Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Eksporti, rruga jonë drejt stabilitetit


Në Nju Delhi, presidenti Obama ka takuar kryeministrin e Indisë, Manmohan Sing.

Në Nju Delhi, presidenti Obama ka takuar kryeministrin e Indisë, Manmohan Sing.

International Herald Tribune

Shkruan: Barak Obama, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës


Derisa Shtetet e Bashkuara po rimëkëmben nga recesioni, gabimi më i madh që mund të bëhet është rindërtimi i ekonomisë mbi të njëjtin shtrat borxhesh apo përfitimesh nga spekulimet financiare.

Duhet të ndërtojmë themele të reja, më të fuqishme për rritjen tonë ekonomike. Për ta arritur një gjë të tillë, duhet të bëjmë atë që Amerika e ka bërë më mirë: zbulimet si dhe krijimi e prodhimi i produkteve të reja që shiten në të gjithë botën.

Ne duam të njihemi jo thjesht për ato që konsumojmë, por për ato që prodhojmë. Sa më shumë të eksportojmë, aq më shumë vende të reja pune hapim në Amerikë. Për çdo 1 miliard dollarë eksporte, na duhen më shumë se 5000 vende pune brenda vendit.

Pikërisht për këto arsye e kam përcaktuar dyfishimin e eksporteve amerikane, si qëllim për pesë vjetët e ardhshëm. Për ta përmbushur qëllimin, na duhet të gjejmë klientë të rinj dhe tregje të reja për prodhimet amerikane. Disa nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë janë në Azi - atje ku gjendem aktualisht për vizitë.

Çfarëdo që të thuhet, vështirë se do të jetë e tepruar krahasuar me rëndësinë e Azisë për të ardhmen tonë ekonomike. Në Azi gjenden tri nga pesë ekonomitë më të mëdha në botë, si dhe është kontinenti ku shtresa e mesme po njeh rritje të shpejtë.

Gjatë turneut do të vizitoj katër demokraci aziatike: Indinë, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Në Indi, i shoqëruar nga qindra biznesmenë amerikanë, do të arrihen rezultate konkrete drejt qëllimit tonë për të rritur eksportet. Kontratat në vlerë prej miliarda dollarësh do të mbajnë dhjetëra mijëra vende pune në Amerikë.

Indonezia është anëtare e G20-ës. Nga angazhimi ynë në Azi, eksportet amerikane në Indonezi gjatë tetë muajve të parë të këtij viti u rritën me 47%, krahasuar me vitin 2009.

Në Korenë e Jugut me presidentin Li Mung do të arrijmë një sërë paktesh tregtare, që do të kenë vlerë prej miliarda dollarësh për eksportet amerikane, ose, e thënë ndryshe, mijëra vende pune për amerikanët.

Shtete të tjera, si Kanadaja apo vendet anëtare të Bashkimit Evropian, po arrijnë marrëveshje tregtare me Seulin, derisa bizneset amerikane po humbasin mundësitë për të shitur produktet e tyre në këtë treg. Në takimin e vendeve të Azi-Paqësorit, që do të mbahet në Japoni, do të vazhdoj të shoh për tregje të reja për eksportet amerikane në Azi.

Sfida më e madhe e kohës sonë është që Amerika të jetë e gatshme të konkurrojë për vende pune dhe për industritë e së ardhmes. Në kohë vështirësish ekonomike, është tunduese ideja që të mbyllemi në vetvete dhe mos t’i kushtojmë rëndësi tregtisë me vendet e tjera.

Në botën e sotme, kaq të ndërlidhur e të ndërvarur, kjo nuk është rruga e rritjes dhe e krijimit të vendeve të reja të punës. Qeveria së bashku me bizneset amerikane duhet të marrë masa që të nxisë shitjen e prodhimeve tona jashtë, e me theks të veçantë në Azi.

Kjo është rruga se si do të krijojmë vende pune, mirëqenie dhe një ekonomi me themele më të forta. (i.b.)
XS
SM
MD
LG