Ndërlidhjet

Shqetësime për Raportin e Progresit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Prishtinë kanë prezantuar të dhënat e Raportit të Progresit për Kosovën. Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje nuk i kanë komentuar kritikat që dalin nga ky dokument. Ndërkaq, opozita e vendit e ka cilësuar raportin si shqetësim.



Shefi i Zyrës Ndërlidhëse Evropiane të Komisionit Evropian në Kosovë, Renco Davidi, ka prezantuar vlerësimet e Raportit të Progresit për Kosovën.

Në një konferencë për media, e cila është mbajtur në Prishtinë pak çaste pas publikimit të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe të paketës së strategjisë së zgjerimit të BE-së, Davidi ka folur për të arriturat dhe ngecjet e autoriteteve kosovare në përmbushjen e kritereve drejt integrimit në BE.

Raporti i Progresit për Kosovën, përveçse përmend të arriturat e bëra në disa fusha, si procesi i decentralizimit, flet edhe për mungesën e lirisë së shprehjes, për ndikimin politik në procesin e riemërimit të gjykatësve dhe për “mungesë të dallueshme të vullnetit politik në luftën kundër korrupsionit”.

Davidi ka thënë se legjislacioni për prokurimin publik është identifikuar si burim kryesor i parregullsive dhe korrupsionit.

“Mendoj se ka çështje lidhur me këtë aspekt të veçantë, që janë fusha të identifikuara në raport, ku autoritetet nuk kanë vepruar ashtu si është dashur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një nga këto ka të bëjë me legjislacionin për prokurimin publik”.

“Është e qartë se për një varg arsyesh, prokurimi publik është identifikuar si burim kryesor i parregullsive dhe korrupsionit. Në fund të fundit, Ligji për prokurimin publik edhe pas një procesi të gjatë të ndryshimit, është ende i pandryshuar”,
është shprehur Davidi.

Qeveria në dorëheqje e Kosovës, gjatë ditës, nuk ka dalë me ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me Raportin e sivjetmë të Progresit, duke pritur që ky dokument t’i dorëzohet asaj gjatë së mërkurës.

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, ndërkaq, kanë thënë se Raporti i Progresit për Kosovën konfirmon, siç thuhet, neglizhencën e institucioneve kosovare për t’i përmbushur kriteret e nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se shqetësimi kryesor mbetet ngecja në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ka ngecje të vazhdueshme - natyrisht edhe në aspektin e qeverisjes ose nevojës për qeverisje të mirë, në aspektin e luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative që shfaqen”, është shprehur Ramadani, për të shtuar se mungesa e vullnetit e përkushtimit politik dhe mosefikasiteti i autoriteteve përgjegjëse në përmbushjen e kritereve të vëna nga BE-ja, ndikojnë në rrugën e vendit drejt integrimit në këtë mekanizëm.

Davidi ka shprehur bindjen se në radhët e institucioneve kosovare ekziston një përkushtim për integrim në Bashkimin Evropian, porse ky përkushtim duhet të shndërrohet në reforma dhe ndryshime.

“Mendoj se kjo duhet të materializohet gjatë vitit të ardhshëm në një proces të reformave e të ndryshimit, që do ta transformonte këtë shtet në diçka që është më shumë në linjë me Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Vlerësimet për përmbushjen e kritereve drejt BE-së u paraqitën gjatë ditës edhe në raportet e progresit për vendet e rajonit, si për Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kroacinë.

Nënkryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka thënë se të dhënat që dalin nga dokumenti evropian për Kosovën dëshmojnë ngecjen e Prishtinës zyrtare krahasuar me vendet e tjera ballkanike që synojnë integrimin në BE.

Makolli ka theksuar domosdoshmërinë që mekanizmat përgjegjës në vend t’i rishikojnë politikat aktuale, sidomos ato që kanë të bëjnë me fushën e sundimit të ligjit.

Ky raport do të duhej t’i shërbejë klasës politike që të krijojë mekanizma dhe të ndërmarrë veprime, jo vetëm për t’i eliminuar këto defekte që janë shkaktuar, por edhe për të garantuar një përparim të proceseve në vend”, ka theksuar Makolli.
XS
SM
MD
LG