Ndërlidhjet

A mund të sjellë LDK-ja ndryshime?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Zgjedhjet në Kuvendin Qendror të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë shpërfaqur një lloj demokracie brenda këtij subjekti politik, por mbetet për t’u parë nëse një gjë e tillë do të rezultojë me ndryshime kualitative, thonë analistët e çështjeve politike në Prishtinë.

Analisti Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, thotë se zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të ndikojë te një pjesë e elektoratit të kësaj partie, e cila nuk ka qenë e kënaqur me mënyrën se si është udhëhequr deri më tash LDK-ja.
...vetë zgjedhja e tij dhe një frymë demokratike që është parë në kongresin qendror të LDK-së janë shpresëdhënëse se kjo parti po shkon drejt një demokratizimi.

“Unë nuk e kuptoj shumë euforinë, e cila është përhapur në opinionin publik sa i përket fitores së zotit Mustafa dhe ndryshimeve që ai mund t’i bëjë".

"Mirëpo, vetë zgjedhja e tij dhe një frymë demokratike që është parë në Kongresin Qendror të LDK-së, megjithatë, janë shpresëdhënëse se kjo parti po shkon drejt një demokratizimi dhe reformimi të mundshëm. Mbetet të shihet nëse Isa Mustafa me të vërtetë do të jetë reformatori i LDK-së”,
thotë Gashi.

Sipas Gashit, duhet pasur parasysh dy fenomene. Ai thotë se Këshilli i LDK-së është zgjedhur me konsensusin e të dy kandidatëve, Fatmir Sejdiut e Isa Mustafës, ndërkohë që ky i fundit, sipas Gashit, ka deklaruar se do të ketë një vazhdimësi të menaxhimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, analisti Behlul Beqaj nuk pret ndryshime të mëdha...

“Nëse u referohemi zgjedhjeve të fundit për nënkryetar dhe kryesi, si duket është bërë një politikë mikse... Prandaj, lëvizje të mëdha, në kuptimin e ndryshimeve kualitative të qeverisjes, nuk shoh”.

“Përkundrazi, besoj që ato do të bien nën ndikimin e mentalitetit dhe aktorëve që LDK-në e kanë sjellë me vite të tëra në gjendjen e komës, e cila vështirë mund të tejkalohet. Por, është një risi, e cila ndoshta mund të premtojë se ndryshimi nuk është edhe i pamundur
”, thekson Beqaj.

Sipas analistëve, Lidhja Demokratike e Kosovës, me sjelljen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të saj, ka për qëllim të ndikojë në ndryshimin e mundshëm të radhitjes së partive politike në skenën politike të Kosovës.

Analisti Gashi thotë se një gjë e tillë vërehet lehtë nga deklaratat e vetë kreut të LDK-së, me të cilat, sipas tij, Mustafa paralajmëron hapësirën e mundshme për koalicione të reja me forcat e reja politike në vend.

“Zoti Mustafa, medoemos, do të tentojë që gjithë fushatën e ardhshme elektorale ta zhvendosë në debatin PDK (Partia Demokratike e Kosovës) dhe LDK, që i shkon për shtati LDK-së, por që në fakt nuk do të duhej të ishte debati qenësor politik”.

“Mos të harrojmë, më shumë se gjysma e atyre që e zgjodhën zotin Mustafa në krye të partisë, janë të njëjtit delegatë të LDK-së, të cilët qeverisën me PDK-në për plot tre vjet. Ata e bartin përgjegjësinë, nëse jo të barabartë, prapë një dozë të madhe të saj, për dështimet e shumta dhe keqqeverisjen, të cilën ne e kemi parë në Kosovë”,
shprehet Gashi.

Edhe analisti Beqaj thotë se mund të ketë ndryshime në radhitjen e partive në skenën politike. Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të paraqiste diçka të rëndësishme për qytetarët, të cilët ballafaqohen me çështje ekzistenciale.

Beqaj e vlerëson jorelevant faktin se cila parti do të prijë në skenën politike, sepse, siç thotë ai, konteksti i rrethanave nuk ka ndryshuar.
Aktorët, të cilët e kanë sjellë Kosovën në zgrip të ekzistencës, nuk kanë ndryshuar...

“Aktorët, të cilët e kanë sjellë Kosovën në zgrip të ekzistencës, nuk kanë ndryshuar. Çdo gjë që bëhet në nivelin e manovrimeve, vetëm mund ta keqësojë dhe ashpërsojë raportin ekzistues”.

“Nëse nesër LDK-ja bëhet eventualisht parti e parë, vetëm sa do ta ashpërsojë kursin karshi PDK-së dhe anasjelltas. Nëse bëhet ngushtimi i hapësirës mes partisë të parë dhe asaj të dytë, pavarësisht se cila është, ajo vetëm se do ta keqësojë situatën në Kosovë, për faktin se ata do të merren me vetveten dhe kundërshtarët, e nuk do të merren me përmirësimin e gjendjes reale të qytetarëve të Kosovës”,
konkludon Beqaj.

Në Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së, Isa Mustafa fitoi me 234 vota garën për të parin e partisë. Për këtë post ka kandiduar edhe kryetari i deritashëm, Fatmir Sejdiu.

Lexoni edhe këtë: Oferta për koalicione
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG