Ndërlidhjet

Faith: Kosova të përmbushë rekomandimet e KE-së



Përfaqësuesi Special i BE-së, Pieter Feith, i ka bërë thirrje popullit të Kosovës që të mbajë qëndrim pozitiv për aspiratat e tij evropiane.

“Raporti i Progresit thekson shumë përmirësime që janë arritur gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Prandaj, i bëj thirrje popullit të Kosovës që të mbajë qëndrim pozitiv për aspiratat e tij evropiane. Po ashtu, i inkurajoj autoritetet që rekomandimet dhe vrojtimet t’i shohin në mënyrë konstruktive dhe të punojnë në drejtim të tejkalimit të sfidave që janë identifikuar në raportin e këtij viti“, ka thënë Faith përmes një komunikate për media.

Ai ka thënë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian pasqyron progresin e arritur nga institucionet e Kosovës gjatë vitit të kaluar si dhe vë në pah nevojën për reforma të mëtejme në veçanti në fushat si qeverisja, ekonomia si dhe në forcimin e themeleve demokratike të Kosovës.

“Sa i përket progresit në liberalizimin e vizave, dëshiroj të rikujtoj se ky nuk është një rezultat që vjen automatikisht por një mundësi. Siç ka shkruar sot Komisionari Füle, ne së shpejti do të mund të nisim dialogun për vizat me Kosovën. Ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe të vështirë, por besoj se kjo është një përpjekje që ia vlen të bëhet“, ka thënë Faith.

“Pasi të jenë kryer reformat e kërkuara, populli i Kosovës do të duhej të ketë mundësinë që të gëzojë të drejtën për udhëtime me qëndrim afatshkurtër pa viza në BE”, citohet të ketë thënë Faith.
XS
SM
MD
LG