Ndërlidhjet

AAK dhe “Lista Rugova” në koalicion


Foto arkivi
Foto arkivi

Kryesuesi i “Listës Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, dhe nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, nënshkruan marrëveshje koalicioni. Ata thanë se kjo marrëveshje paraqet vazhdimësinë e partneritetit politik që kishin arritur në dhjetorin e vitit 2004 presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Lista Ibrahim Rugova” formalizuan marrëveshjen e koalicionit.

Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, dhe kryesuesi i “Listës Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova thanë se marrëveshja paraqet një vazhdimësi të partneritetit të lidhur në dhjetorin e vitit 2004 ndërmjet presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Për t’i dhënë pamjen e vazhdimësisë së këtij partneriteti, edhe marrëveshja u nënshkruan në rezidencën e presidentit të ndjerë Rugova.

Kryesuesi i “Listës Rugova”, Ukë Rugova, tha se kjo listë nuk ka dalë (kaluar) nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por asaj nuk i është dhënë hapësirë nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, andaj ka vendosur që në zgjedhje të përfshihet në listë me AAK-në.
Ne jemi ‘Lista Dr.Ibrahim Rugova’ dhe siç kemi thënë edhe më herët, jemi pjesë e LDK-së.


“Ne nuk jemi duke përfunduar në AAK. Ne jemi ‘Lista Dr.Ibrahim Rugova’ dhe siç kemi thënë edhe më herët, jemi pjesë e LDK-së. Por, fatkeqësisht kanë qenë të gjitha dyert e mbyllura që të kemi mundësi të prosperojmë brenda LDK-së”.


“Andaj, kuptohet që politikisht janë disa momente kur njeriu duhet të gjejë zgjidhje dhe duke pasur parasysh marrëveshjen e mëhershme që presidenti Rugova e pati nënshkruar me kryeministrin Haradinaj, e kemi parë të rrugës që sërish të afrohemi me këtë subjekt, me të cilin kemi shumë ngjashmëri edhe programore”
, tha Ukë Rugova.

Pasi që afati i koalicioneve ka përfunduar, “Lista Rugova” parashihet të përfshihet në kuadër të listës zgjedhore të AAK-së.

Blerim Shala tha se bartësit e kësaj liste zgjedhore do të jenë Ramush Haradinaj dhe Ukë Rugova. Shala u shpreh i bindur se ky koalicion paraqet një peshë të re politike në Kosovë.
...synojmë që përmes këtij koalicioni parazgjedhor që po lidhim sot me ‘Listën Dr.Ibrahim Rugova’ t’i fitojmë zgjedhjet e 12 dhjetorit...


“Ne do të synojmë që përmes këtij koalicioni parazgjedhor që po lidhim sot me ‘Listën Dr.Ibrahim Rugova’ t’i fitojmë zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe të krijojmë qeverinë e përbashkët, së bashku edhe me partnerët e tjerë që na janë bashkangjitur në listën e përbashkët”,
u shpreh Shala.

Para se “Lista Rugova” të lidhte koalicion me AAK-në, u zhvillua edhe një takim ndërmjet kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës dhe Ukë Rugovës.

Mirëpo, oferta e Mustafës që vetëm Ukë Rugova të përfshihet në listën e LDK-së, nga Ukë Rugova dhe familja e presidentit të ndjerë u refuzua dhe u cilësua si poshtëruese.

Madje, familja Rugova reagoi dhe përmes një komunikate e ka cilësuar politikën e Isa Mustafës dhe Kryesisë së re të LDK-së në kundërshtim me politikën rugoviane.

Më pas, edhe Kryesia e LDK-së reagoi duke shprehur keqardhje për qëndrimet e familjes Rugova dhe i përsëriti Ukë Rugovës ftesën dhe ofertën që të përfshihet në listën e saj zgjedhore.

Sidoqoftë, Rugova tha se tash për tash ai do të vazhdojë me AAK-në, por duke e ruajtur anëtarësinë e listës që drejton si pjesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
XS
SM
MD
LG