Ndërlidhjet

Aksidentet me fatalitet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Numri i aksidenteve me fatalitet, si dhe numri i këmbësorëve të goditur nga automjetet gjatë këtij viti është shumë më i madh në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë, anëtarët e familjeve të personave që kanë pësuar në këto aksidente, thonë se shpejtësia është arsyeja kryesore që po ndodhin ngjarje të tilla.

Një qytetare nga Podujeva, tregon se si ka humbur mbesën e vet nga një veturë në komunikacion.

“Para një jave na ka ndodhur një tragjedi në familje. Vajzën e vëllait e ka goditur vetura. Shkaktar ka qenë shpejtësia e madhe dhe s’ka mundur ta ndalojë veturën, ka hipur në trotuar dhe e ka goditur vajzën”,
tregon rastin kjo qytetare.

Ndryshe, vetëm gjatë nëntëmujorit të këtij viti, janë shënuar 109 aksidente me fatalitet, 126 persona janë lënduar, ndërsa 38 prej tyre, këmbësorë, kanë humbur jetën, thotë Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.

Sipas Sadriut, këto shifra janë mjaft shqetësuese për shoqërinë në përgjithësi.
Policia e Kosovës

“Policia, përpos detyrave të përditshme, ka pasur edhe angazhime shtesë për parandalimin e kësaj dukurie, e sidomos vetëdijesimin e shoferëve të rinj në rrugë, si dhe vetëdijshmin e fëmijëve dhe kjo ka korresponduar me fillimin e vitit të ri shkollor”, bën të ditur Sadriu.

Por, qytetarët në Prishtinë japin mendime të ndryshme rreth shkaqeve të aksidenteve të shpeshta që po ndodhin në komunikacion.

Aida Musa mendon se shkaku i aksidenteve është marrja e patentë-shoferit në kompanitë private, në mënyrë shumë të lehtë.

“Mendoj që shkaku i aksidenteve me fatalitet që po ndodhin kohëve të fundit, është joserioziteti i marrjes së patentë-shoferit. Përpara ka qenë më vështirë dhe më serioze dhe mendoj se edhe mungesa e policisë në komunikacion - ka aty këtu, por kryesisht mungojnë, pastaj edhe shpejtësia është shkak tjetër
”, shprehet Musa.

Ndërkaq, Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare, thotë se prej 10 deri 15 për qind është numri i pacientëve, të cilët kërkojnë ndihmë si pasojë e aksidenteve rrugore në Kosovë.

“Numri i të vdekurve në qendrën tonë, krahasuar me vitin e kaluar, është 1 për qind më i lartë dhe totali është 16 për qind e vdekjeve të personave të lënduar në aksidente. Me gjithë angazhimin tonë që t’u ndihmojmë për të shpëtuar jetë, kjo përqindje ka përfunduar me vdekje derisa 2 për qind e tyre mbesin në karroca invalidore”
, thekson Lenjani.

Autoritetet e rendit po përpiqen ta trajtojnë këtë problem dhe në këtë kuadër kanë hartuar planin operativ policor “Të shpëtojmë jetë”.
XS
SM
MD
LG