Ndërlidhjet

Shasivari, Nikçi dhe Alishani dënohen me kusht


Trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatësi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ka shpallur sot vendimin për të akuzuarit Shefka Shasivari, Jusuf Nikçi, dhe Ahmet Alishani.

Shefka Shasivari u shpall fajtore dhe u dënua me një vit burg me kusht për abuzim të pozitës zyrtare. Masa nuk do të ekzekutohet nëse e pandehura nuk kryen tjetër vepër kriminale në katër vitet e ardhshme.

Shasivari akuzohet se në vitin 2005, si pronare e një kompanie ka shkelur ligjin gjatë prokurimit të një automjeti të blinduar për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Jusuf Nikçi u shpall fajtor për falsifikim të dokumentave zyrtarë dhe u dënua me tre muaj burg. Vendimi nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër kriminale brenda një viti.

Nikçi, në cilësinë e drejtorit të buxhetit në Kuvend, kishte nxitur një person tjetër të nënshkruajë se automjeti i blinduar ishte pranuar dhe inspektuar, ndërsa makina asnjëherë nuk ishte dërguar.

Ahmet Alishani u shpall fajtor për falsifikimin e dokumentave zyrtarë dhe abuzimin e postit zyrtar, dhe u dënua me dy vjet burg. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër kriminale brenda katër viteve.

Alishani akuzohet se qëllimisht i kishte tejkaluar autorizimet e tij, duke u përzier në prokurimin e automjetit të blinduar me qëllim të përfitimeve personale.

SQARIM I REDAKSISË:

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas disa proceseve gjyqësore, në muajin maj të vitit 2018 kishte marrë vendim që të aprovojë padinë e paditësit Jusuf Nikçi, duke e liruar atë nga akuzat e lartpërmendura.

"Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës detyrohet që paditësin Jusuf Nikçi ta kthejë në vendin e mëparshëm të punës, Drejtor Ekzekutiv Financiar, sipas kontratës së datës 12.01.2006, në afat prej 15 ditësh, nga data e marrjes së formës së prerë të këtij aktgjykimi", thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

XS
SM
MD
LG