t’i zhbëjnë strukturat paralele politike serbe në veri. Ata theksuan se mund të veprojnë kundër strukturave paralele të sigurisë, në rast se evidentohet ekzistimi i tyre. Ndërkaq, kreu i EULEX-it, Xavier De Marnac, shprehu vendosmërinë për rritjen e pranisë së EULEX-it edhe në veri, ndërsa theksoi rëndësinë që Bashkësia Ndërkombëtare të ketë kontakte dhe dialog me përfaqësuesit të shqiptarëve, por edhe të serbëve.


Shefi i misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit, Xavier Bout De Marnac, u shpreh i vendosur që të rrisë praninë e EULEX-it edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në veri të Mitrovicës, Marnac tha se do të rrisë përkushtimin e EULEX-it në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të paligjshëm në të dy anët e lumit Ibër.
Qëllimi im është që të rris dukshmërinë dhe praninë e pjesëtarëve të EULEX-it në të gjithë Kosovën, përfshirë veriun.


“Qëllimi im është që të rris dukshmërinë dhe praninë e pjesëtarëve të EULEX-it në të gjithë Kosovën, përfshirë veriun”
, tha Marnac.

Marnac shprehu bindjen se përmes dialogut, serbët dhe shqiptarët në Kosovë mund t’i zgjidhin problemet që kanë ndërmjet vete. Sipas mediave, Marnac gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të shtetit serb dhe përfaqësues të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.

Marnac vlerësoi se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të ketë kontakte me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve, por nuk precizoi se cilët janë këta përfaqësues.

“Shqiptarët do të duhej të flisnin me serbët, serbët do të duhej të flisnin me shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilën ne e përfaqësojmë këtu, do të duhej të fliste me të gjithë”
, theksoi Marnac.

Ekzistimin e strukturave paralele serbe në veri e patën pranuar kohë më parë edhe përfaqësues të misioni të NATO-s në Kosovë dhe ata të Policisë së Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler, tha se nuk i takon misionit që ai drejton, të veprojë kundër strukturave politike paralele. Mirëpo, strukturat paralele të sigurisë, sipas tij, janë në kundërshtim me rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara, andaj dhe duhet të ndërmerren masa ndaj tyre.

“Çdo gjë tjetër që nuk është legale është në kundërshtim me 12 44-shin dhe duhet të merremi me të. Nëse kemi evidencë do të ndërmarrim masat e nevojshme”
, tha Byhler pas një takimi që zhvilloi me drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

Ky i fundit, Maliqi, tha se personat, të cilët në veri e paraqesin veten si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, do të përballen me arrest dhe masa të tjera ligjore nëse identifikohen nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës


“Ka individë që atje e prezantojnë vetën si MUP-i i Serbisë. Në të gjitha ato raste kur ne kemi njohuri dhe kemi mundësi t’i identifikojmë ata persona, me siguri se ata do të ballafaqohen me ligjin dhe arrestin”
, deklaroi Maliqi.

Një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, përfaqësues të strukturave paralele serbe në veri kanë shtuar thirrjet e tyre drejtuar banorëve lokalë serbë për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve.

I pyetur nëse pret të ketë një tensionim të situatës dhe trazira eventuale në mes të serbëve më 12 dhjetor, komandanti i KFOR-it Byhler tha:
Situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë sesa reputacioni për situatën e sigurisë në këtë vend.


“Nuk pres ndonjë problem që ka të bëjë me situatën e sigurisë. Situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë sesa reputacioni për situatën e sigurisë në këtë vend”.

“Ne i kemi ndërmarrë masat në veri, së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës dhe po përpiqemi të rrisim stabilitetin dhe sigurinë në këtë pjesë të vendit. Kjo do të thotë se jemi të përgatitur t’i përgjigjemi menjëherë çfarëdo kërcënimi ndaj qytetarëve dhe situatës së sigurisë së vendit”.

Lexoni edhe këto: A ka plan për zhbërjen e strukturave paralele?
Presionet e strukturave paralele

XS
SM
MD
LG