Ndërlidhjet

Telashet e Gjyqësorit


Ndërtesa e Gjykatës në Shkup
Ndërtesa e Gjykatës në Shkup
Ekspertët juridikë vlerësojnë se kritikat e apostrofuara në raportin e Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, duhet marrë me shumë seriozitet, ngase ky segment paraqet një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e shtetit demokratik sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski, zotohet se ligji që parasheh zmadhimin e buxhetit për Gjyqësorin, do të ndihmojë në pavarësinë, si dhe efikasitetin e këtij institucioni.


Përderisa reformat në sistemin gjyqësor mbeten pika më e errët në raportin e Komisionit Evropian, duket qartë se pushteti gjyqësor në Maqedoni funksionon me “ngërçe”, vlerëson Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike.

Kadriu thekson se Gjyqësori, për shkak të influencës politike, nuk arrin ta luftojë korrupsionin dhe të jetë më efikas në zgjidhjen e lëndëve gjyqësore.

“Kualiteti i vendimeve të pushtetit gjyqësor gjithashtu nuk është në nivelin e duhur, ngase shumë vendime të pushtetit gjyqësor janë nën ndikimin e politikës ditore. Dhe, në situatën kur politika ditore ndikon në pushtetin gjyqësor në marrjen e vendimeve, atëherë ne nuk mund të flasim për vendime kushtetuese ligjore, por për vendime të natyrës politike dhe kështu rezultojnë proceset e montuara politike”,
thotë Kadriu.

Por, ministri i Drejtësisë, Mihallo Manevski, për thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësia e pushtetit gjyqësor varet nga komoditeti financiar, andaj pikërisht për këtë Qeveria ka dyfishuar buxhetin e Gjyqësorit.

“Tashmë kemi miratuar edhe një ligj të veçantë për buxhetin e sistemit gjyqësor, cili parasheh dyfish më shumë mjete sesa vitin e kaluar, gjë që besoj se drejtpërdrejt do të ndikojë dhe në azhuritetin e punës së gjykatësve për t’i zgjidhur lëndët që me vite zvarriten”
, shprehet Manevski.

Ndërkohë, në raportin e KE-së shprehet shqetësimi dhe për angazhimin e ministrit të Drejtësisë në përbërjen e Këshillit Gjyqësor.

Kjo shihet si ndërhyrje e politikës në pavarësinë e Gjyqësorit, me ç’rast theksohet se pikërisht në këtë pjesë nuk ka vend për kompromis në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë.

Pas kësaj, ministri i Drejtësisë i Maqedonisë pranon se kjo rregullativë ligjore dëmton pavarësinë e Gjyqësorit, por, siç shprehet vetë Manevski, nevojitet konsensus më i gjerë që të ndryshohet Kushtetuta, e cila parasheh përfshirjen e ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor.

“Nevojitet një konsensus i gjerë politik që kjo çështje përfundimisht të hiqet nga rendi i ditës, si një nga kërkesat e BE-së në funksion të realizimit të reformave”,
thekson Manevski.

Në këtë drejtim, eksperti Osman Kadriu thotë se problem në vete paraqet mosrespektimi i ligjeve nga vetë institucioni themelor që duhet të ushtrojë drejtësinë.

“Ne flasim se kemi reforma, por ato reforma akoma janë gjysmake kanë të bëjnë me rregullativën pozitive. Miratohen ligje, por njëherësh të gjitha ligjet nuk janë të harmonizuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe me legjislaturën evropiane. Këtu kemi dhe nevojën që Kushtetuta të pësojë ndryshime, sa i përket emërimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor”,
thekson Kadriu.

Kujdes të veçantë duhet kushtuar dhe profesionalizimit të kuadrit në sistemin gjyqësor, theksohet në rekomandimet e Komisionit Evropian.
XS
SM
MD
LG