Ndërlidhjet

Raport i Progresit apo Regresit?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Autoritetet kosovare thonë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian nuk flet për ngecje, por se përmend shqetësimet dhe sfidat, të cilat, siç zotohen ato, do të trajtohen gjatë vitit të ardhshëm. Partitë politike dhe organizatat joqeveritare në Prishtinë, ndërkaq, vlerësojnë se dokumenti i Komisionit Evropian dëshmon mungesën e angazhimit të institucioneve kosovare në eliminimin e kritikave që dolën nga raporti i vitit të kaluar.


Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje të Kosovës thonë se Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën, që u publikua nga Komisioni Evropian, është më i mirë se ai i vitit të shkuar - gjë që, sipas tyre, dëshmon angazhimin e institucioneve kosovare në përmbushjen dhe eliminimin e vërejtjeve që dolën nga Raporti i Progresit i 2009-ës.

Edhe pse mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, problemet lidhur me krimin e organizuar, mungesa e lirisë së shprehjes dhe ndërhyrjet politike në procesin e riemërimit të gjykatësve janë disa nga vërejtjet kryesore për Kosovën, të cilat u paraqitën gjatë së martës në Bruksel, ministri në dorëheqje i Integrimeve, Besim Beqaj, tha se Raporti i Progresit nuk flet për regresin e Kosovës.

“Ne kemi adresuar numrin më të madh të çështjeve, të cilat kanë qenë të ngritura. Ju e shihni në raportin e vitit të kaluar se flitet shumë më shumë për adaptimin e legjislacionit dhe flitet për sfida në adaptimin e legjislacionit. Këtë vit nuk flitet për sfida dhe vështirësi në adaptimin e legjislacionit, por flitet për pjesën e implementimit. Pra, kemi një progres të theksuar në këtë”, tha Beqaj.

Qeveria e Kosovës
Sipas tij, për të eliminuar problemet që ceken në Raportin e Progresit, ekzekutivi kosovar do të hartojë një plan të veprimit që do ta zbatojë gjatë vitit të ardhshëm.

“Nuk është Raporti i fundit i Progresit. Ne presim edhe raporte të tjera - sikurse që po ndodh për vendet e rajonit - dhe presim që në mënyrë substanciale, në mënyrë të vazhdueshme t’i adresojmë këto sfida, deri në momentin kur Kosova të marrë notën e përgjithshme maksimale, e cila nevojitet për të hyrë në Unionin Evropian”, tha Beqaj.

Krejt ndryshe nga vlerësimi zyrtar e kanë cilësuar Raportin e Progresit partitë politike dhe organizatat joqeveritare në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se autoritetet përgjegjëse në vend nuk kanë treguar përkushtim në përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i Progresit i vitit të shkuar. Kurti vlerësoi se këtë vit është rritur vëllimi i kritikave që Komisioni Evropian ua ka adresuar institucioneve kosovare.

“Ndërmjet këtyre dy raporteve të progresit, Qeveria e Kosovës më parë ka qenë pjesë e problemeve sesa pjesë e zgjidhjes së tyre”,
theksoi ai.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shprehu shqetësimin lidhur me kritikat që flasin për mungesën e vullnetit politik në luftën kundër korrupsionit.

Përfaqësues të KDI-së vlerësuan se puna e organizatave joqeveritare dhe e mediave në lidhje me avokimin mbi korrupsionin në Kosovë, është vënë në pikëpyetje nga mungesa e vullnetit politik të autoriteteve në vend.

Esat Mazreku, nga KDI-ja, shpjegoi:

“E tërë puna e OJQ-ve dhe e mediave në avokim për përmirësimin e mekanizmave në luftën kundër korrupsionit ka hasur në vesh të shurdhër këtë vit. Kjo, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik - një fakt ky që përmendet gjatë gjithë Raportit të Progresit dhe në shumicën e fushave”.
XS
SM
MD
LG