Ndërlidhjet

Polemikat e serbëve për zgjedhjet


Graçanicë (Foto arkivi)

Graçanicë (Foto arkivi)

Politikanët serbë në Kosovë kanë reaguar ndaj qëndrimit zyrtar të Qeverisë së Serbisë, se nuk janë përmbushur kushtet që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga institucionet kosovare.

Ata kanë komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, të cilët po ashtu kanë thënë se serbët duhet të zgjedhin vetë nëse duan ose jo të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, tha se konstatimi i Beogradit zyrtar është i saktë. Por, një gjë e tillë, sipas saj, nuk do të thotë se serbët nuk duhet të marrin pjesë në proceset, në të cilat, siç tha ajo, duhet bërë përpjekje për t’i siguruar kushtet për serbët që jetojnë në Kosovë dhe ata që duan të kthehen në këtë vend.

Trajkoviq tha se Beogradi zyrtar, megjithatë, nuk u ka bërë thirrje serbëve që t'i bojkotojnë zgjedhjet.

Rada Trajkoviq
“Mendoj se me qëndrimin e deklaruar, Qeveria dhe institucionet në Beograd do ta pranojnë orientimin e serbëve të Kosovës. Njerëzit që do të zgjidhen dhe do ta kenë përkrahjen e popullit, Beogradi do t’i pranojë”.

“Unë kështu e mendoj këtë, sepse, nëse nuk na i ndalon, atëherë me siguri se dëshiron që të ketë zgjedhje, të cilat në një mënyrë do t’ua japin rastin të gjithë atyre që do të kandidohen, të fitojnë zgjedhësit. Unë mendoj se ata që do të fitojnë, Qeveria do t’i pranojë”,
tha Trajkoviq.

Millan Ivanoviq, përfaqësues i Këshillit Kombëtar Serb në veriun e Kosovës, është i pakënaqur me formën e deklaratës, me të cilën është shprehur qëndrimi i Qeverisë dhe institucioneve në Beograd, lidhur me çështjen e pjesëmarrjes ose jo të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e këtij vendi.

Ai tha se deklaratat që vijnë nga Beogradi përmbajnë “hipokrizi”.

“Fatkeqësisht, në politikë kemi mjaft hipokrizi. Kemi dëgjuar zëra të ndryshëm nga Beogradi dhe ky qëndrim është paksa i padefinuar dhe nuk është mjaft eksplicit”.

“Është dashur të thuhet se serbët nuk duhet të dalin, e jo se nuk janë përmbushur kushtet. Unë kam frikë që edhe kjo deklaratë, e cila është vetëm deklarative, nuk do të mbetet vetëm për nevoja të brendshme, ndërkohë që në teren do të veprohet ndryshe, nën trysninë e Brukselit dhe të Uashingtonit”,
u shpreh Ivanoviq.

Parashikimet e këtyre dy politikanëve janë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do të jetë e theksuar në anën jugore të lumit Ibër, ndërkohë që në veri nuk do të ketë votues serbë.

Trajkoviq tha se serbët e veriut nuk do të dalin në zgjedhje për shkak të frikës për sigurinë e tyre.

“Në veri të Kosovës ka diversione politike ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe, ndonëse për këtë çështje flitet fare pak. Në këtë kuptim, mendoj se serbët, nga frika për sigurinë e tyre, do t’i ikin mundësisë për të dalë në zgjedhje”.

“Ndërkaq, serbët në anën jugore të lumit Ibër, mendoj se do të dalin në numër të mjaftueshëm. Nëse do të ketë kushte që në zgjedhje të marrin pjesë edhe serbët e zhvendosur nga Kosova, mendoj se ky numër do të jetë mjaft domethënës”,
theksoi Trajkoviq.

Millan Ivanoviq
Edhe Ivanoviq shprehu bindjen se serbët që jetojnë në veri të Kosovës, do t’i bojkotojnë zgjedhjet. Ndërsa, për ata në jug, sipas tij, do të ketë kushtëzime.

“Premtimet, korruptimi i individëve të caktuar, propaganda e fuqishme, si dhe përhapja e frikës në mesin e atyre që nuk duan të dalin në zgjedhje, gjithsesi se do t’i kushtëzojnë një numër të serbëve, jo shumicën e tyre, që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, të dalin në zgjedhjet e Kosovës”.

“Fundja, shembujt e Parteshit, Graçanicës dhe të disa pjesëve të tjera të Kosovës qendrore, e tregojnë një gjë të tillë”,
tha Ivanoviq.

Sido që të jetë, disa subjekte politike serbe tashmë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre në garën e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, të cilat pritet të mbahen më 12 dhjetor.


Beogradi s'i thërret serbët të dalin në zgjedhje

Qeveria e Serbisë vlerëson se nuk janë "përmbushur kushtet“ që t’i thërrasë serbët për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.

"Qeveria e Serbisë konsideron se është e domosdoshme që përmes rrugëve të dialogut, Beogradi dhe Prishtina, sa më shpejt që të jetë e mundur, të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët dhe që do të sillte pajtimin historik serbo-shqiptar“, thuhet në një njoftim të Qeverisë serbe, të cilin e transmetojnë mediat serbe.


Sfidat në organizimin e zgjedhjeve


Në Komisionin Qendror Zgjedhor nuk është certifikuar asnjë subjekt politik, ndonëse afati i certifikimit të partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit përfundon më 11 nëntor.

Pavarësisht kësaj, përfaqësues të KQZ-së thonë se po i bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura teknike për organizim sa më të mirë të zgjedhjeve.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, thotë se ky organ zgjedhor ka hartuar dy plane operacionale për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Rahovec dhe zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.
Jemi në implementimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare...

“KQZ-ja është duke shkuar me dy plane operacionale; një për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Rahovec, më datën 21 nëntor, si dhe tjetrin për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të datës 12 dhjetor. Jemi në implementimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare”, thekson Peqani.

Sipas tij, është koha e shkurtër që ka mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ajo që paraqet sfidë për KQZ-në.

“Sfidë është koha e shkurtër, mirëpo KQZ-ja teknikisht është e gatshme që këto zgjedhje t’i organizojë dhe t’i menaxhojë sipas standardeve ndërkombëtare”, thotë Peqani për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e procesit zgjedhor në Kosovë e vënë në pikëpyetje cilësinë e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Sipas tyre, KQZ-ja duhet të jetë mirë e përgatitur edhe në rastet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, Zait Xhemajli, është e rëndësishme që Komisioni Qendror Zgjedhor të veprojë në bazë të rregullave që parasheh Ligji për zgjedhjet.
Ky proces nuk do të kalojë pa të meta, për arsye se koha është shumë e shkurtër për t’i përgatitur zgjedhjet...

“Ky proces nuk do të kalojë pa të meta, për arsye se koha është shumë e shkurtër për t’i përgatitur ato (zgjedhjet). Prandaj, rezultatin do ta shohim në fund. Nuk guxojmë të paragjykojmë që do të jetë çdo gjë keq, por me siguri që mund të pritet, meqë në proceset e rregullta zgjedhore ne kemi pasur dështime, kemi pasur të meta, e lëre më në këtë proces...”.

“Megjithatë, nëse arrijnë që së paku 60 % - 70 % të jenë të suksesshme, atëherë unë do ta konsideroja sukses”,
shprehet Xhemajli.

Xhemajli shpreh drojën se komisionet komunale dhe ato të vendvotimeve do të jenë disa nga sfidat më të mëdha në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Të metat mund të ndodhin në përgatitjen e vendvotimeve, te organizmi i komisioneve komunale për zgjedhje, te hartimi i listave zgjedhore, te fushata elektorale e subjekteve politike... Të gjitha këto mund të vijnë në shprehje si anë të dobëta”, thekson Xhemajli.

Lexoni edhe këtë: Serbët (s')duhet të dalin në zgjedhje
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG