Ndërlidhjet

Pagat e mësimdhënësve: Rritje nga janari 2011?!


Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit

Pagat e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar do të rriten që nga janari i vitit të ardhshëm, thonë autoritetet përgjegjëse. Sipas tyre, ky proces nuk do të pengohet nga zhvillimet e fundit politike në vend.

Për këtë është i bindur edhe Ali Shabani, udhëheqës i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBASHK). Ai jep më shumë detaje rreth përpjekjeve që po bën sindikata në bashkëpunim me Ministrinë në dorëheqje të Arsimit.

“Me Ministrinë e Arsimit dhe kryeministrin jemi duke biseduar çdo ditë që kjo çështje të realizohet sipas premtimeve që janë dhënë dhe sipas kërkesave të SBASHK-ut. Prandaj, nuk ka fije dyshimi se ajo nuk do të ndodhë. Jemi duke gjetur modalitete se si ta realizojmë atë kërkesë të SBASHK-ut, të anëtarësisë sonë dhe të punëtorëve të arsimit parauniversitar në Kosovë”,
thotë Shabani.

Ministri në dorëheqje i Arsimit, Enver Hoxhaj, tre muaj më parë, pat deklaruar se “ekziston një vendosmëri e prerë e qeverisë, që në vitin 2011 të ketë rritje të mirëfilltë të pagave të mësimdhënësve”.

Edhe sot, pas situatës së krijuar politike në vend dhe pa miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, Hoxhaj është i bindur se pagat e mësimdhënësve do të rriten nga një janari i 2011-ës.

“Një gjë mund të them - rritja do të jetë e fuqishme, e mirëfilltë. Mësimdhënësi në Republikën e Kosovës është reformues, shtetndërtues dhe modernizues i vendit tonë, prandaj edhe do ta ketë mbështetjen e qeverisë”, thekson Hoxhaj.

Megjithatë, ministri në dorëheqje nuk jep ndonjë përqindje se sa do të rriten pagat e mësimdhënësve, përderisa SBASHK-u ka kërkuar që rritja të jetë nga 50 deri në 100%. Ali Shabani shprehet optimist se kërkesat punonjësve të arsimit do të përmbushen.

”Rritja e pagave mund të jetë në mënyrë lineare, por mund të jetë edhe në përqindje. Jemi duke kalkuluar për të gjetur modelin më të përshtatshëm për të realizuar këtë objektiv tonin dhe të punëtorëve të arsimit në përgjithësi. Ne kemi bërë përpjekje që t’i artikulojmë kërkesat e punëtorëve të arsimit. Kërkesë e tyre ishte një rritje nga 50 deri në 100%”.

“Megjithatë, ne do të bëjmë përpjekje që ajo rritje të jetë substanciale, e ndjeshme, në interes të punëtorëve të arsimit dhe të cilësisë së arsimit parauniversitar në Kosovë”,
thotë Shabani.

Pikërisht për këtë qëllim, qeveria tashmë në dorëheqje kishte formuar një komision me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, të Ministrisë për Ekonomi dhe Financa dhe të SBASHK-ut.

Paga mesatare e mbi 28 mijë punonjësve të arsimit parauniversitar aktualisht është 240 euro në muaj.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG