Ndërlidhjet


Një tjetër përpjekje ndërkombëtare për të zgjidhur krizën politike dështoi në Tiranë. Delegacioni i eurodeputetëve u largua i zhgënjyer duke ia lënë në dorë zgjidhjen forcave politike.

Për analistin Afrim Krasniqi, epilogu i kësaj orvatjeje të re për ndihmën ndërkombëtare ishte i parashkruar.

“Ishte e pritshme që nuk do të arrihej kompromisi. Nëse palët politike do të ishin të gatshme të arrinin kompromis, zakonisht kompromisi arrihet në nivele më të larta - kompromisi në lidhje me atë se Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat, dhe palët në Tiranë e dinin shumë mirë që praktikisht përgjigja është dhënë negative. Me ndërgjegje të plotë palët refuzuan në mënyrë publike, po them, edhe orvatjen e fundit ndërkombëtare për një kompromis”, thotë Krasniqi.

Analisti Frrok Çupi rendit tri arsye të dështimit të negocimit ndërkombëtar. Çupi i referohet kryesisht sjelljes politike në Shqipëri që në vend të rezultateve, siç thotë, ofron fjalorin e luftës me zgjidhje ekstreme.

“Ne nuk kemi dituritë dhe moralin e duhur për t’u afruar me Evropën, kjo është çështja e parë. Çështja e dytë është se politikanët e Shqipërisë përgjithësisht, shikojnë shumë ngushtë, shikojnë vetëm interesat e tyre, kështu që, në qoftë se këta nuk dalin prej interesave të partisë, të grupit, të familjes, e të shikojnë interesat e shtetit, sigurisht se do të ndodhë kështu. Një arsye e tretë është një mungesë e eksperiencës demokratike”,
vlerëson Çupi.

Zoti Krasniqi thotë se të gjitha zhvillimet flasin qartë për një luftë të hapur për pushtet.

“Në kushtet reale do të duhej që mazhoranca të bënte një tolerim duke ofruar një kompromis, për shembull, te kompromisi i ofruar nga zonja Pack në tryezën e bisedimeve”.

“Fakti që palët nuk e bëjnë as atë kompromis, do të thotë që çështja është te debati kryesor rreth pushtetit dhe asnjëra palë nuk është e gatshme të tolerojë në çështje të tilla. Është luftë për t’i marrë të gjitha, do të thotë Partia Socialiste kërkon zgjedhje të parakohshme”
, konsideron Krasniqi.

Zoti Çupi e sheh në një këndvështrim më lokalist këtë përplasje mes dy forcave më të mëdha politike. Pas saj sheh të fshehur betejën për Bashkinë e Tiranës, betejë që, siç thotë, ka prodhuar si artific krizën politike.

“Kriza është një artific dhe është ndërtuar mbi alibinë e kutive. Nëse mazhoranca përballë artificit të opozitës ka zgjedhur qëndrimin e fortë, duke u mbështetur te pjesa kockore e shtetit – ligji, në atë që thuhet kompromis, kompromis tentohet të bëhet një tregti e vogël me përfitimet në pushtet, praktikisht e tërë lufta bëhet për Bashkinë e Tiranës”, thekson Çupi.

Duke ndjekur logjikën e sjelljes politike qëndrimeve të pandryshuara të partive të mëdha, analisti Krasniqi shprehet i bindur se zgjidhje nuk do të ketë, jo të paktën deri përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.

“Nuk besoj të ketë, gjithçka po themi do të varet nëse do të zhvillohen zgjedhjet lokale në datën e caktuar, nëse do të përmbushen standardet teknike, nëse kalkulimet pas zgjedhjeve lokale do ta ruajnë të njëjtën ndarje të sotme, apo do të ketë ndonjë ndryshim tërësor të sistemit partiak - do të thotë, mes shumë koalicionesh ose kalimin me kompromis në zgjedhje të parakohshme parlamentare",
shprehet Krasniqi.

Këtë herë misioni i eurodeputetëve u largua nga Tirana më durimthyer se kurrë me klasën politike shqiptare.

Sipas analistëve, shuplaka e fortë për këtë zhgënjim mbi njëvjeçar do të jetë opinioni i Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, që, sipas tyre, nuk premton asgjë pozitive.
XS
SM
MD
LG