Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i s’e pëlqen garën e kandidatëve nën hetime


EULEX

EULEX

Zëvendësshefi i EULEX-it, Endrju Sparks, tha se do të ishte në të mirë të reputacionit të Kosovës sikur emrat, të cilët janë nën hetime apo subjekt i ndonjë procesi gjyqësor, të mos figuronin në listat zgjedhore të partive politike. Megjithatë, subjektet politike, nga radhët e të cilave vijnë këta emra, thanë se ligjet në fuqi nuk ua ndalojnë atyre pjesëmarrjen në zgjedhje.


Listat e kandidatëve për deputetë të partive politike përmbajnë edhe emra që janë nën hetime, apo ndaj të cilëve është kryer ndonjë proces gjyqësor. Për subjektet pjesëmarrëse, kjo nuk paraqet shkelje dhe as konflikt me ligjet në fuqi.

Zëvendësshefi i EULEX-it, Endrju Sparks, tha se të gjithë duhet të pranojnë faktin se çdokush është i pafajshëm përderisa gjykata ta vërtetojë të kundërtën.

Por, në anën tjetër, sipas tij, është mirë për reputacionin e Kosovës që emrat nën hetime të mos ishin në listat zgjedhore.

“Personalisht, mendoj se do të ishte më e ndershme dhe në të mirë të reputacionit të Kosovës që njerëzit, të cilët janë nën hetime apo subjekt i procedurave gjyqësore, të mos i kenë emrat në lista si përfaqësues të popullit, përderisa emrat e tyre të mos pastrohen nga ajo ngarkesë”,
deklaroi Endrju Sparks.

Sa i përket garimit të tyre në zgjedhje, Sparks theksoi se kjo ka të bëjë me ligjet në fuqi.

Në listën e PDK-së për deputetë janë apostrofuar sidomos emrat e Azem Sylës dhe Fatmir Limajt, të cilët janë nën procedura hetimore nga ana e EULEX-it.

Vetë Fatmir Limaj tha se kjo ka të bëjë me ligjin dhe nuk ka të bëjë me interpretime politike.

“Besoj që nuk ka nevojë për sqarime. Këtu i jep sqarimet ligji. Ne i përmbahemi ligjit dhe jo disponimeve të individëve dhe vazhdojmë ashtu si e parasheh ligji”
, u shpreh Limaj.
EULEX-i kishte bastisur Ministrinë e Transportit në prill të këtij viti


Ndërkohë, edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se Limaj dhe Syla kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, pasi që ata në asnjë proces nuk janë shpallur fajtor ndonjëherë.

“Ne mendojmë se përderisa nuk ka ndonjë vendim për secilin person në Kosovë, ai mund t’i kryejë të gjitha detyrat e veta që i takojnë me ligj”
, theksoi Kuçi.

Po të premten, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës reagoi përmes një komunikate në lidhje me kreun e saj, Ramush Haradinaj, ndaj të cilit pritet të vazhdojë një gjykim i pjesshëm në Hagë, përderisa Haradinaj i prin listës së AAK-së në zgjedhje.

“Zoti Haradinaj në asnjë rrethanë nuk bie ndesh me Ligjin për zgjedhjet dhe se të gjitha dispozitat në ligj ia mundësojnë atij të kryesojë listën e AAK-së. Dispozitat e njëjta kanë qenë në fuqi edhe në zgjedhjet e vitit 2007. Në atë kohë, kryetari Haradinaj është certifikuar si deputet”
, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Një debat më vete ngriti edhe kandidimi i Nexhat Dacit, i shpallur fajtor dhe i dënuar me kusht, sikurse edhe kandidimi i Albin Kurtit, por subjektet e tyre reaguan, duke thënë se ligjet në fuqi nuk ua ndalojnë atyre pjesëmarrjen në zgjedhje.

Përderisa debati në lidhje me pjesëmarrjen e kandidatëve të caktuar në zgjedhje vazhdon, partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 12 dhjetorit refuzuan ta nënshkruajnë Kodin e sjelljes.

Gjatë një takimi që ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, zhvilloi me partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, mosnënshkrimi është arsyetuar me tekstin jo shumë të qartë të Kodit, kështu që vendosën që nënshkrimi i tij të bëhet të hënën e ardhshme.

Në këtë aspekt, Krasniqi u bëri thirrje subjekteve politike që të zhvillojnë një fushatë zgjedhore brenda normave të sjelljes demokratike dhe të përmbahen nga fyerjet e paargumentuara.

“Ne e kuptojmë që ka edhe ashpërsi e gjuhës. Por, ashpërsia e gjuhës duhet të bazohet në fakte. Gjithçka që e kalon bazën e fakteve është gjuhë e papranueshme dhe mendoj që është një gjuhë që qytetarët e Kosovës do të duhej ta ndëshkojnë me votën e tyre më 12 dhjetor 2010”,
nënvizoi Krasniqi.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë aplikuar 29 subjekte, përfshirë aty partitë politike, koalicionet dhe iniciativat qytetare.

Prej tyre, 7 subjekte i përkasin shumicës shqiptare, 8 janë nga radhët e serbëve, 4 subjekte boshnjake, 2 turke dhe 8 subjekte nga komunitetet e tjera.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG