Ndërlidhjet

Isa Mustafa zgjidhet kryetar i LDK-së


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kuvendi i VII Zgjedhor i LDK-së zgjodhi Isa Mustafën për kryetar të partisë, përballë kandidatit Fatmir Sejdiu.


Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, është zgjedhur kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së, Mustafa fitoi me 234 vota në garën për të parin e partisë - post për të cilin kandidoi dhe kryetari i deritashëm, Fatmir Sejdiu.

Ky i fundit arriti të fitojë 124 vota nga 359 delegatët e pranishëm të LDK-së.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar i LDK-së, Mustafa foli për sfidat e ardhshme, planin dhe vizionin e partisë, ndërsa i bëri thirrje elektoratit të LDK-së, siç u shpreh ai, pastaj atyre të shpërndarë në subjekte të tjera, ose që kanë abstenuar për një kohë të gjatë, që të rikthehen në LDK.

“I ftoj ata që të kthehen, sepse ne, së bashku - ne që kemi jetuar në një shtëpi, mund ta arrijmë fitoren dhe mund ta realizojmë përgjegjësinë tonë për qeverisjen e drejtë të Kosovës”
, tha Mustafa.

Gara për kryetar të LDK-së u zhvillua pavarësisht pritjeve dhe pas spekulimeve të shumta lidhur me skenarin e zhvillimit të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së.


Ish-kreu i LDK-së, Sejdiu, dhe kryetari i ri, Mustafa, hynë së bashku në sallën e konferencave të Hotelit Grand në Prishtinë, ku u mbajtën punimet e Kuvendit Zgjedhor të partisë.

Së bashku, ata gjithashtu bënë publike kandidaturat e tyre.

Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës u mbajt para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë.

Këto zgjedhje do të zhvillohen pas votimit të mocionit të mosbesimit për Qeverinë e Hashim Thaçit dhe shpërndarjes së Parlamentit të Kosovës - zhvillime këto të cilave u parapriu shkëputja e LDK-së nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.

Mustafa, i cili që nga themelimi i koalicionit të dikurshëm qeverisës LDK-PDK, kishte qenë kritikuesi më i zëshëm i tij, tha se kritikat nuk kanë pasur të bëjnë me motive personale.

“Kemi kritikuar Qeverinë e kaluar dhe koalicionin qeveritar, jo për arsye personale, por sepse unë vetë kam konsideruar se qeverisja e tillë nuk i shërben qeverisjes së vendit. Por, ne nuk duhet të hezitojmë t’i pranojmë gabimet tona, t’i themi ato hapur, t’i përmirësojmë dhe të mos i përsërisim”
, u shpreh Mustafa.

Kuvendi i VII Zgjedhor i LDK-së shpalli kryetar nderi kryetarin e deritashëm, Fatmir Sejdiu.

Në punimet e këtij kuvendi, ndërkaq, nuk kanë marrë pjesë Bujar Bukoshi, i cili bashkë me Ukë Rugovën, djalin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ditë më parë publikuan Listën "LDK - Ibrahim Rugova".

Që nga vdekja e kryetarit të parë të saj, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike është përballur me një varg problemesh që, ndër të tjera, çuan në ndarjen e një pjese të anëtarëve të saj me në krye Nexhat Dacin, i cili pastaj formoi një subjekt të ri politik - Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Lexoni edhe këtë: Sejdiu nuk do të garojë për deputet
XS
SM
MD
LG