Ndërlidhjet

Portretizimi i pavarësisë


Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë
Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë

Klubi për Politikë të Jashtme ka publikuar të premten një analizë me temën “Vlerësim i jashtëm për shtetin e ri – Çka thonë raportet ndërkombëtare për shtetin e Kosovës?”. Në analizë, mes tjerash, thuhet se asnjë raport ndërkombëtar nuk flet mirë për Kosovën.


“Gati tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare nuk flasin mirë për Kosovën. Pavarësia e saj nuk po portretizohet si ngjarje suksesi në vlerësimet e të huajve”.

Konstatime të tilla ka nxjerrë Klubi për Politikë të Jashtme, në analizën që ka publikuar të premten, “Vlerësimi i jashtëm për shtetin e ri – Çka thonë raportet ndërkombëtare për shtetin e Kosovës?”.

Hajrullah Çeku ka shpjeguar arsyet që kanë çuar në bërjen e një analize të tillë.

“Arsyeja e parë është ajo që ne e kemi quajtur mohim permanent të brendshëm. Në këto dy-tre vjetët e fundit e kemi parë një konsistencë të brendshme të institucioneve të Kosovës, për t’i mohuar të gjitha vërejtjet që vijnë nga raportet ndërkombëtare”.

“Arsyeja e dytë është se ekziston një numër shumë i madh i raporteve. Kosova vazhdon të jetë një vend shumë atraktiv për organizata ndërkombëtare dhe ato gjithë kohën prodhojnë raporte që analizojnë funksionalitetin e shtetit”,
ka thënë Çeku.

Klubi për Politikë të Jashtme, përmes kësaj analize, i ka shqyrtuar 15 raportet më të rëndësishme ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.
Në to, Kosova renditet karshi shteteve, siç thuhet, jofunksionale.

Driton Syla, hulumtues në këtë organizatë, ka shpjeguar më shumë:
Kosova gjithmonë gjendet në vendin e fundit...


“Kemi mbledhur pesë emëruesit e përbashkët, ku mund të jetë edhe shteti i Kosovës në konkurrencë me shtetet e dështuara. Kosova gjithmonë gjendet në vendin e fundit edhe vërehet një trend i konstant i rënies së performancës, ku bën pjesë këtu edhe sundimi i ligjit dhe liria e medieve”.


Hajrulla Çeku ka thënë po ashtu se shteti i ri, në bazë të vlerësimit të jashtëm, nuk është në rrugë të duhur drejt funksionalitetit. Vlerësimet që vijnë nga raportet ndërkombëtare, janë vërejtje esenciale dhe prekin fushat thelbësore të shtetësisë.

Ai ka thënë se edhe më optimistët do të sfidohen seriozisht pasi të lexojnë këto raporte, pasi që vlerësimet pozitive janë të rralla.

Ndryshe, përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës disa herë kanë deklaruar se raportet e ndryshme ndërkombëtare hartohen nga të dhënat e njerëzve që kryesisht kanë qasje opozitare. Dhe, ato të dhëna, sipas tyre, nuk mund të jenë shumë të besueshme.

Por, Hajrulla Çeku nga KPJ-ja, lidhur me këtë çështje është shprehur:
Metodologjia është e tyre dhe është shumë e sofistikuar në mënyrë shkencore, por atyre u duhen edhe kapacitetet lokale.


“Besoj që Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Transparency International e dinë realitetin në Kosovë më mirë se vetë njerëzit e Kosovës.
Metodologjia është e tyre dhe është shumë e sofistikuar në mënyrë shkencore, por atyre u duhen edhe kapacitetet lokale”.

“Është absurde të mendosh që shoqëria civile ose ekspertët e Kosovës nuk janë pjesë e këtyre raporteve. Nuk e di pse ata kapen në këtë dimension kur ajo është një praktikë e natyrshme, një metodologji standarde se si punojnë organizatat ndërkombëtare kur i hartojnë këto raporte. Kështu që shqetësimet e tyre për t’i etiketuar hartuesit e raporteve, duhet të kalojnë në një stad tjetër për të realizuar përmbajtjen e raporteve”.


Në këtë analizë, mes tjerash, thuhet se edhe kur ka mirënjohje për zhvillimet pozitive në Kosovë, ato kryesisht janë për reforma shumë embrionale të funksionalitetit shtetëror.
XS
SM
MD
LG