Ndërlidhjet

Shqetësuese - prokurimi dhe mediat



Në draftin e raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, vërehet qartë se fushat ku Bashkimi Evropian është më i shqetësuar, është lufta jo e duhur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, politizimi i gjyqësorit, ndikimi në administratën publike, funksionimi jo i duhur i kësaj administrate, si dhe mungesa e lirisë së shprehjes.

Megjithatë, Komisioni Evropian përmend se ka disa fusha ku është arritur pak përparim në Kosovë, mirëpo nënvizon se përparimi kryesisht është në miratimin e ligjeve, por jo edhe në zbatimin e tyre.

Komisioni vlerëson se në shumë fusha Kosova është vetëm në fazën fillestare të adaptimit me standardet dhe ligjet e Bashkimit Evropian, ndërsa në shumë të tjera (fusha) ajo ka ngelur shumë prapa dhe nuk është duke bërë sa duhet.

Komisioni ka përshëndetur përkushtimin e Kosovës për integrime në BE, dhe në këtë mënyrë edhe formimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe ka kërkuar që kjo ministri të përforcohet.

Mirëpo, Komisioni vëren se janë disa fusha ku në Kosovë ka munguar angazhimi i autoriteteve për të bërë përmirësime.

Si shqetësuese vazhdon të shihet sidomos çështja e prokurimit publik dhe liria e mediave.

Sa i përket mediave, Komisioni konstaton se në Kosovë në praktikë nuk është e garantuar liria e shprehjes, se gazetarët shpesh janë viktimë e kërcënimeve për shkak të punës së tyre dhe se ata kanë problem edhe me qasjen në dokumentet zyrtare.

Në këtë mënyrë, edhe Komisioni Evropian u është bashkëngjitur shumë organizatave ndërkombëtare që e kanë kritikuar Kosovën për mungesë të lirisë së mediave.

Po ashtu, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni vlerëson se janë miratuar disa ligje, mirëpo lidhur me luftën kundër trafikimit të drogës, thuhet se nuk ka pasur dënime, aktakuza dhe konfiskime të pasurisë në raste të tilla, prandaj kërkon nga Kosova që të përshpejtojë punën në këtë drejtim.

Qeveria e Kosovës thuhet se ka bashkëpunuar në hetimet e EULEX-it ndaj Ministrisë së Transportit dhe në rastin e arrestimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, mirëpo edhe këtu kërkon nga Kosova që të bëjë më shumë.

Është interesante se në pjesën ku flitet për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat ndërkombëtare dhe ato rajonale, kërkohet nga Kosova që të ketë një qasje më pragmatike për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës, por edhe të Serbisë në këto nisma dhe që ato të funksionojnë si duhet.

Fjala është sidomos për CEFTA-n ku Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina janë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe për këtë arsye po ka probleme në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
XS
SM
MD
LG