Ndërlidhjet

logo-print

Heqje vizash me kushte për Shqipërinë e Bosnjën



Ministrat e Brendshëm të BE-së pritet të bien dakord në fillim të javës së ardhshme për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës. Zyrtarët evropianë kanë deklaruar se megjithatë vendimi do të merret pa entuziazëm. Agjencia gjermane e lajmeve raporton se Franca dhe Holanda janë vendet që përmenden nga një numër diplomatësh se kanë rezervat më të mëdha rreth këtij vendimi.

"Nuk jemi të kënaqur në tërësi me procedurën" citon agjencia gjermane e lajmeve një diplomat nga grupi i vendeve dyshuese.

Shqetësimet janë nxitur nga vala e strehimkërkuesve nga Maqedonia e Serbia pas heqjes së vizave për këto vende më 19 dhjetorin e 2009-ës.

Megjithatë ministrat do të votojnë dhe vendimi do të meret me shumicë votash, çfarë sipas të gjitha gjasave, do t'i mundësojë banorëve të Shqipërisë e Bosnjës të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shëngen nga fundi i këtij viti.

Për të adresuar shqetësimet e disa vendeve vendimi do të shoqërohet me një angazhim me shkrim nga Komisioni Evropian se do të jetë vigjilent dhe do të ndjekë me sukses valën e migracionit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zona Shëngen përbëhet nga vendet e BE-së, me përjashtim të Britanisë, Irlandës, Rumanisë e Bullgarisë, por në listë hyjnë Zvicra, Norvegjia e Islanda, shtete që nuk janë anëtare të BE-së.
XS
SM
MD
LG