Ndërlidhjet

(Keq)Interpretimi i Raportit të Progresit


Klubi për Politikë të Jashtme (Foto nga arkivi)
Klubi për Politikë të Jashtme (Foto nga arkivi)

Përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve të ndryshme në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile diskutuan në Prishtinë për Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian. Interpretimi i këtij dokumenti në mënyra të ndryshme shkaktoi ballafaqimin e mendimeve për vlerësimet që i dha ditë më parë Komisioni Evropian.


Autoritetet evropiane dhe ato kosovare kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre lidhur me Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën që u publikua të martën.

Në një debat të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, përfaqësuesit e Komisionit Evropian në vend dhe zyrtarët e Qeverisë në dorëheqje folën për vlerësimet që dalin nga dokumenti evropian - vlerësime këto që duket se janë analizuar në mënyra të ndryshme jo vetëm nga këta dy mekanizma.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Ranzo Davidi, paraqiti fushat ku Kosova ka bërë përparim përgjatë një viti, por përmendi gjithashtu edhe fushat kritike, përmbushja 100% e të cilave, sipas tij, do të jetë parakusht për integrimin në Bashkimin Evropian.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, gjatë konferencës për shtyp pas publikimit të raporteve të progresit për vitin 2010. Bruksel, 9 nëntor
Davidi e cilësoi si faktik Raportin e Progresit.


“Në përgjithësi besoj se Raporti është i balancuar dhe faktik”,
u shpreh Davidi.

Përveç vlerësimeve pozitive të Komisionit Evropian lidhur me disa procese politike, si decentralizimi, kritikat kryesore drejtuar institucioneve kosovare kanë të bëjnë me mungesën e gatishmërisë së duhur për të luftuar korrupsionin, ekzistimin e krimit të organizuar, ndikimin politik në emërimin e gjykatësve dhe mungesën e lirisë së shprehjes.

Këto kritika, për ministrin e Integrimeve në dorëheqje, Besim Beqaj, janë sfida që do të trajtohen gatë vitit të ardhshëm, ndërsa raporti në përgjithësi, sipas tij, është më i avancuar se sa ai i vitit 2009.

“Nëse flasim në vlerësimet, leximin apo analizimin e Raportit: është më i avancuar-substancialisht më i avancuar se sa vitin e kaluar”
, tha Beqaj.

Opozita, ndërkaq, theksoi rëndësinë për një interpretim dhe analizim real të Raportit të Progresit. Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, kritikoi ekzekutivin në dorëheqje të vendit për mënyrën e vlerësimit të raportit.
“Ne duhet të shohim se si e lexojnë të tjerët - se si e lexon Qeveria është tepër me rëndësi, edhe opozita ka të drejtë të tregojë se si lexon, por është diçka tepër me rëndësi që duhet ta dimë: Si e lexon Raportin e Progresit, ta marrim si shembull, një ministër i Punëve të Brendshme i cilitdo vend evropian, i cili do të duhet të përgjigjet para elektoratit të vet dhe institucioneve të veta kur vjen puna për të marrë një vendim për liberalizimin e vizave”, theksoi Gjini.

Përmbushja e kritereve të kërkuara për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, sipas drejtores së Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, nuk bëhet vetëm me harmonizim të legjislacionit vendor me atë evropian, apo me krijimin e planeve e strategjive të ndryshme për reforma.


Hajrullahu tha se këto plane duhet të zbatohen edhe në praktikë.

“Raporti flet vetë dhe një lexim i shpejtë apo i ngadalshëm tregon se progresi është minimal: aspak progres, progres i limituar, pak progres. Ca progres është megjithatë vlerësimi që e dominon shumicën e fushave. Ajo çka do të duhej është të fokusohemi për më tepër në koordinimin e këtyre dokumenteve, strategjive dhe të sigurojmë zbatim aty ku jemi vonë”
, potencoi Hajrullahu.
XS
SM
MD
LG