Ndërlidhjet

Ekspertët në Shkup thonë se raporti i KE-së për Maqedoninë do të jetë më kritik, pasi institucionet nuk arritën t’i përmbushin obligimet e raportit të vitit të kaluar. Sërish, sipas tyre, në shënjestër mbetet korrupsioni, reformat në pushtetin gjyqësor, presionet ndaj mediave dhe moszgjidhja e çështjes së emrit.


Raporti i ardhshëm Komisionit Evropian për Maqedoninë, që pritet të publikohet javën e ardhshme, do të jetë më kritik sesa ai i një viti më parë, vlerësojnë analistë politikë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Albert Musliu thotë se raporti do të jetë negativ për faktin se reformat nuk janë realizuar me dinamikën e paraparë, ndërsa veç reformave të domosdoshme, vendi duhej të zgjidhte edhe kontestin rreth emrit, që të mund të shpresonte në marrjen e datës së shumëpërfolur për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin e Evropian.

“Çdo definim i raportit, i cili nënkupton se gjërat nuk kanë lëvizur me dinamikën që është dashur për ne qytetarët, duhet të pranohet si raport negativ. Unë besoj se Maqedonia nuk ka dalë prej kornizës së shtetit, i cili realisht mund të marrë datë për fillimin e negociatave, nëse përmbyllet çështja e emrit”.


“Por, a është prezente ajo tempo e nevojshme? Gjithsesi se nuk është. Për mua çdo konstatim i raportit që do të nënkuptonte realizim të reformave me një tempo të ngadalësuar, do të ishte raport negativ”, deklaron Albert Musliu.

Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për Edukim Evropian thotë se një ndër sektorët më të kritikuar do të jetë ai ekonomik. Por, Qeveria, sipas saj, do të kënaqet vetëm nëse KE-ja do të mbajë rekomandimin për çeljen e bisedimeve.

Kjo, sipas Dimovës, nuk do të ndodhë, meqë edhe pas katër vjetësh që nga marrja e statusit të shtetit kandidat, Maqedonia më shumë ka ecur prapa sesa që ka ecur para.

“Katër vjet kemi ngecur me detyrat e njëjta. Për reformat ekonomike, për të cilat Qeveria mendon se ka bërë më shumë këtë vit, do të ketë vlerësim të dobët. Me gjithë ndikimet e njëjta të krizës ekonomike, Maqedonia ngec shumë pas vendeve fqinje. Nga e gjithë kjo shtrohet pyetja se cila do të jetë strategjia e Maqedonisë pas nëntorit të 2010-tës?”
, thotë Lidija Dimova, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Duke u thirrur në burimet të larta diplomatike të Brukselit, tashmë në Shkup janë publikuar pjesë nga raporti i KE-së për Maqedoninë.

“Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë vazhdon t’i plotësojë disa kritere politike, por vendi duhet të bëjë më shumë progres në termat e dialogut mes aktorëve politikë, në fushën e gjyqësorit dhe në reformën e administratës. Nevojitet, gjithashtu, përforcimi i luftës kundër korrupsionit, një liri më e madhe shprehjeje, si edhe përmirësim i klimës së biznesit”,
citojnë mediat pjesë të raportit.

Siç bëhet e ditur, raporti i Komisionit Evropian ruan rekomandimin e çeljes së negociatave, por fillimi i tyre varet nga zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë.
XS
SM
MD
LG