Ndërlidhjet

logo-print

Rugova: Tentohet eliminimi politik i Dacit


Kuvendi i Kosovës (Fotografi ilustruese)

Kuvendi i Kosovës (Fotografi ilustruese)

Vendimi i Gjykatës në lidhje me rastin Daci, është përpjekje për eliminimin e tij nga jeta politike në Kosovë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rugova, vetëm një ditë para se Lidhja Demokratike e Dardanisë të publikonte listën e kandidatëve të saj për deputetë, Gjykata shpalli vendimin në lidhje me rastin Daci. Çfarë efekti mund të ketë për një parti politike një zhvillim i tillë në prag të zgjedhjeve?

NASER RUGOVA

Procesin gjyqësor ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, akademik Nexhat Daci, një ditë para certifikimit të subjekteve politike, në të gjitha analizat, nuk ishte shenjë e mirë për Gjyqësorin dhe për drejtësinë kosovare.

Mbase ky proces politik që zgjati pothuajse katër vjet, me këtë konotacion dhe me një aktgjykim të tillë çfarë mori vendim trupi gjykues, vërtet hap shumë dilema. A po sundon rendi dhe ligji në këtë vend, a po ndikohet dhe a po bëhet presion enorm mbi Gjyqësorin në Kosovë, ku në njëfarë forme tentohet që akademik Daci të eliminohet nga jeta politike në Kosovë, lë shumë dilema hapur.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendët dilemat dhe presionet. Mendoni se ishte një gjykim i motivuar politikisht?

NASER RUGOVA
Po të shikohet konotacioni kush e ka iniciuar këtë proces gjyqësor, kur është iniciuar dhe pse është iniciuar dhe ai puçi i heshtur shtetëror pas vdekjes së presidentit Rugova që iu bë haptas akademik Nexhat Dacit dhe dihet pse -pas largimit të profesor Dacit dhe pas kalimit në botën tjetër të presidentit Rugova, nuk kishin mbetur politikanë kredibilë që do të mund t’u thoshin jo apo do të mund të bëheshin koncesione çfarë u bënë, fatkeqësisht, në kurriz të shtetësisë dhe të popullit të Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë dhe në prag të 3-vjetorit të pavarësisë dhe sovranitetit - shtetësisë së këtij vendi, kjo klasë politike prej Grupit të Unitetit post mortum të presidentit Rugova, e solli Kosovën në një gjendje që asnjë qytetar i saj nuk e ka dashur.

Prandaj, të gjitha këto që tentova t’i artikuloj, më bëjnë shumë skeptik që rendi dhe ligji në Kosovë janë të rrezikuar seriozisht dhe që Gjyqësori po dhunohet nga politika. Këtu i bëj ftesë misionit EULEX që vërtet ta bëjë punën e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Të premten, pikërisht nga numri dy i EULEX-it erdhi porosia që njerëzit, të cilët janë subjekt i ndonjë procesi hetimor apo gjyqësor, të mos jenë në listat zgjedhore. Si e shihni ju këtë?

NASER RUGOVA

Paralajmërimet se nuk është dashur të futet në listë ky apo ai politikan nga ana e zëvendësshefit të EULEX-it, unë nuk i marr shumë serioze.

EULEX-i nuk duhet të paralajmërojë, ai duhet në njëfarë forme ta ndihmojë shtetin e ri të Kosovës në krijimin e një shteti ligjor, në ndërtimin e një Gjyqësori të pavarur, që është bazë, gur-themel, fundament i ndërtimit të një shteti demokratik dhe një shoqërie demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se kjo thirrje e EULEX-it vlen edhe për z.Daci?

NASER RUGOVA

LDD-ja respekton çdo vendim të Gjyqësorit. Duhet të mësohemi edhe si qytetarë, edhe si politikanë, por edhe si njerëz të zgjedhur, se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, sepse në Kosovë problemi numër një që ka të bëjë edhe me proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, është sundimi i rendit dhe ligjit.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë se vendimi i Gjykatës nuk e pengon Dacin që të jetë i pari i listës së LDD-së në zgjedhje?

NASER RUGOVA

Jo, absolutisht. Edhe avokati i zotit Daci, por edhe ekspertët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë në atë pasdite kur u mor vendimi, jemi mbledhur dhe jemi konsultuar edhe me ekspertin e LDD-së, që është njeri kompetent sa ai takon edhe Kushtetutës, edhe Ligjit për zgjedhjet, po në bashkëpunim edhe me avokatin e profesor Dacit, dhe është bërë ankesa në afatin e paraparë ligjor, sepse është dënim me kusht dhe nuk është vendim i formës së prerë.

Kjo lë mundësi të ankesës edhe në dy shkallë të tjera të Gjyqësorit dhe
akademik Nexhat Daci do t’i prijë listës zgjedhore të LDD-së për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rugova, nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë shkojnë sërish në zgjedhje si dy subjekte, por me filozofinë politike rugoviane. Kreu i LDD-së i pati dërguar mesazhe mbështetëse Isa Mustafës një ditë para zgjedhjes së tij në postin e kryetarit të LDK-së, por vetëm një ditë pas, LDD-ja sikur u tërhoq. Ku ishte zhgënjimi me Mustafën?

NASER RUGOVA

Me vullnetin më të mirë edhe profesor Daci edhe Kryesia e LDD-së, personalisht në cilësinë e nënkryetarit, edhe vetë përmes mediave, i kemi inkurajuar ndryshimet dhe reformat në LDK.

Profesor Daci, një ditë para Kuvendit deklaroi “e mbështesim fuqimisht dhe e përkrahim profesor Isa Mustafën, që vërtet ta marrë timonin e LDK-së dhe ta shpëtojë atë shtëpi”.

Profesor Mustafa u zgjodh kryetar dhe kjo ka qenë e pritur, por çka ndodhi? Vetëm një ditë e gjysmë më pas, profesor Isa Mustafa nuk pati mundësi, nuk gjeti modus politik që të lirohet nga ata që e sollën LDK-në, që e ndanë në radhë të parë që nga 46 për qind e saj në 25 për qind dhe tani me këtë logjikë të kësaj kryesie ku ndodhen njerëzit më konservativë dhe që dihen se si janë sjellë, si kanë vepruar dhe ku e sollën të djathtën – unë nuk shoh ndonjë dritë në fund të tunelit.

Profesor Mustafa mbase mund të jetë menaxher i mirë, por, siç po shihet dhe thotë fjala popullore, “dita shihet në mëngjes”.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët të djathtën dhe politikën rugoviane. Tani skenës i është shtuar edhe “Lista Rugova” e po këtij spektri. Sa prisni ju që pas zgjedhjeve atëherë të ketë një përafrim mes LDK-së dhe LDD-së?

NASER RUGOVA

Mundësitë janë reale, kjo varet prej vullnetit politik. Edhe profesor Daci ka deklaruar haptas, pas zgjedhjeve adresa e parë, me të cilën mund të bëjmë koalicion apo marrëveshje politike, është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe “Lista Ibrahim Rugova”, të cilën e kryeson Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Duam të besojmë që do të hasim në mirëkuptim dhe do ta gjejmë një modus që vërtet Kosovën ta nxjerrim nga kjo krizë e madhe edhe politike, edhe ekonomike, edhe sociale, pse jo edhe morale dhe ta orientojmë në adresën e duhur që është objektiv nacional - integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG