Ndërlidhjet

logo-print
Zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nxitur reagime në skenën politike të Kosovës.

Mustafa, jo vetëm që ka pranuar urimet nga partitë tjera politike për postin e ri, por edhe ka pranuar mesazhet e para politike për gatishmërinë e një pjese të spektrit politik për koalicione paszgjedhore me LDK-në.

Ndërkohë, nuk është sqaruar ende çështja e Listës Ibrahim Rugova, e cila të premten ka aplikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor që të garojë si iniciativë qytetare, pas mospajtimeve që kishte me kryetarin e deridjeshëm të LDK-së, Fatmir Sejdiun.

Astrit Haraqija, nga Lista Rugova, tha se janë në pritje të thirrjeve nga lidershipi i ri i LDK-së, në mënyrë që LDK-ja të garojë në zgjedhje me një listë të vetme.

Ne, Lista Rugova, jemi në pritje të thirrjeve nga kryetari i ri i LDK-së, Isa Mustafa. Jemi në pritje - ne kemi thënë se jemi LDK dhe mbesim në LDK. Kemi aplikuar për rrethanat që kanë ekzistuar atëherë për zgjedhjet e partisë. Tash ato kanë ndryshuar, kështu që jemi në pritje të kryetarit Isa Mustafa”, tha Haraqija.

Një mesazh Isa Mustafës i erdhi edhe nga kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Deri dje dy parti partnere, tani e tutje PDK-ja dhe LDK-ja mëtojnë të vazhdojnë ndaras, duke u munduar që afër vetes të grumbullojnë parti me orientime të afërta programore.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se me Mustafën do të jenë rivalë në politikë, por edhe partnerë në shtetndërtimin e Kosovës.

“Dëshiroj t’i uroj zotit Isa Mustafa zgjedhjen në krye të LDK-së. Do të kemi konkurrencë projektesh, idesh dhe vlerash, por do të jemi partnerë në shtetndërtim”, tha Thaçi.

Subjekti politik që konsiderohet më i afërt me LDK-në për kah programi është, Lidhja Demokratike e Dardanisë e Nexhat Dacit. Kjo parti politike, e dalë pikërisht nga ndarja me LDK-në gjatë kuvendit të parafundit zgjedhor, tha se ka mirëpritur fitoren e Isa Mustafës, andaj u shpreh e gatshme që të shkojë në koalicion paszgjedhor edhe me LDK-në.

Nënkryetari i saj, Naser Rugova, tha se bisedimet për koalicione mund të priten vetëm pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kurse e mohoi kategorisht mundësinë e bashkimit të LDD-së me LDK-në.

“Ne mund të bisedojmë për bashkëpunim, për bashkërendim dhe për ndërtim të institucioneve përmes koalicioneve të mundshme. Por, për bashkim asnjëherë nuk është bërë fjalë dhe këtë e ka deklaruar edhe kryetari i LDD-së. Andaj, me kompetencë të plotë si nënkryetar i partisë ju konfirmoj se nuk bëhet fjalë për ide të tilla. Për bashkim nuk është diskutuar asnjëherë në asnjë forum të LDD-së”, theksoi Rugova.

Fitorja e Isa Mustafës u përshëndet edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. LDK-ja dhe AAK-ja kanë qenë partnere në koalicion qeverisës gjatë mandatit paraprak.

Por, këto tre vjetët e fundit, derisa LDK-ja ishte në koalicion me PDK-në, sipas Avni Arifit nga e Kryesia e AAK-së, kishte një ftohje raportesh.

Tani, me lidershipin e ri, Arifi tha se nuk sheh ndonjë pengesë që një LDK me Mustafën në krye të jetë sërish partnere me AAK-në në të ardhmen.

“Shpresoj që lidershipi i ri i LDK-së do t’i këndellë raportet që i ka pasur me AAK-në. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me LDK-në, sepse ka më shumë aspekte që na ofrojnë me LDK-në, sesa që na largojnë”, tha Arifi.

Pas fitores ndaj rivalit për kreun e LDK-së, Fatmir Sejdiu, kryetari i sapozgjedhur, Isa Mustafa, ka premtuar ndryshime në politikën e LDK-së, me synimet që nga partneriteti me PDK-në të kalojë në rivalitet për pushtet me këtë subjekt politik.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG