Ndërlidhjet

logo-print

Gratë nuk përfillen në vendimmarrje


Përfaqësimi i grave në Parlamentin e Kosovës

Përfaqësimi i grave në Parlamentin e Kosovës

Përfaqësuese të organizatave që merren me të drejtat e grave, shprehen të pakënaqura me pjesëmarrjen e grave në pozita ekzekutive.


Gratë janë të pakënaqura me pjesëmarrjen e tyre në pozitat ekzekutive. Përfaqësuese të organizatave që merren me të drejtat e grave, shprehin pakënaqësi dhe, sipas tyre, do të punohet shumë më shumë në këtë drejtim në mënyrë që gratë të marrin rolin që e meritojnë.

Igballe Rogova, udhëheqëse e Rrjetit të grupeve të grave të Kosovës, thotë se pa përfshirjen e plotë të gruas në proceset politike, nuk do të ketë shoqëri të emancipuar dhe demokratike.

”Në strategjinë e Rrjetit 2011 – 2013, do të insistojmë sa më shumë të takohemi me gra dhe t’u tregojmë se ne i përkrahim, por ato vetë duhet të dinë ta marrin rolin e tyre, të dinë se ku e kanë vendin. Gjithashtu, partitë e reja shpresoj se do të inkuadrojnë gra të reja dhe do të jenë aktive, e ato që nuk kanë qenë aktive, duhet të shkojnë në shtëpi, sepse nuk kanë bërë asgjë”, thotë Rogova.

Zylfije Hundozi, ish-deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shprehet tejet shumë e pakënaqur me rolin e gruas në pozita vendimmarrëse.

Sipas Hundozit, përmbushja e kuotës prej 30 për qind është e aplikueshme në Parlament, derisa në anën tjetër asnjëherë nuk iu është dhënë mundësia grave për të qenë në pozita të larta vendimmarrëse.

”Vetëm 2 gra kanë qenë kryetare të komisioneve. Prej 16 komisioneve, 14 kanë qenë të udhëhequra prej burrave. Aty ku janë pozitat vendimmarrëse nuk ka gra, janë gjithë burra”.

“Ne e kemi ngritur zërin, por kur ishte ndryshimi i ligjit, sa i përket 30 përqindëshit të femrave në Parlament, është për t’u çuditur se çfarë mendimi negativ kanë për gjininë femërore dhe në amendament është shkruar gjinia pakicë. Pra, në mentalitetin e burrave femrat janë pakicë”
, tregon Hundozi.

Por, jo edhe Mimoza Ahmeti ish-deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, mendon se nuk ka përmirësime në rolin vendimmarrës të gruas.

Ahmeti thotë se sistemi zgjedhor është shumë i favorshëm për gjininë femërore.

“Ajo që unë mendoj është se sistemi zgjedhor që ne e kemi, mbajtja e një zone të vetme zgjedhore dhe proporcionaliteti strikt që e kemi, është shumë i favorshëm për gjininë femërore. Kemi pasur 30 për qindëshin që garantohet me ligjet në fuqi, si dhe me Kushtetutën e Kosovës, dhe mendoj që nga zgjedhjet në zgjedhje ka pësuar përmirësime apo ngritje kualitative në përmbajtje”,
shprehet Ahmeti.

Ndërkaq, Rita Hajzeraj, ish-deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se nëse merret parasysh Ligji i të drejtave për të dy gjinitë, të drejtat janë të barabarta pa kuota gjinore.

Ndërsa, nëse e shohim ligjin tjetër për gratë në Parlament dhe institucionet tjera vendimmarrëse, atëherë përcaktohet 30 për qind e garantuar e përfshirjes së grave, gjë që sipas saj, respektohet vetëm në Parlament dhe jo në institucionet tjera.

“Kjo tregon dhe një herë sistemin tonë patriarkal që nuk është larg nga mesi ynë dhe tranzicioni, nëpër të cilin po kalon Kosova dhe tendencat e Kosovës për të shkuar në Bashkimin Evropian, pa i respektuar kriteret bazë të të drejtave të njeriut, nuk mendoj se do të jenë lehtë të arritshme”.

“Nëse e marrim 30 për qindëshin që është i përcaktuar për gra deputete, mund të shihet si aspekt negativ, sepse po e diskriminon gruan, ndërsa nëse e shohim realitetin në Kosovë, është një hap përpara. Ato kanë problem të hyjnë në Parlament pa e pasur të garantuar kuotën prej 30 për qind”,
thekson Hajzeraj.

Ndryshe, në Kosovë tashmë ekziston edhe Ligji për barazi gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse.

Por, siç thonë edhe vetë përfaqësueset e organizatave, edhe për këtë ligj ka hapësirë për kritika, për faktin se as ai s'po zbatohet ashtu siç parashihet.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG