Ndërlidhjet

Pastrimi i listave zgjedhore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke punuar intensivisht që sa më parë të rifreskohen listat e votuesve. Në gjë të tillë e konfirmojnë edhe drejtuesit e Agjencisë së Regjistrimit Civil. Por, ish-drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shprehen skeptikë që listat e votuesve mund të pastrohen për një kohë të shkurtër.


Rreth gjashtë mijë persona, të cilët nuk jetojnë më, janë larguar nga listat e votuesve të Kosovës, thonë zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ata bëjnë të ditur se tashmë ka përfunduar pjesa më e madhe e punëve në këtë drejtim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, thotë se në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil, është bërë pastrimi i listave të votuesve.
...rreth 6 mijë emra të njerëzve që nuk jetojnë më, janë larguar nga listat.


“Komisioni Qendror Zgjedhor po bën gjithçka që është e mundur që punët e saj t’i përfundojë me kohë. Dhe, në këtë kuptim, edhe Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar t’i përfundojë punët e saj. Mund të themi se rreth 6 mijë emra të njerëzve që nuk jetojnë më, janë larguar nga lista”
, bën të ditur Ajvazi.

Ndërkaq, kryeshefi i Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës, Blerim Cani, thotë se listat e votuesve kësaj radhe janë shumë më mirë të pastruara sesa në zgjedhjet e kaluara që janë mbajtur në vend.
Rifresikimi i listave është bërë në tërësi.

“Tani pastrimi i listave është më i mirë se çdo herë. Rifresikimi i listave është bërë në tërësi. Kuvendet Komunale i kanë sjellë certifikatat e të vdekurve dhe në bazë të tyre, ne i kemi larguar emrat e tyre nga listat e votuesve, si dhe nga baza e regjistrit civil”
, sqaron Cani.

Derisa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Agjencia për Regjistrimin Civil pohohet se listat e votuesve janë pastruar nga emrat e njerëzve, të cilët nuk jetojnë më, njohësit e sistemit zgjedhor në Kosovës shprehen skeptikë për një punë të tillë.

Ish-shefi i KQZ-së, Adnan Merovci, thotë për Radion Evropa e Lirë se listat e votuesve nuk mund të pastrohen për një kohë të shkurtër.

“Sa i takon pastrimit, ose siç quhet ndryshe, krehjes së këtyre listave, aq më pak njerëzit do të shkojnë, bie fjala, për t’i paraqitur rastet e të ndjerëve të vdekur, gjë që do të kishte ndikuar pozitivisht në listën e votuesve. Me fjalë të tjera, nuk shoh ndonjë efekt për këtë afat sa ka mbetur, sa u takon listave. Do të thotë, ne duhet i pranojmë ashtu siç janë dhe shumë pak do të ketë efekt periudha e pastrimit dhe e konfirmimit”
, shprehet Merovci.

Në këtë drejtim, nga mospastrimi i duhur i listave, Merovci parasheh edhe probleme gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
...çdo prolongim në proces në kohëzgjatje ndikon negativisht dhe rrit mundësinë e keqpërdorimeve të ndryshme.


“Mendoj se kjo ndikon në gjithë procesin. Lista e votuesve ka edhe aspekte të tjera sa i përket efektivitetit të procesit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe çdo prolongim në proces në kohëzgjatje ndikon negativisht dhe rrit mundësinë e keqpërdorimeve të ndryshme”,
thekson Merovci.

Ndryshe, përfaqësues të partive politike në Kosovë kanë kërkuar nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve që t’i rifreskojë listat e votuesve, në të kundërtën, sipas tyre, ato mund të paraqesin problem.

Ndërkaq, KQZ-ja sqaron se krahas largimit nga lista e votuesve të emrave të personave, të cilët nuk jetojnë më, do të bëhet edhe futja e emrave të rinj, që do të kenë të drejtën për të votuar.

Lexoni edhe këtë: Ligji i ri për zgjedhje (s’) ndikon në KQZ
XS
SM
MD
LG