Ndërlidhjet

logo-print

TC "Kosova e re": Pezullohet prapë?!


Kosova A (Fotografi ilustruese)

Kosova A (Fotografi ilustruese)

Katër konsorciumet e kualifikuara për të marrë pjesë në Termocentralin “Kosova e re”, duhet të presin formimin e qeverisë se re për shpalljen e fituesit.

Konsorciumi Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania, janë ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”.

Lorik Haxhiu, drejtues i këtij projekti, i tha Radios Evropa e Lirë se fituesi do të shpallet pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, meqë, sipas tij, projekti duhet t’i përshtatet situatës politike.
Pritet që pas përfundimit të zgjedhjeve të rifillojë puna e komitetit drejtues dhe të merren vendime përkatëse.

“Edhe pse projekti ka katër kompani të parakualifikuara dhe ato kanë pranuar draft-tenderin për shqyrtim, pritet që pas përfundimit të zgjedhjeve të rifillojë puna e komitetit drejtues dhe të merren vendime përkatëse, në mënyrë që projekti të ecë përpara“, tha Haxhiu.

Nga zyrtarë të qeverisë në dorëheqje më herët është thënë se në vitin 2011 do të mund të fillojnë ndërtimet e Termocentralit “Kosova e re”.

Por, Haxhiu tha se pas situatës së krijuar politike, një gjë e tillë tashmë nuk dihet se kur do të ndodhë. Institucionet që do të dalin pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, sipas Haxhiut, kanë obligim ta shqyrtojnë dhe ta mbështesin ose jo projektin.

“Këto bazohen në politikat e secilës qeveri. Unë besoj se ky projekt është i domosdoshëm për Kosovën, pasi që shfrytëzon resurset vendore. Është i domosdoshëm që të sigurojë edhe furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike në periudhat e ardhshme”, u shpreh Haxhiu.

Në vitin 2005, pas hartimit të Strategjisë për zhvillimin e energjisë, qe vendosur ndërtimi i një termocentrali të quajtur “Kosova C”. Në vitin 2006, qeveria pat shpallur tender për ndërtimin e këtij termocentrali; nga dhjetë kompani të interesuara, katër prej tyre ishin kualifikuar.

Por, në vitin 2007, me ndryshimet në përbërje të qeverisë, projektin “Kosova C”, për gati një vit e mbuloi heshtja për, siç thuhej atëbotë, rishikim të tij. Më pas, u mor vendim që termocentrali të mos quhet “Kosova C”, por “Kosova e re”.

Ethem Çeku, ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur u hartua projekti, tha se Termocentrali “Kosova e re” tashmë është projekt i vdekur.
Kompanitë nuk do të jenë peng i zhvillimeve politike në Kosovë. Ato nuk mund të presin sa herë të ndërrohet qeveria...

Sipas tij, edhe kompanitë e kualifikuara do të largohen nga gara, ashtu siç kanë vepruar kompanitë tjera të kualifikuara në vitin 2006.

Me shtyrjen e projektit ‘Kosova e re’, unë mendoj se edhe këto kompani do të humbasin interesimin. Ato nuk do të jenë peng i zhvillimeve politike në Kosovë. Ato nuk mund të presin sa herë të ndërrohet qeveria, të ndërrohen konceptet, të ndërrohet gjithë infrastruktura“, tha Çeku.

Termocentrali “Kosova e re” është vetëm njëri nga projektet e mbetura pezull pas rënies së qeverisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG