Ndërlidhjet

Obama: Myslimanët të përballen me militantët

  • RFE /RL

Xhakartë, 10 nëntor, 2010.

Xhakartë, 10 nëntor, 2010.

Raportet mes Islamit dhe Shteteve të Bashkuara ishin një nga elementët kyçë që presidenti amerikan adresoi në Indonezi - vendi me numrin më të madh të popullsisë myslimane në botë.

Duke folur para një publiku, që përbëhej kryesisht nga studentë të Universitetit të Xhakartës, Obama pranoi se marrëdhëniet me botën islamike mbeten të trazuara.

“Kemi bërë përparim, por kemi shumë më tepër punë për të bërë. Civilët e pafajshëm në Amerikë, në Indonezi dhe në gjithë botën janë ende cak i ekstremizmit të dhunshëm. E kam bërë të qartë se Amerika asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në luftë me Islamin”.

“Të gjithë ne duhet të punojmë së bashku që të mundim Al Kaidën dhe bashkëpunëtorët e saj, të cilët nuk mund të pretendojnë se janë udhëheqësit e ndonjë feje, e sigurisht nuk janë drejtuesit e një besimi të madh siç është ai islam. Ata që duan të ndërtojnë, nuk duhet t’u japin hapësirë atyre që duan të shkatërrojnë. Kjo nuk është detyrë vetëm e Amerikës”,
tha Obama.

Komentet e presidentit amerikan vijnë 17 muaj pas fjalimit të tij të ngjashëm në Kajro, ku foli për një fillim të ri mes Shteteve të Bashkuara dhe botës islame. Obama e pranoi faktin se shumëçka nga ato që ai ka artikuluar, nuk janë zbatuar, por shtoi se një fjalim i vetëm nuk mund të zhbëjë vite antagonizmi.

Në fjalimin e radhës ishte element sfidues thirrja e Obamës që vetë bota islame të përballet me militantët e të mos presë vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Obama, në këtë kuptim, e sheh Indonezinë si një shembull për pjesën tjetër të botës.

Ai e përshkroi Indonezinë si demokraci në zhvillim e sipër, me një ekonomi në rritje dhe si një vend mysliman tolerant ndaj besimeve të tjera fetare. Këtë cilësi të fundit ai e krahasoi me vlerat ku bazohet vetë Amerika.

“Ne jemi dy popuj që kemi kaluar nëpër rrugë të ndryshme. Njëherësh, vendet tona janë dëshmi e asaj se qindra miliona njerëz me bindje e besime të ndryshme mund të qëndrojnë të bashkuar nën flamurin e lirisë”, tha Obama.

Një vit e gjysmë nga fjalimi në Kajro, Obama ka humbur shumë nga popullariteti që gëzonte në botën myslimane.

“Qartësisht, arabët në veçanti kanë qenë të zhgënjyer nga paaftësia e Obamës që të shënojë përparim konkret në konfliktin izraelito-palestinez, si dhe politikat e tij në Irak e Afganistan shihen si vazhdimësi e politikave të Xhorxh Bushit”, shkruanin pak ditë më parë dy autorë të njohur në revistën “Foreign Policy”.

Vështirësitë në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Obama nuk i la pa përmendur dhe në fjalimin në Xhakarta.

“Në Lindjen e Mesme jemi përballur me fillime false dhe prapa-kthehu, por kemi qenë këmbëngulës në qëndrimin tonë drejt paqes. Izraelitët dhe palestinezët kanë rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta, por mbeten ende shumë pengesa”.

“Nuk kemi iluzione se paqja dhe siguria do të arrihen lehtësisht. Askush nuk duhet të vërë në dyshim se Amerika do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që të arrihet rezultati i duhur, në interes të të gjitha palëve të përfshira, në interes të dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që duhet të jetojnë në paqe bri njëri-tjetrit. Ky është qëllimi ynë”,
tha Obama.

Presidenti amerikan nuk mbeti vetëm te deklaratat. Në Xhakarta, ai vizitoi xhaminë Istiklal, më e madhja në Azinë Juglindore. (i.b.)
XS
SM
MD
LG