Ndërlidhjet

“Ku është ligji im?!”


Prishtinë 5 nëntor 2010
Prishtinë 5 nëntor 2010
Mbi 120 të rinj kanë ekzekutuar të premten mbrëma në Prishtinë, performansën artistike me titull “Ku është ligji im?”. Autori i kësaj performanse, Resul Jusufi, thotë se mesazhet e kësaj performanse në vete bartin një lloj proteste dhe këshille për shoqërinë dhe institucionet se ligjet duhet respektuar. Qytetarët që kanë ndjekur performansën, e kanë vlerësuar atë si një reflektim artistik në funksion të vetëdijesimit të kosovarëve për zbatimin e ligjit dhe ngecjet në këtë drejtim.


Me moton “Askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë të barabartë para ligjit”, të premten në Prishtinë, në sheshin “Nëna Terezë”, është mbajtur performansa e quajtur “Ku është ligji im?”, e autorit Resul Jusufi.

Të rrethuar me pankarta, në të cilat ishin shkruar emrat e ligjeve të ndryshme dhe pyetjet se pse nuk zbatohen tërësisht ato, mbi 120 të rinj, pjesëmarrës në performansë, rreth dy orë kanë argëtuar qytetarët.

Autori i performansës, Resul Jusufi, thotë se është përpjekur që përmes artit të artikulojë pakënaqësinë qytetare për moszbatimin e mjaftueshëm të ligjeve.
Ligji është mbi të gjitha. Askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është i njëjtë për të gjithë.


“Një pjesë luajnë me vegla muzikore, violinë, kitarë, fizarmonikë. Pjesa tjetër pikturojnë dhe lexojnë. Do të thotë, i kemi ndarë në disa grupe dhe në çdo 40 minuta ndërrohen. Kemi rreth 2 orë program”.


“Ata janë aty ta argëtojnë qytetarin dhe ta vetëdijesojnë për ligjin, që të fillohet të mendohet më seriozisht në këtë drejtim, sepse vetëm duke respektuar ligjin, ne mund të ecim përpara. Ligji është mbi të gjitha. Askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është i njëjtë për të gjithë”, thotë Jusufi.

Në anën tjetër, një numër i madh i qytetarëve kanë ndjekur performansën e autorit Jusufi. Disa prej tyre e kanë vlerësuar idenë dhe mesazhet që ka bartur performanca.

Meruan Rexhepi thotë se pyetjet që ishin parashtruar përmes performansës “Ku është ligji im?”, janë edhe pyetje të secilit qytetar:

“Shoh se e ka shkruar këtu ‘Ku është ligji im?!’. Ka art, muzikë, e kështu me radhë. Sigurisht, këto pyetje është dashur t’i bëjë qytetari, ku është ligji im. Por, fare pak zbatohet... pothuajse fare”.


Ngjashëm shprehet edhe Bajram Kadriu:

“Unë pashë pyetjet se ku janë ligjet për duhanin, zhurmën, mbrojtjen e ajrit, ligji për mbeturina, për probleme të ndryshme etj. Unë kujtoj se është një mesazh jashtëzakonisht i mirë në përgjithësi për popullin e Kosovës. Të gjitha këto pyetje dhe përgjigjet, ne i gjejmë pikërisht në ligjet tona. Ligjet tona janë në harmoni me ligjet e Bashkësisë Evropiane, por zbatimi i tyre në praktikë, nuk është as përafërsisht, krahasuar me hartimin e tyre”.


Argjirë Krasniqi thotë se përmes performansës është pasqyruar edhe një protestë qytetare.
Vetë këto instalacione që po bëhen, tregojnë se ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën e respektimit të të drejtave tona këtu.


“Vetë këto instalacione që po bëhen, tregojnë se ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën e respektimit të të drejtave tona këtu”
, shprehet Argjira Krasniqi.

Ndryshe, autori Jusufi thotë se performansa “Ku është ligji im?”, bart idenë edhe për sensibilizimin e qytetarëve për obligimet dhe detyrimet që kanë vetë ata ndaj ligjeve.

“Ideja ka qenë që përmes artit, qytetarët edhe të argëtohen këtu, por të njëjtën kohë të marrin edhe një informatë që duhet të kemi kujdes që të bëjmë më shumë për respektimin e ligjit. Nuk është fjala tash vetëm tek institucionet, por edhe te vetë qytetarët”.

“Do të thotë, vetëdija e qytetarit duhet të ngrihet në atë shkallë, sa që edhe institucioni, në njëfarë forme, kushtimisht, ndoshta do ta ketë më të lehtë dhe nuk do të hezitojë ta respektojë ligjin deri në atë pikë sa duhet ta respektojë atë”
, sqaron Jusufi.

Projekti për performansën “Ku është ligji im?”, është financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG