Ndërlidhjet

Kush do t’i monitorojë zgjedhjet?


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëjnë të ditur se kanë ftuar vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Këtë proces zgjedhor do ta monitorojë edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”. Ata thonë se tashmë kanë filluar hapa konkretë në përgatitjen e procesit të vëzhgimit.


Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit do të vëzhgohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se aktualisht nuk mund të flitet për një numër të saktë të vëzhguesve, por, sipas saj, KQZ-ja ka marrë premtime të mëdha nga ambasadat e vendeve të Quintit se do të dërgojnë vëzhgues për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Zonja Daka bën të ditur, po ashtu, se tashmë u është bërë ftesa zyrtare të gjitha KQZ-ve rajonale.

“Ftesën zyrtare do t’ia bëjmë asociacionit zgjedhor të Evropës, nëpërmjet të cilit do të kërkojmë që të gjithë anëtarët që janë në këtë asociacion, të na dërgojnë vëzhgues. Gjithashtu, edhe OJQ-të janë të ftuara publikisht; OJQ-të vendore normalisht, vëzhguesit e subjekteve politike etj.”,
thotë Daka.

Ndryshe, disa nga partitë politike kanë shprehur shqetësimet e tyre duke thënë se për shkak të festave të fundvitit, shumë vëzhgues ndërkombëtarë, mund të mos i përgjigjen ftesës së KQZ-së për monitorimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Por, për këtë çështje, zonja Daka thotë:

“Ne, ftesat i kemi dërguar edhe ajo varet prej tyre nëse do të vijnë. Mirëpo, ne prej ambasadave kemi konfirmim se do të ketë vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur gatishmëri që të vijnë”.


Jakup Krasniqi, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, dhe Hashim Thaçi kryeministër në dorëheqje, kanë ftuar mekanizmat ndërkombëtarë që t’i vëzhgojnë zgjedhjet në Kosovë, për të cilën gjë, sipas tyre, është marrë edhe konfirmimi.

Nga ana tjetër, edhe në këto zgjedhje, koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, do t’i monitorojë zgjedhjet.

Ismet Kryeziu, drejtues i këtij koalicioni, pos që konfirmon vëzhgimin e zgjedhjeve, u bën thirrje subjekteve politike që të mbizotërojë një proces demokratik.

“ ‘Demokracia në Veprim’ ka filluar qysh më herët me reformën zgjedhore, ndërsa tash jemi në fazën e aktiviteteve për edukimin e votuesve dhe informimin e tyre për ndryshimin e ligjit. Po ashtu, jemi në përgatitje të rekrutimit të vëzhguesve për t’i mbuluar të gjitha vendvotimet në Kosovë. Jemi të përgatitur maksimalisht që të marrim pjesë në proces sa më mirë”
, konfirmon Kryeziu.

Kryeziu sqaron se “Demokracia në Veprim”, do të veprojë në dy plane, sa i takon vëzhgimit të zgjedhjeve.

“Jemi duke operuar me dy plane operative, për të pasur dy mundësi: atë për të pasur vëzhgues ditor, të cilët do të përcjellin vetëm procesin e votimit; dhe për të pasur vëzhgues, të cilët do ta përcjellin enkas procesin e numërimit. Plani i parë është që të kemi rreth 5 mijë vëzhgues aktivë, por do të shohim, gjatë javës së ardhshme do t’i kemi numrat e saktë”,
sqaron Kryeziu.

Zgjedhjet lokale të vitit të kaluar u vëzhguan nga 2,400 vëzhgues të pavarur, ndërsa 1,230 vëzhgues ishin të huaj, por edhe mijëra të tjerë të partive politike.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG